KryesoreOpinion/Aktualitet

Marrëveshja e Ohrit dhe boshti i thyer i BE-së

Marrëveshja e akorduar e Ohrit është produkt i konfrontimit mes Prishtinës dhe Beogradit që po vazhdon. Ajo është po aq edhe shprehje e një imazhi të ri për Republikën e Kosovës.

Shkruan Dr. Sadri RAMABAJA

Pa u lexuar teksti i marrëveshjes mirë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, konfrontimi vazhdoi. Të dy vendet pretendohej se kishin rënë dakord vetëm për të vazhduar beteja për formulimin e marrëveshjes, respektivisht formulës që për synim do t’i jipte fund rivalitetit shekullor mes dy kombeve. Kosova dhe Serbia, respektivisht shqiptarët dhe serbët duhet të pranojnë se egzistenca e njërit nuk do të thotë shurja e tjetrit, dallimet e tyre në përceptimin e procesit të Republikës së Kosovës si entitet I ri politik mbetet çështje e qytetarëve të saj.

Por konsensusi i 18 marsit duket se nuk ishte i mjaftueshëm. Rrjedhimisht përveç dialogut mbetet në jetë edhe rivaliteti mes dy shteteve – Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Lufta në Ukrainë riktheu gjeopolitikën në formatin e plotë të saj edhe në Ballkanin Perendimor. Në këtë rikthim sistemi i sigurisë së Europës është trandur rrënjësisht. Dy shtetet e skajit perendimor të Europës -Finlanda dhe Suedia, të njohura për kultivimin e ndjesisë së neutralitetit ushtarak, dorëzohen. Kërkesa e tyre për aderim në Aleancën Ushtarako-politike të demokracive liberale perendimore – në NATO është në proces të përmbylljes. Ndërkaq Serbia vazhdon tutje të tundet në kërkim të rolit të ri gjeopolitik.

Dalja nga rrethi vicioz

Deklaratat e para të presidentit serb me të arritur nga Ohri në Beograd e bëjnë të qartë se ai nuk respekton as dakordimin e arritur në Ohër që diplomacia perendimore ka dëshirë ta cilësoj si marrëveshje obligative për të dy palët. Ai tallet me të gjitha palët, kur arsyeton faktin se pse nuk ishte i gatshëm ta nënshkruaj marrëveshjen.

Megjithkëtë, reagimet e diplomatve të angazhuar në këtë proces vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të kujdeshme në raport me Beogradin. Ata nuk zënë në gojë më sanksionet e paralajmruara paraprakisht për palën që nuk do të dëshmohej gjenerative në proces dhe nuk do të nënshkruante marrëveshjen.
Gjithçka tregon se dialogu që do të vazhdojë ndërkohë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do ta përshkallëzojnë më tej mosmarrëveshjen. Sepse në fund nuk bëhet fjalë vetëm për vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, por për të ardhmen e dy kombeve dhe pozicionin e tyre në arkitekturën e re të sigurisë së Europës. Por bëhet fjalë gjithashtu për çështjen e lidershipit brenda demokracive të Evropës së epokës së pasluftës në Ukrainë. Dhe këtu është e qartë: Franca dëshiron ta fitojë këtë betejë në përballje me Gjermaninë.

Lufta në Ukrainë duket sikur ka bashkuar aleancën transatlantike. Por për Gjermaninë dhe Francën, të cilat tok pretenduan ta arrijnë këtë marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit duke u bazuar në ish marrëveshjen ndërgjermane të vitit 1972, megjithatë, ajo po thellon përçarjen. Si Berlini edhe Parisi ka vite që po përballeshin në raport me sfidat globale që për bazë kanë objektivat e interesave nacionale. Lufta në Ukrainë dhe mundësia që të bartet konflikti në “Frontin Jugor” – në Ballkanin Perendimor, ku flakët e luftës së re mund të fillonin në veriun e Kosovës, por nuk do të ishte krejt e qartë se a do të përfundonin vetëm me aneksimin e Republikës Srbska (në Bosnjë). Kisha Serbe në Malin e Zi ngjashëm siç pretendon ta ketë Bashkësinë e Serbëve në Kosovë, do të vihet shpejt në lëvizje, në rastin e parë të mundshëm në funksion të gjeopolitikës postmoderne serbe, respektivisht në funksion të daljes reale nga rrethi vicioz, që nënkupton shkëputjen me Rusinë, të cilin akt historik Beogradi e ndërlidhë me krijimin e parakushteve të daljes së Serbisë në Adriatik.

Në këto rrethana Kosova veproi me kujdesin maksimal, duke konsoliduar pozicioninn e vet nga një takim në tjetrin. Ndodhi ajo që e potencon juristi I njohur Mark Veller (Marc Weller), Kosova do t’ia arrijë, “për herë të parë në histori, ta kthente balancën e interesave në sistemin ndërkombëtar që gjithmonë kishte ofruar terren të pabalancuara në favor të Serbisë.” [M.Weller, Koha, 2023]

Si takimi I 27 shkurtit edhe ai I 18 marsit dëshmoi qartë se dueti i përbërë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe nga përfaqësuesi i tij i posaçëm për normalizimin, Miroslav Lajçák, ishin tërësisht në sërbim të poltikave që kishin ndërtuar për vite të tëra, nëse jo që nga epoka e ndërhyrjes së NATO-s, politikat revizioniste në favor të Serbisë.

Lexo më shumë  Të çmendurit nga dashuria për asfaltin

Pajtimi me sjelljen arrogante të presidentit serb, që as në Bruksel e as në Ohër as që denjoi të nënshkruante dokumentet që ia ofruan e për të cilat megjithatë shprehi dakordim, flet në dobi të tezës në fjalë.

Konsolidimi i pozicionit të Kosoëvs në bisedime dhe aplikimi i standardeve europiane në raport me të drejtat e mnoriteteve, gjithnjë duke operuar me terma të referencës që për bazë kanë Konventën Kornizë Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, u arritë që të mënjanohet nga dokumenti bazë (27 shkurt) koncepti bazë serb

‘Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe’. Në vend të kësaj, siç shprehet Weller “i bëhet një referentë e tërthortë për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetadministrimit për bashkësinë serbe në Kosovë dhe kapacitetin për ofrimin e shërbimeve në sfera specifike. “ [Weller, 2023] “Vetmenaxhimi” vije gjithashtu si nusprodukt i nocioneve politike praktike që ka prodhuar konventa në fjalë. Në këtë kontest palës kosovare i mbetet që të sjellë vizionin e saj “për ta përmbushur këtë kërkesë e që nuk e krijon rrafshin e tretë të pushtetit në Kosovë.” [Weller,2023].


Takimi i 18 marsit në Ohër e bëri edhe më të qartë se idetë e Serbisë nuk janë të papajtueshme vetëm me projeksionin e Lirisë nga pala shqiptare, por edhe me vet arkitekturën e sigurisë europiane në ndërtim.

Si teksti i Marrëveshjes për të cilin pati dakordim në takimin e Brukselit në 27 shkurt, edhe ai për Aneksin e kësaj marrëveshje në 18 mars në Ohër, ishin produkt I kompromisit mes Gjermanisë dhe Francës që pati vullnet politik të përvetësohet edhe nga pjesa tjetër e Europës dhe të gëzojë mbështetjen e plotë edhe të SHBA-ve, mund të rezultojë me konkluzionin se konfrontimi i hapur mes përbërsve të boshtit të BE-së për pozicionin e tyre në rrafshin global, tani mund të bartet edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

Neni 7 i marrëveshjes, i cili duket se ka ngjallur debatin më të madhë brenda skenës politike e mediale kosovare, paragrafi i parë i tij taksativisht shprehet:
“Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.”.

Duket qartë se autorët e këtij paragrafi, tek kanë aplikuar nocionin “vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, mbi të gjitha kanë pas parasysh Konventën Kuadër Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Juristët serioz interpretimin e marrëveshjes së Ohrit e zbresin në nivelin real të saj, duke shmangur interpretimet që i referohen Marrëveshjes së Parimeve të nënshkruar mes palëve në vitin 2015, meqë atë Gyjkata Kushtetuese e Republiës e kishte invaliduar tërësisht.

Ndërkaq realizimin e Marrëveshjes së Ohrit diplomacia e BE-së ndërkohë e ka ndërlidhur me procesin e integrimit të Serbisë në BE, duke e bartur atë tek kapitulli i 35-të i negociatave për antarësim.

Në këto rrethana të reja pa nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe me një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të paakorduara nga palët,
konfrontimi vazhdon.

Reflektimi i konfrontimit të boshtit të BE-së

Në këtë konfrontim ndikim të veçantë do të ketë edhe konfrontimi mes akterëve të boshtit të vetë BE-së – pra Francës dhe Gjermanisë për rolin e tyre të ri në kuadër të arkitekturës së re të sigurisë së Europës.

Lufta në Ukrainë e ka hedhur disi Francën në shkalloren e amfiteatrit të saj më shumë si spektator. Ky rol nuk i përlqen fare presidentit francez. Ai mëton të jetë gjithësesi në skenë – aty ku shkruhet historia.

Më 9 shkurt, në pritjen e Volodymyr Zelenskyj në Pallatin Elysee, ai disi demonstroi se kush na qenka në krye në Evropës.

Në procesin ndërmjetësues në dialogun e stërzgjatur mes Kosovës e Serbisë BE-a kishte deleguar dy diplomatë nga dy vende të saj që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë akt ajo e bënte për dy qëllime: e para, që të krijonte ndjesinë tek Beogradi se vazhdonte të ishte tutje në pozicion neutral në raport me statusin politik tashmë të përmbyllur të Kosovës, por me gjasë, më shumë për të zbutur përplasjen e mundshme mes Berlinit dhe Parisit.

Lexo më shumë  Reth14 milionë euro që evidentohen për vetëm brenda 2 javësh si akte keqpërdorimi (korrupsioni) të kryer nga ana e zyrtarëve të BDI-së

Risjellja e propozimit të diplomatit gjerman Volfgang Ishinger të vitit 2007, që ndërlidhej me marrëveshjen ndërgjermane, sikur hapi këtë konfrontim, duke sinjalizuar Francën se Gjermania po përjashton Francën dhe po supozon të marrë drejtimin në një zonë ku Franca tradicionalisht ka qenë përpara.
Ndërkaq në realitet kjo “përplasje” e stisur mund të ndërlidhet shumë më shumë me projektin gjerman për armatimin e Europës.

Siç pohon studjuesi françez Landry Charrier prokurimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Izraeli (Shigjeta 3) dhe Amerika (Patriot), BE-ja, jo vetëm që do t’i jepte përparësi opsionit më të shtrenjtë, por sipas Macron-it, do të humbiste një mundësi unike për të forcuar bazën embrojtjes industriale dhe teknologjike të Francës.[IPG:20.03.2023]

Në këndvështrimin francez, kancelari gjerman po ndjek një strategji që e bën Evropën të varur nga Shtetet e Bashkuara dhe në fund rrezikon aftësinë e BE-së për të vepruar.

Marrëveshjen e Ohrit, të tillë si rezultoi, gjithësesi duhet vështruar edhe në këtë kuadër të përplasjeve brenda vetë boshtit të BE-së.
Qasja e presidentit francez në marrëdhëniet me Gjermaninë vazhdon të interpretohet në mënyrë njëdimensionale, përkatësisht si shprehje e shqetësimit se lufta në Ukrainë mund të çojë në përafrim të thesuar mes SHBA-së dhe Gjermanisë dhe zgjatimit në kohë të pozicionit disi vazal të BE-së në raport me interesat globale të SHBA-ve. Por si Macron-i edhe Scholz-i janë të bindur se lufta në Ukrainë është pjesë e një konflikti hibrid me përmasa globale, ndërkaq pozicionimi i BE-së tani është I ndërlidhur edhe me interesat nacinale të bllokut të ri të shteteve që po antaërsohen në NATO (Finlandë/Suedi) dhe atyre që kufizohen me Federatën Ruse – para së gjithash Polonisë. Nëkëtë kuadër vendet e Ballkanit Perendimor nuk mund të mbesin jashtë kësaj orbitre interesash gjeopolitike.

Realpolitika dhe imazhi i ri për Republikën

Në këtë garë pozicionimesh në kuadër të peizazhit të ri gjeopolitik, Republika e Kosovës, lidershipi i saj e ka të qartë se e ardhmja e Kosovës është e garantuar vetëm në kuadër të bashkëpunimit me partnerë. Dy vitet e fundit Kosova qeveriset nga një qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjeshme për këto raporte mes vetë partnerëve brenda aleancës transatlantike dhe të pranojë se në një botë plot me ambicie për fuqi të mëdha, nuk është më e mundur të etablohet si Republikë e re pa këtë bashkëpunim. Fakti që kryemistri Kurti pranoi marrëveshjen më 27 shkurt në Bruksel, por edhe atë mbi aneksin e saj në Ohër më 18 mars, nuk ka pse të shihet me sy defetist dhe të cilësohet si nënshtrim.

Përkundrazi, është më tepër një shprehje e një imazhi të ri për Republikën e Kosovës në këtë ekuilibrim interesash transatlantike për Ballkanin Perendimor.

Pavarësisht divergjencave të konsiderueshme, marrëveshja e Ohrit dëshmon se midis Kosovës dhe Serbisë do të ketë gjithnjë e më shumë pika konverguese. Këto pika përafrimi pavarësisht se kanë në konsideratë trashëgiminë koloniale të Serbisë ndaj Kosovës, janë të ndërvarura edhe nga raportet mes Beogradit dhe Uashingtonit, të cilat pala shqiptare duhet t’i marrë në konsideratë.

Arkitektura e ardhshme evropiane e sigurisë nuk mund të ndërtohet dhe të jetë e qëndrueshme pa paqen në Ballkan. Ajo do të realizohet në përputhje me interesat e të gjithëve. Përfshirja e Ballkanit Perendimor brenda kësaj arkitekture, megjithatë, nuk do të ndodhë pa pranimin e realitetit të ri politik në Kosovë nga ana e Serbisë. Marrëveshja e Ohrit është vetëm hapi i parë në këtë plan.

Pranimi i Republikës së Kosovës me procedurë të përshpejtuar në NATO, në Këshillin e Europës, në UNESCO, INTERPOL etj, paraqet hapin më të rëndësishëm të kësaj arkitekure të sigurisë europiane. Nëdrkaq pranimi i Kosovës në BE në dekadën pasuese, natyrisht në bllok me Serbinë, do të jetë përmbyllja e këtij kaptulli historik të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe të vet arkitekturës së sigurisë europiane.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *