KryesoreLajme

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në sektorin ushqimor

Sot u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit të Republikës së Kroacisë. Marrëveshjen e nënshkruan Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, dhe Sekretari i Shtetit i Kroacisë, Tugomir Majdak, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.

Sipas njoftimit të të AUV-it, pas nënshkrimit, Hoxha theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një hap konkret drejt integrimit të mëtejshëm evropian të Kosovës në fushën e standardeve ushqimore dhe shëndetit veterinar. Ndërsa Sekretari Majdak shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë dhe afatgjatë ndërmjet dy vendeve.

Lexo më shumë  Shpërthime të fuqishme trondisin Iranin

“Tugomir Majdak konsiderohet një mik i madh i Kosovës dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht duke mbështetur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në integrimin e saj në organizmat ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja do të shërbejë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të politikave dhe iniciativave të përbashkëta, me qëllim përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në të dy vendet.

“Qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje përfshijnë vendosjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve përkatëse në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, realizimin e prioriteteve të përbashkëta përmes shkëmbimit të përvojave, njohurive dhe ekspertizës teknike,, organizimin e vizitave studimore dhe trajnimeve për zyrtarë dhe profesionistë të fushës, bashkëpunimin në fushën e kërkimeve shkencore për përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe shëndetit të kafshëve si dhe angazhimin për të siguruar fonde të përbashkëta dhe individuale për realizimin e projekteve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët e SPAK/ Këlliçi: Alarm! Rama po vepron me metoda mafioze

Format e bashkëpunimit do të përfshijnë zhvillimin e projekteve në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, bashkëpunim teknik ndërmjet laboratorëve veterinarë, shkëmbim informacioni mbi procedurat e importit dhe qasjen në treg, si dhe pjesëmarrje të përbashkët në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë IPA-në.

Në takim morën pjesë gjithashtu Irena Georgievski, Udhëheqëse e Politikave Bujqësore, BE-së dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, si dhe Petra Badovinac, Udhëheqëse për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Rruga Press

YouTube player