Mbyllen edhe dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq
Dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas konstatimit të operimit pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.
Ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Verifikimi i dokumentacionit përkatës ishte në qendër të këtij operacioni, duke siguruar që çdo operator ekonomik të respektojë rregullat dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Tutje, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga kjo ministri, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Ndaj atyre që operojnë në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese strikte sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrollet edhe në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.
Rruga Press