KryesoreLajme

Mbi 50 % e qytetarëve të anketuar nga UNDP janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës

Në raportin e fundit të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP ka një rritje prej 7.7 %  të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës duke kaluar shifrën e mbi 50 për qind krahasuar me të dhënat e nëntorit 2023.

“Rezultatet tregojnë një rritje të kënaqshmërisë me punën e Kabinetit Ekzekutiv, Kryeministrit, Kuvendit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes”, thuhet në raportin e 26-të të majit të Pulsit Publik nga UNDP – raport që synon të tregojë perceptimin e qytetarëve për çështjeve socioekonomike, politike, të sigurisë e mjedisore.

Por, nga ana tjetër, është evidentuar një rënie e kënaqshmërisë me punën e gjykatave dhe të prokurorive.

“Është shënuar një rënie e kënaqshmërisë me punën e gjykatave për 2.2 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit të vitit 2023”, thuhet në raport.

Më tej, se sa janë të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova, te shqiptarët dhe komunitetet tjera – përveç te serbët që ka pasur rënie – ka pasur rritje të kënaqshmërisë.

“Anketa e majit të vitit 2024 ka treguar se një përqindje më e madhe e të anketuarve (36.33%) kanë qenë shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht, krahasuar me 23.9% në nëntor të vitit 2023. Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike kanë treguar se 60% e komuniteteve të tjera të Kosovës dhe 35.9% e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur të kënaqur, duke e pasqyruar një rritje nga nëntori i vitit 2023 (25.2% dhe 25.2%, respektivisht)”.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ndërsa, kënaqshmëria e serbëve të Kosovës ka rënë në 5.7% nga 10.4% gjatë të njëjtës periudhë.

Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

Mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, duke shënuar një rënie prej 5.15 pikë të përqindjes krahasuar me raportin paraprak.

Gjithsej 50.6% e të anketuarve besojnë plotësisht se Marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Përderisa 35.8% kanë deklaruar se besojnë që Marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së deri diku, 10.3% kanë deklaruar se nuk besojnë fare se do të ndihmojë shtetin e Kosovës në këtë aspekt.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Në kuadër të pyetësorit ka qenë e përfshirë edhe matja e gatishmërisë së qytetarëve për të votuar nëse zgjedhjet do të mbahen së shpejti.

Në këto të dhëna ka rënie të gatishmërisë së serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje në krahasim me raportin paraprak të nëntorit të vitit të kaluar.

“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë (78%) kanë më shumë gjasa që të votojnë nëse zgjedhjet mbahen së shpejti, në krahasim me burrat (74%). Gjithsej 8.2% e burrave dhe 10.2% e grave kanë deklaruar se do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti. Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se gjithsej 81% e komuniteteve të tjera të Kosovës (76.5% në nëntor të vitit 2023), 76% e shqiptarëve të Kosovës (73.9% në nëntor të vitit 2023) dhe 54% e serbëve të Kosovës (64.78%) kanë gjasa të votojnë nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti”, është thënë në raport.

Të dhënat e raportit janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj të vitit 2024, duke e pasqyruar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve që i mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat e Kosovës.

YouTube player