EditorialKryesore

Mashtrimi logjik i Kaqusha Jasharit me C0

Ky grupim iluzionistësh e mashtruesish nuk marrin fare në konsideratë premisën se Kosova ishte e pushtuar dhe, rrjedhimisht, mbahej e robëruar, në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar. Ata edhe sot mendojnë se luani nuk do të zgjohej, po të mos ngacmohej, duke shpërfaqur edhe më qartë mashtrimin logjik që kishin e vazhdojnë ta ushqejnë.

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 25 gusht — Një lagje ish pushtetarësh të periudhës sa Kosova ishte de fakto koloni e Serbisë, qoft ajo edhe konsolidimit të të ashtuquajturës Autonomi që i garantonte kushtetuta jugosllave e vitit 1974, për fat të keq aktive në skenën politike e publike edhe sot e kësaj dite, vazhdimisht, në përballje me demonstratat e 1981-it, në komunikimin e tyre publik, qoftë në memoaristikë, qoftë në media vizive a të shkruara, shprehje të opinioneve me rastin e përvjetorëve, kanë aplikuar dhe po aplikojnë të ashtuquajturin “Post Hoc Ergo Proter Hoc” (Mashtrim logjik), duke e drejtuar gishtin për përgjegjësinë që gjoja paskan organizatorët e Demonstratave të vitit 1981 e më pas, drejt irridentës. Ata shkruajnë e broçkullisin pa ndërprerë edhe para kamerave, edhe për përgjegjësinë që na paska irridenta për degradimin e asaj gjysëmautonomie që “vetëm emrin nuk e kishte Republikë!”, për fajin historik që bartin ata për degradimin e saj, pavarësisht se shqiptarët kishin mundësi të prosperonin tutje meqë kushtetuta e vitit 1974 na i paskërka hapur ato mundësi, ndërkaq ata ishin garantues (sic!) të atij progresi!

Në këtë linjë mendimi ishte edhe Kaqusha Jashari në emisionin Pressing , në TV 7, më 24 gusht 2021. Ajo tutje, ato ngjarje “i sheh me dyshim”. Sipas saj “Kosova me ‘74-tën i ka pasur të gjitha kompetencat, vetëm nuk e ka pasur emrin Republikë. 81-ta nuk ka pasur arsye të ndodhë…”
Ky grupim iluzionistësh e mashtruesish (vetëmashtruesish) nuk marrin fare në konsideratë premisën se Kosova ishte e pushtuar dhe, rrjedhimisht, mbahej e robëruar, në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar. Kjo klasë iluzionistësh e vetëmashtruesish jo rrallë si epokë pushtimi a robërimi, në diskursin publik cilësojnë vetëm dekadën e apartheidit (1989–1999)! Ata “edhe sot mendojnë se luani nuk do të zgjohej, po të mos ngacmohej”, duke shpërfaqur edhe më qartë mashtrimin logjik që kishin e vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot e kësaj dite.

Parimi mbi të cilin ndërtohet mashtrimi logjik ka të bëjë me pohimin se, përderisa ngjarja Y pasoi ngjarjen X, ngjarja Y mund të jetë shkaktuar nga ngjarja X.

Mashtrimi logjik, siç shihet, është produkt i konkluzioneve të bazuara në rrjedhën e ngjarjeve, pa marrë parasysh faktorët që mund të kenë çuar te kjo lidhje.

23 marsi i 1989-ës dhe suprimimi i autonomisë, qoftë edhe formale, nuk është rezultat i organizimit të demonstratave të 1981-it nga ana e irridentës, me ç’rast kërkesa qendrore ishte qëllim për avancimin e statusit të autonomisë në Republikës (realizimi i vetëvendosjes së brendshme), por meqë revolucioni antikolonial nuk ishte mbështetur nga autonomistët, klasa politike legale, e meqë ai kishte rrëshqitur nga binarët e tij, ishte mjaftuar me betejat, respektivisht pozicionimin për mbrojtjen e autonomisë! Në këtë betejë, siç dihet tashmë, qenë manipuluar edhe minatorët e Trepçës, që patën shprehur përkushtimin për vetëflijim në mbrojtje të Kosovës. Ndërkaq, demonstratat gjithëpopullore të marsit 1989, në vend që me kërkesa e tyre politike ta çonin revolucionin antikolonial të 1981-it një hap para, me ikonografinë jugosllave (flamuj jugosllavë e foto të satrapit Tito në ballë), e kthyen atë dy hapa mbrapa!

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Në Angli, në Francë e kudo, rezultatet e revolucioneve dhe të përplasjeve shoqërore të shek. 18-të e 19-të dhe të Luftës Civile në SHBA ishin të natyrës politike. Të tilla rezultojnë të jenë edhe rezultatet e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, pavarësisht ngritjet e zbritjet, humbjet e fitoret gjatë gjithë betejave politike që pasuan për dy dekada radhas, meqë mbi atë bazament u ngrit UÇK-ja. Ndërkaq, do të jetë lufta e UÇK-së, ajo që do të imponojë rirreshtimin gjeopolitik të shoqërive shqiptare dhe fundin e eksperimenteve të mundshme me të ashtuquajtura “Republika autonome” të tipit rus.

Demonstratat e viti 1981 dhe ngjarjet që pasuan, thekson Arbën Xhaferi në esenë e tij me titull “15 vjetori i demonstratave të Kosovës”, të publikuar më 31.03.1996, nxorën në shesh të drejtat e rrejshme, ligjet e pavlefshme, autonominë formale.

Përfaqësuesit shqiptarë nuk kishin pushtet real, por ishin transmision, pushtues i pushtetit të qarqeve të hirta, që me ideologji komuniste i impononin interesin e tyre të zhveshur nacional. Shqiptarët nuk kishin autonomi, por atë e kishte oligarkia politike; shqiptarët nuk i mbronin ligjet, por ata i fshikullonin me të marrë urdhrin politik.

“Këtë gënjeshtër, këtë hipokrizi, këtë represion latent, këtë pushtet formal e nxorën në pah të analizës, — përfundon A. Xhaferi, — demonstratat e vitit 1981”.

Ajo strukturë e partisë-shtet që mbikëqyrte autonominë dhe çdo sferë të jetës në Kosovë (LKJ e UDB), ia kishte arritur ta krijonte një klasë zyrtarësh dhe intelektualësh oportunë (e kjo shtresë ishte etabluar jo vetëm në majën e piramidës pushtetore pa pushtet real, siç ishte Kryesia e LKJ-së për Kosovë, në krye të së cilës një mandat ishte edhe Kaqusha Jashari etj.), që i shërbenin aparatit kolonial si maskë e mirë për të fshehur realitetin dhe pozitën koloniale të Kosovës, sidomos gjatë periudhës 1974–1981, kur statusi autonom i Kosovës përgjithësisht kishte shënuar progres të prekshëm.

Sidoqoftë, siç vëren publicisti ynë Qani Mehmedi, edhe brenda sistemit, gjatë kohës, po sidomos në vitet ‘70-të ishin strukturuar dy rryma politike: e para, që mund të cilësohet me plot gojën autonomiste (në kuptimin pozitiv), me pretendime të qarta për ruajtjen e prosperimin e interesave nacionalë, në përpjekje permanente për të prosperuar statusin e Krahinës dhe të shqiptarëve në ish-Federatën Jugosllave; dhe e dyta, që hapur ishte vënë në shërbim të politikave koloniale të Beogradit, e që gradualisht do ta marrë drejtimin e Krahinës pas demonstratave të 1981-it deri në mars të vitit 1989, kur do të suprimohet statusi i saj, që “ia garantonte” kushtetuta e 1974-ës.
Tashti është çështje e ndërgjegjes jo vetëm të Kaqushës, që të deklarohen se në cilin grupim bënte pjesë ajo. Megjithëse, nën rreshta nënkuptohej se ajo ishte distancuar disi nga grupimi i dytë, ndërkaq duke hedhur fije dyshimi për rolin poztiv e historik të demonstratave të vitit 1981, sikur rrëshqet pavetëdijshëm në terrenin e grupit të parë, që edhe sot figurën e diktatorit e xhelatit Tito, vazhdojnë ta cilësojnë si pozitive! Duke i gjykuar dhe vrarë dje të rinjtë që organizoheshin e vepronin në dobi të realizimit të Kosovës Republikë (Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Bajram Bahtirin, Afrim Zhitin, Fahri Fazliun…), kjo shtresë, de fakto e vononin procesin historik dhe i bënin shërbim të madhë Serbisë. Lexojeni intervisëtn e Osman Zhitisë, babai i Heroit të Kosovës, Afrim Zhitisë, njërit nga ideologët e LPRK-së, dhënë të përditshmes „Epoka e re“ (28 korrik 2009), dhe do të trishtoheni me sjelljen e kësaj nomenklature edhe në çastet kur ia jipnin kufomën e të birit këtij burri të Kosovës.
Kjo klasë politike dhe turma që i ndiqte pas, nuk i doli në mbrojtje rinisë revolucionare, duke insistuar për mbrojtjen e kërkesës së ligjshme për Republikë, siç do të bëjë nomenklatura sllove në prag të shkërmoçjes së Jugosllavisë, duke u unisuar me inicuesit e lëçvizjeve historike. Përkundrazi, fatkeqësisht, në masë mbajti pozicione konformiste e kolaboracioniste.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Në rrafshin politik, secila analizë e mirëfilltë, duke pasur parasysh teoritë politike moderne të analizës, këtë lagje ish lojalistësh të pushtetit jugosllav, do ta shpërfaqte si grupim tejet devijant politik, rrjedhimisht edhe tejet të dëmshëm për rrjedhat politike në Kosovën e viteve 1981–1999. Ata edhe sot na rezultojnë shumë të ngarkuar ideologjikisht, si titistë fanatikë, ndërkaq, në përcaktimin e tyre politik prej kuislingësh, atyre mund t’ua kalonte vetëm Sinan Hasani dhe Ali Shukriu.

Mungesa e guximit politik të intelegjencies për t‘i emruar fenomenet me nocionin përkatës, madje edhe sot e kësaj dite, e për t‘i e vënë PIKAT mbi I, nuk e rehabiliton as mashtrimin logjik si akt, e as promovuesit e tij. Ndërkaq keqpërdorimi i hapësirës publike, nuk do të thotë se e mbyllë një herë e mirë kapitullin e rishikimit të historisë politike moderne të Kosovës. Brezat e studjuesve të rinjë që po hynë në skenë, jam i bindur se, do të përballen me fenomenin e mashtrimit logjik dhe do ta mbushin këtë zbraztësi të madhe që kemi në këtë sferë të studimeve.

©RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *