Lajme

Marrëveshja që nuk është marrëveshje

BE-ja vazhdon të bëjë eksperimente në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të testojë formula të ndryshme, të zbulojë struktura gjuhësore dhe akrobacione ligjore. Kjo ndodhi edhe në takimin e Ohrit. Tash BE-ja po teston se si një “dakordim” mundet përmes një “deklarate të përfaqësuesit të Lartë të BE-së” të shndërrohet në “Marrëveshje” dhe të bëhet “ligjërisht obliguese”. Krejt këto akrobacione për ta bërë normale mosnjohjen e Kosovës nga Serbia

Shkruan Augustin Palokaj

Ajo që u arrit të shtunën në Ohër në takimin e dialogut në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, me “lehtësimin” e Bashkimit Evropian, mund të përshkruhet më së miri me fjalinë “më mirë pak sesa asgjë”.

Palët, pasi ishin pajtuar në takimin e 27 shkurtit se “nuk ka më nevojë të diskutohet për propozimin e BE-së”, tash ishin pajtuar për një “aneks të implementimit” të marrëveshjes. Kjo ishte minimumi i domosdoshëm që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë në pozitë që të dështojnë të gjitha përpjekjet e tyre, por maksimumi që për ta ishte e mundur në rrethanat ekzistuese. E ato rrethana ekzistuese janë pajtim i tyre se duhet akomoduar qëndrimet e Serbisë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu dhe qëndrimin e Vuçiqit se “nuk do të nënshkruajë asgjë“.

Sikur që ka ndodhur prej nisjes së dialogut, para 12 vjetësh, edhe kësaj radhe BE-ja u shqua më së shumti për kreativitet gjuhësor përmes të cilit tenton të mbulojë pafuqinë politike për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje. Kështu, BE-ja vazhdon të bëjë eksperimente në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të testojë formula të ndryshme, të zbulojë struktura gjuhësore dhe akrobacione ligjore. Kjo ndodhi edhe në takimin e Ohrit. Tash BE-ja po teston se si një “dakordim“ mundet përmes një “deklarate të përfaqësuesit të Lartë të BE-së“ të shndërrohet në “Marrëveshje” dhe të bëhet “ligjërisht obliguese”. Krejt këto akrobacione për ta bërë normale mosnjohjen e Kosovës nga Serbia.

Edhe “pajtimi“ i Ohrit është një vazhdimësi e zvogëlimit të ambicieve të BE-së në dialog dhe shtyrje për një kohë më të largët të qëllimit për normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kur Miroslav Lajçak u emërua si i dërguar i Posaçëm për dialog, u tha se ai ka për detyrë të ndërmjetësojë dialogun për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Madje ai vetë thoshte se arritja e një marrëveshjeje të tillë është “çështje muajsh e jo vitesh”. Tash tre vjet më vonë, arritja e një marrëveshjeje të tillë duket çështje dekadash e jo vitesh, e lëre më muajsh.

Lexo më shumë  Hoti pas themelimit të Komisionit për të zhdukurit: Kërkesat tona të qarta

BE-ja së pari hoqi dorë nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe propozoi një “marrëveshje bazë“. Pastaj ajo “marrëveshje bazë“ u reduktua në “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Dhe mbeti deri tash e paqartë se cili ishte statusi formal i asaj “marrëveshjeje“. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte ofruar të nënshkruhet. Kjo BE-së i ishte dukur logjike, sepse marrëveshjet zakonisht edhe nënshkruhen. Por pasi presidenti i Serbisë, Vuçiqi refuzoi të nënshkruante, BE-ja pati mirëkuptim edhe për këtë qëndrim. Vuçiqi nuk tha as se ai e ka pranuar marrëveshjen. As se e ka miratuar. Dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, doli me deklaratën duke thënë se “palët janë pajtuar se nuk ka më nevojë të diskutohet për këtë marrëveshje“. Pas kësaj ajo u botua nga BE-ja për të hequr mundësinë e keqinterpretimeve dhe për ta pamundësuar ndryshimin. Por edhe pas kësaj, në BE insistuan se marrëveshja duhet të nënshkruhet. Dhe fakti se më 27 shkurt nuk ishte planifikuar të nënshkruhej e arsyetuan me mungesën e marrëveshjes mes palëve për planin e zbatimit. Sepse, insistonin në BE, “marrëveshja dhe plani i zbatimit janë pjesë të pandashme” dhe si pasojë duhet të nënshkruhen së bashku. Dhe pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq, u tha se ai nuk do të nënshkruajë asgjë, as tash e as më vonë, as Marrëveshje e as Aneks, ndërmjetësit u dorëzuan dhe hoqën dorë edhe nga kjo ambicie.

Kështu, në fund nga e gjithë kjo përpjekje në nivelin më të lartë, prej Brukselit në Washington, e deri te Berlini, Roma e Parisi, doli një deklaratë politike, me një aneks dhe marrëveshje që nuk kanë status juridik. Dy dokumente të cilat nuk janë në përputhje me paralajmërimet e BE-së se do të kenë “qartësi të plotë dhe afate të qarta kohore”.

Lexo më shumë  109 të ndaluar nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren

Dhe ajo mendohet të bëhet obliguese përmes përfshirjes së tyre si kushtëzim në procesin e integrimeve në BE. Kjo është e panevojshme, sepse këto kushtëzime tashmë ekzistojnë edhe në vendimet ekzistuese të BE-së. Së pari bashkëpunimi rajonal është kusht për të gjitha vendet e rajonit në procesin e integrimeve në BE. Së dyti në kornizën negociuese të BE-së për Serbinë edhe deri tash ka ekzistuar kushti i normalizimit të raporteve me Kosovën. Edhe deri tash, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm kanë raportuar se sa po e përmbush Serbia këtë kusht. Dhe gjithmonë kanë raportuar pozitivisht duke konfirmuar se Serbia ka qenë konstruktive. Asgjë nuk do të ndryshojë.

Fati i asaj që është arritur në Ohër do të varet nga vullneti i mirë i palëve, nga guximi politik dhe nga vullneti i BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë që në nivelin më të lartë ta mbajnë interesimin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të ndodhë që marrëveshja e panënshkruar, marrëveshja që nuk është marrëveshje, të zbatohet me sukses edhe më të madh sesa ato që janë nënshkruar. Ka raste kur bashkëjetesat e çifteve, partneritetet janë më të suksesshme sesa martesat e nënshkruara. Krejt varet nga vullneti. Kosova nuk ka humbur asgjë me këtë që nuk e kishte humbur më herët. Sa ka fituar, do të shihet shumë shpejt. Dhe kjo para se gjithash do të varet se si do të veprojnë BE-ja, NATO, Këshilli i Evropës, Interpoli dhe UNESCO. Nëse Kosova nuk nis procedurën formale të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, nëse nuk ecën drejt përfshirjes në Partneritetin për Paqe të NATO-s, nëse nuk i jepet nga Këshilli i BE-së Komisionit Evropian mandati për ta përgatitur opinionin për statusin e kandidatit për Kosovën, atëherë efekti i kësaj “marrëveshjeje“ për Kosovën do të jetë i pamjaftueshëm për të mos thënë zero. Ndërsa të gjitha përshëndetjet dhe urimet që kanë ardhur nga Washigntoni, Berlini, Parisi e Brukseli do të mbeten vetëm si deklarata hipokrite. /koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *