Bota

Mbi 45,000 të vdekur nga lufta në Gaza

Numri i të vdekurve në Rripin e Gazës nga lufta 14-mujore midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit ka arritur në 45,000 njerëz, kanë bërë të ditur zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë të hënën.

Mbi 50 të vdekur janë dërguar në spitalet në të gjithë territorin e bombarduar, vetëm brenda 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve palestineze, raporton AP.  

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë më shumë se 17,000 militantë të Hamasit.

Lexo më shumë  BE miraton paketën e 15-të të sanksioneve kundër Rusisë

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se 45,028 njerëz janë vrarë dhe 106,962 janë plagosur që nga fillimi i luftës. Ajo ka thënë se numri i vërtetë është më i lartë sepse mijëra trupa janë ende të varrosur nën rrënoja ose në zona ku mjekët nuk mund të hyjnë. 

Izraeli pretendon se Hamasi është përgjegjës për numrin e viktimave civile, sepse sipas tij, grupi vepron nga brenda zonave civile në Rripin e Gazës.

Grupet e të drejtave dhe palestinezët thonë se Izraeli ka dështuar të marrë masat e mjaftueshme paraprake për të shmangur vrasjen e civilëve.

Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me bombardime të rënda dhe një inkursion tokësor në enklavën palestineze. 

Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, të paktën një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur.

Shumica e pjesës tjetër u liruan gjatë një armëpushimi vitin e kaluar.

Rruga Press

YouTube player