Masakra me 30 mijë të vrarë, opozitarët iranianë zhvendosin në Durrës gjykatën suedeze
Trupa gjyqësore e gjykatës së Stokholmit, në Suedi, e përbërë nga 6 gjyqtarë, dy prokurorë, avokatë të palës paditëse, përkthyes dhe avokatë të palës mbrojtëse kanë mbërritur në Gjykatën e Durrësit, pasi aty po zhvillohet procesi gjyqësor kundër një ish-zyrtari iranian, i akuzuar për krime kundër njerëzimit.
Kjo trupë gjyqësore po merr dëshmitë e 7 anëtarëve të MEK, që ndodhen në Manzë të Durrësit, për shkak se ata nuk mund të lëvizin jashtë Shqipërisë.
Hamid Noury, i cili po gjykohet në Suedi, ku edhe u arrestua 2 vite më parë, akuzohet se në vitin 1988, në pozicionin e zv/prokurorit të një burgu, ishte pjesë e trupës gjyqësore, përgjegjëse për vrasjen e 30.000 të burgosurve politikë në Iran.
Viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive të fshehta dhe pjesa më e madhe ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.
Për shkak se në Manëz të Durrësit jetojnë afro3 mijë anëtarë të MEK, seancat gjyqësore për marrjen në pyetje të dëshmitarëve po zhvillohen në Gjykatën e Durrësit.
Rruga Press