Mbi 20 milionë euro, Ministria e Kulturës do rinovojë Pallatin e Rinisë
Të hënën Ministria e Kulturës dhe menaxhmenti i Pallatit janë marrë vesh për investime afatgjata në këtë kompleks. Nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit është vendosur që në tre vjetët e ardhshëm të ndërhyhet me rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit – salla universale – hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, platesë dhe parkingut nëntokësor. Shpenzimet pritet të shkojnë mbi 20 milionë euro
Me mbi 20 milionë euro në “kuletë”, Ministria e Kulturës do rinovojë Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Kompleksi i viteve ’70 – një ndër pikat kryesore të arkitekturës në Prishtinë – është edhe monument si pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Të hënën Ministria e Kulturës dhe menaxhmenti i Pallatit janë marrë vesh për investime afatgjata në këtë kompleks. Nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit është vendosur që në tre vjetët e ardhshëm të ndërhyhet me rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit – salla universale – hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, platesë dhe parkingut nëntokësor.
Për nënshkrimin e memorandumit ka njoftuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. “Transformimi i Pallatit të Rinisë, për sportistët e artistët tanë” e ka titulluar njoftimin ministri Çeku.
“Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, vazhdojmë me projektin tonë ambicioz të transformimit të tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, ka njoftuar Çeku.
Nënshkrimi i memorandumit është bërë midis Mrika Gashit, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë” dhe Xheladin Krasniqit, zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.
Kurse në njoftimin e Pallatit të Risë dhe Sportit bëhet e ditur se këto renovime parashihet të zgjatin tre vjet. Por krejt projektet për ndërhyrje në këto hapësira duhet të kalojnë nëpër Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pëlqime pasi kompleksi është vlerë e trashëgimisë kulturore. Në memorandumin e nënshkruar ceken vetëm afatet kohore e hapësirat që do t’iu nënshtrohen ndërhyrjeve, por jo edhe shumat.
Ministria e Kulturës ka treguar se vlerat e investimeve përcaktohen nga projektet zbatuese. Ky institucion ka bërë të ditur se deri tani kanë investuar 99 mijë e 800 euro për rinovimin e amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe 200 mijë euro për rinovimin e palestrës së vogël të sportit.
“Në kodin tonë buxhetor ‘Rinovimi i Pallatit të Rinisë’ aktualisht janë 12.5 milionë euro, ndërsa ne parashohim që viteve në vijim kjo shumë të rritet në mënyre të konsiderueshme. Buxhetin për Pallatin e Rinisë do ta rrisim bazuar në vlerat që do të përcaktohen nga projektet zbatuese. Dy kode të tjera buxhetore që mund të përdoren për ndërhyrje janë ‘Rinovimi i ndërtesave kulturore” (3 milionë) dhe ‘Rinovimi i palestrave sportive’ (5 milionë)”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Aty bëhet e ditur se për shkak se Pallati i Rinisë është në mesin e ndërtesave kryesore për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare 2030, gjatë procesit të aplikimit ministri i Financave ka nënshkruar garancinë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve për infrastrukturën e sportit dhe shpenzime organizative. “Kjo vlerë e garantuar është afro 250 milionë euro dhe përfshin edhe rinovimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë”, shkruhet në përgjigje.
Paraprakisht në fillimvit MKRS-ja ka nisur rinovimin në Amfiteatrin e Pallatit.
Rinovimi i Amfiteatrit sipas kontratës është bërë duke zëvendësuar dyshemenë, pastaj furnizim me perde, ndriçim, heqja e tepisonit aty dhe zëvendësimi me një të ri. Largimi i konstruksionit dhe i instalimit elektrik në pjesën e skenës, ngjyrosja e mureve dhe tavaneve, ngjyrosja e dyshemesë, zhvendosja e ulëseve ekzistuese nga salla dhe konservimi i tyre e bartja në depo të objektit, sikurse edhe vendosja e ulëseve të TKK-së në amfiteatër janë midis punëve që janë bërë. Në kontratë përfshihet gjithashtu furnizimi me laptopë dhe të tjera mjete teknike për audio e pjesën vizuale në skenë. Janë hequr shtesat e tavanit dhe në njëfarë forme është rritur vizualisht hapësira.
Rruga Press