Bota

Mbi 4 milionë ukrainas janë strehuar në BE brenda një viti

Një vit pas miratimit të direktivës për strehim të përkohshëm nga Bashkimi Evropian – e cila shmangë pengesat administrative për regjistrimin e ukrainasve që largohen nga lufta – Komisioni Evropian tha se brenda kësaj periudhe mbi 4 milionë ukrainas janë vendosur në vendet e BE-së.

Publikimi i të dhënave nga KE u bë një vit pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës.

Këtë direktivë, BE-ja e kishte miratuar më 4 mars të vitit të kaluar. Sipas saj, ata që ikin nga lufta në Ukrainë nuk duhet të kërkojnë azil politik, apo t’i ndjekin procedurat e rregullta të strehimit të refugjatëve, por mund të regjistrohen menjëherë.

Gjithashtu, ata kanë qasje të menjëhershme në asistencë sociale, tregun e punës, shërbime shëndetësore dhe sistem të shkollimit.

“Përgjigja e BE-së ndaj luftës në Ukrainë edhe një herë dëshmon se çfarë mund të bëjë BE-ja kur vepron e bashkuar. Direktiva u dëshmua si instrumenti kyç për dhënien e asistencës direkete në BE dhe kjo mundësi do të duhej të mbetej si paketë e instrumenteve të BE-së edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Komisionit.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

KE-ja tha se mbi një milion shtetas të Ukrainës, të cilët kanë gjetur strehim në BE, kanë arritur edhe të punësohen, ku një numër i madh kanë kryer edhe trajnime të veçanta, të cilat janë financuar nga programet e BE-së për tu kualifikuar për disa vende pune.

Përmes platformës së posaçme “Solidariteti me Ukrainën”, deri më tani BE-ja ka ndarë një ndihmë financiare në vlerë prej 13.6 miliardë eurosh. Njëkohësisht është rritur bashkëpunimi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare që të ndihmohen edhe personat e zhvendosur brenda territorit të Ukrainës.

Nënkryetarja e Komisionit Evropian për demokraci dhe demografi, Dubravka Shuica ka thënë se kujdes i veçantë do t’i kushtohet fëmijëve nga Ukraina.

“Kjo gjeneratë e fëmijëve të Ukrainës e ka përjetuar një vit lufte, dhune, frike, humbje, dhimbje dhe tragjedie. E tashmja dhe e ardhmja e tyre ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Tashmë kemi arritur shumë kur është fjala për strehimin, shkollimin dhe mbrojtjen e tyre dhe do të kujdesemi që kjo të vazhdojë”, tha ajo.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Pasi direktiva për strehim të përkohshëm mund të skadojë, Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që ta vazhdojë atë sipas nevojës – për momentin deri në vitin 2024 – por më vonë me gjasë edhe deri në vitin 2025.

Ukrainasit janë strehuar nëpër të gjitha vendet e BE-së, por numri më i madh, rreth gjysma e tyre, pra dy milionë, janë strehuar në Gjermani dhe Poloni.

KE-ja ka njoftuar se gjatë kësaj periudhë ka ndihmuar strehimin edhe të shtetasve të vendeve të treta, të cilën kanë pasur qëndrim në Ukrainë dhe nuk kanë pasur mundësi të largohen drejt shteteve të tyre amë.

Modeli i strehimit të përkohshëm në BE ishte përdorur për herë të parë në vitin 1998 dhe 1999 gjatë luftës në Kosovë./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *