Mbi 100 palestinezë të plagosur pas përleshjeve me policinë izraelite
Mbi 100 palestinezë janë plagosur si pasojë e përleshjeve me policinë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, kanë thënë autoritetet shëndetësore, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
Kjo njëherësh është përballja e parë e tillë prej nisjes së Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Policia izraelite ka thënë se para agimit të së premtes “dhjetëra burra të maskuar” kanë marshuar në Al-Aksa duke bërtitur dhe duke ndezur fishekzjarre para se turmat të hidhnin gurë në Murin Perëndimor – i cili konsiderohet vendi më i shenjtë ku luten hebrenjtë.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze ka thënë se dhjetëra persona janë dërguar në spital pas përleshjeve.
Dëshmitarët kanë thënë se protestuesit palestinezë kanë hedhur gurë në drejtim të forcave izraelite të sigurisë, të cilat kanë qëlluar me plumba gome drejt disa prej tyre.
Përleshjet e fundit vijnë pas tri javësh me tensione në rritje dhe dhunës vdekjeprurëse në Izrael dhe Bregun Perëndimor.
Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në Islam.
Hebrenjtë e quajnë atë si Mali i Tempullit, duke iu referuar dy tempujve që thuhet se kanë qëndruar atje në antikitet.
Ky kompleks është në zemër të konfliktit izraelito-palestinez, i cili gjendet në anën lindore të Jerusalemit, të kontrolluar nga Izraeli.
Rruga Press