Mashtrimi i parë i Milena Derajt në fushatën e Erjon Veliajt
Policia njoftoi arrestimin e një 30-vjeçareje nga Vlora, të quajtur Milena Deraj. Ajo i kishte marrë mbi 340 mijë euro familjes Verracaku nga Velipoja, me premtimin se do t’u zgjidhte një çështje gjyqësore për vrasje. Por kur kishin nuhatur mashtrimin, shkodranët e kanë kërcënuar dhe Deraj preferoi qelinë e burgut nga frika se i rrezikohej jeta.
Kur ka marrë vesh ngjarjen, një shoqe e Milena Derajt është paraqitur në polici me denoncimin se 30-vjeçarja e kishte mashtruar duke i marrë 230 mijë euro, me premtimin, se këto para, do t’i investonte në bono thesari. Lajmi ka bërë xhiron e mediave, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar foto të Milena Derajt me ish ambasadorin amerikan Xhon Uidhers, nga një seancë parlamentare etj.
Nuk është hera e parë që emri i Milena Derajt përmendet në media. Shumë vite më parë, ajo u bë e njohur për një mashtrim tjetër, më të vockël por njësoj të djallëzuar, kur bashkë me Erion Veliaj inskenuan një dialog fals në fushatën për mandatin e parë për Bashkinë e Tiranës.
Në një takim me të rinjtë që transmetohej live në media, Milena Deraj prezantohet dhe shprehet e interesuar për të nisur punë në Bashkinë e Tiranës. Veliaj e pyet nëse kishte mbaruar me notat 10, e më pas e i premton punë në bashki.
Në fakt, gazetarët zbuluan se Deraj nuk ishte një e panjohur për kandidatin e Partisë Socialiste, por si pjesë e FRESSH, ajo ishte e angazhuar në stafin e fushatës së kandidatit socialist. E gjithë skena ishte një falsitet për konsum në media. Ky duket se ishte mashtrimi i parë, pa zarar i Derajt që me kalimin e viteve e ka rritur pazarin derisa përfundoi në prangat e policisë.
Ky është rasti i dytë që bashkëpuntoret e Erjon Veliajt bien në prangat e policisë për mashtrim. Pak kohë më parë u arrestua Viola Sterjo, një ish punonjëse e bashkisë që kishte marrë shuma të mëdha parash qytetarëve me premtimin se do të përfitonin grante nga AZHBR.
Edhe Viola Sterjo i reklamonte njohjet e saj në Partinë Socialiste në rrjetet sociale për të bindur viktimat e saj për t’i dhënë paratë.
Edhe pas arrestimit të saj, në media qarkulloi një foto së bashku me Erjon Veliajn. “Me Violën e mirë” është diçitura me të cilën kryebashkiaku i Tiranës e shoqëron selfien, ku të dy shfaqen duke qeshur. Foto poshtë:
Ky është rasti i dytë që bashkëpuntoret e Erjon Veliajt rezultojnë të jenë mashtruese, një cilësi për të cilën kryebashkiaku është akuzuar se ka arritur rekorde. Janë të paharrueshme fotot e retushuara që Veliaj ka publikuar në rrjetet sociale, kur dielli lind nga Veriu, apo kur zhduken kullat pas Sahatit të Tiranës.
Emblematike janë gënjeshtrat për zero ndërtime në Tiranë, furnizim me ujë për 24 orë në ditë etj. Modeli i falsitetit dhe i gënjeshtrës që ka funksionuar për Veliajn, duket se ka joshur bashkëpuntoret e tij, që pastaj përfundojnë në pranga./Lapsi.al
Rruga Press