Mashtrim i rëndomtë/ Veliaj “përuron” si investim të tij shkollën e rindërtuar nga Katari
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reklamoi në rrjetet sociale punimet që po kryen për rindërtimin e shkollës “Lasgush Poradeci” në Kombinat, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Paraqitjen në median sociale, Veliaj e shoqëroi me tekstin: “Lasgush Poradeci” në Kombinat – Shkolla më e bukur në Republikë! Çdo shkollë të re që po bëjmë në Tiranë, është më e mirë se shkollat që sapo kemi përuruar”.
Në fakt, godina është shumë e bukur, të paktën krahasuar me ndërtesën gati 50-vjeçare që ishte para tërmetit.
Por, rindërtimi i saj nuk është as meritë e Veliajt dhe, për më tepër, as investim i Bashkisë që ai drejton, kryesisht nëpërmjet propagandës në rrjete sociale.
Shkolla “Lasgush Poradeci” ishte një prej tre godinave të arsimit parauniversitar, i cili u caktua të rindërtohej nëpërmjet një Granti të ofruar nga Fondi i Katarit për Rindërtim dhe Zhvillim.
Projekti me vlerë 5 milionë dollarë përfshinte edhe rindërtimin e shkollës “15 Shtatori” në fshatin Pezë dhe kopshtit nr.42 në Tiranë.
Marrëveshja për Grantin është miratuar në datën 12 Shtator 2020, me përfaqësues nga pala shqiptare Ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe për palën e Katarit, Drejtori i Fondit, Khalifa Jassim Al Kuwari.
Sipas marrëveshjes, Fondi i Katarit, i cili në tekst është emërtuar si “Pala e Parë”, do të ishte përgjegjës për të gjithë procedurat tenderuese dhe konsulencën e rindërtimit të godinave të reja.
Në nenin 6 të Marrëveshjes së Grantit, përcaktohet specifikisht:
“6.1.2 Pala e Parë do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e procedurave të tenderit që përfshin hapjen e ofertave teknike dhe financiare të zyrave të këshillimit dhe kontraktuesve, rishikimin, vlerësimin dhe dhënien e tyre;
6.1.3 Pala e Parë do të jetë përgjegjëse për miratimin dhe nënshkrimin e konfirmimeve me shkrim për dhënien e kontratës dhe të gjitha vërtetimet e pagesave për tenderuesit e suksesshëm dhe ofruesit e shërbimeve;
6.1.4 Pala e Parë ka të drejtë të caktojë një konsulent teknik (Inxhinieri) për të menaxhuar punimet e kërkuara dhe për të përgatitur raporte teknike dhe financiare për miratim nga Pala e Parë;
6.1.5 Pala e Parë mund të emërojë konsulentë inxhinierikë, konsulentë financiarë dhe ligjorë, siç e çmon të nevojshme;
6.1.6 Çështjet e përgjithshme për të garantuar progresin e duhur të të gjitha punëve në lidhje me projektin dhe për të verifikuar që detyrat dhe detyrimet e Palëve janë përmbushur siç duhet dhe në mënyrë të duhur;
6.1.7 Pala e Parë do të jetë kompetente për të gjitha çështjet dhe masat në lidhje me Projektin dhe menaxhimin e tij dhe monitorimin e shfrytëzimit dhe ekzekutimit të Projektit; /BoldNews.al/
Rruga Press