Mbyllet konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj, për 300 vende të lira kanë aplikuar 1658 persona
Ministria e Mbrojtjes njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga 300 vende të hapura për pranimin e rekrutëve të rinj, kanë aplikuar 1658 persona.
“Brenda katër viteve janë hapur katër konkurse për pranimin e ushtarëve dhe katër të tjerë për pranimin e kadetëve, e në secilin prej këtyre konkurseve është shfaqur interesim i lartë i të rinjve për aplikim”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se numri total i të rekrutuarve në Forcën e Sigurisë së Kosovës përgjatë periudhës 2021-2024 ka arritur në 2271, duke dyfishuar kësisoj pothuajse numrin total të ushtarakëve të FSK-së.
“Ushtria e Kosovës po rritet në numër, po konsolidohet me kapacitete profesionale dhe sisteme më moderne të armatimit”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.
Rruga Press