KryesoreLajme

​Maratona në Kuvend, kalojnë 10 projektligje në lexim të dytë – njëri në seancë urgjente

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes, me praninë e vetëm të deputetëve mazhoritarë, për miratimin me procedurë të përshpejtuar të një sërë projektligjesh në shqyrtim të parë dhe të dytë, njërën prej të cilave u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme.

Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika, por ajo zgjati deri rreth orës 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes për shmangie të afateve të caktuara për hedhjen edhe në shqyrtim të dytë të një sërë projektligjesh për të cilat u tha se janë me rëndësi për votim.

Në lexim të dytë u miratua Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligji për shërbimin e pagesave, dhe Projektligji për provimin e maturës shtetërore.

Lexo më shumë  Qeveria e Kosovës dërgon mbi një milion euro në Luginë, Sinani: Ky financim është një dëshmi e solidaritetit kombëtar

Kryetari Glauk Konjufca në vazhdim propozoi seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës, pas sigurimit të nënshkrimeve të 40 deputetëve nga mazhoranca, për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për gjykatën administrative, e cila mori votat e 62 deputetëve të pranishëm.

Pas seancës urgjente, deputetët vazhduan me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, në të cilën Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për 2022 nuk mori votat e nevojshme, ndërsa u miratua Projektrezoluta tjetër për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për vitin 2023.

Kuvendi kaloi në të dyja leximet edhe Projektligjin për financimin efinancimin e menaxhimit të resurseve ujore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, pas takimeve të komisioneve parlamentare përkatëse.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli vizitojnë ndërmarrjen “Hidroregjioni Jugor”

Deputetët kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksës për investime vjetore prej 0.30 për qind dhe asaj operacionale prej 0,047 për qind për 2025, rregulloren e punës së komisionarit parlamentar për FSK, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike me plotësim-ndryshime, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, si dhe atë për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve sociale, teksa raporti vjetor i ndërmarrjes publike KOSTT për 2023 nuk u miratua në mungesë të kuorumit.

YouTube player