KryesoreLajme

Maqedonci: Vuçiqi po e zvarritë dialogun për ta pritur përfundimin e luftës në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po neglizhon përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Sipas tij ai po e pret rezultatin e luftës në Ukrainë në mënyrë që të vlerësojë situatën e cila do të ishte e favorshme për shtetin e Serbisë.

“Vlerësojmë që presidenti Vuçiq, politika aktuale në Serbi janë duke neglizhuar çështjen e përmbylljes së dialogut, të marrëveshjes me qëllim që të presin rezultatin e luftës në Ukrainë, rezultatin për të marrë anë që ata vlerësojnë që është e mirë për ta”, ka deklaruar Maqedonci, në Samitin e Ballkanit për dezinformim.

Sipas tij gjithë ambienti global i sigurisë ka ndryshuar pas invazionit rus në Ukrainë dhe kjo është manifestuar edhe me incidentet dhe luftimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme, por, edhe me rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë veriun e Kosovës.

“Vlerësoj që lufta në Ukrainë, pra invazioni rus në Ukraninë në një farë forme ka ndikuar edhe në destabilizmin rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementeve të caktuara si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementëve të tjerë që gjenden në rajon për të zhvilluar aktivitete të stabilitetit dhe për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është manifestuar haptazi me 24 shtator të vitit të kaluar kur në grup paramilitarësh i armatosur dhe i uniformuar mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë ka tentuar një kapje tereni, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë”, është shprehur Maqedonci, raporton KP.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Sipas tij kjo nuk është bërë rastësisht. Ai ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë.

“Kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë…Kemi evidencat që këto grupe bazuar në faktet që janë gjetur kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë, kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojmë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër”, është shprehur ai.

Maqedonci ka theksuar se ekziston një plan gjithëpërfshirës i tranzicionit që parasheh krijimin e kapacitetit të mbrojtjes të vendit i cili është duke u ndërtuar që nga viti 2019, i cili do kulmojë në fazën e tretë që do të fillojë nga viti 2025 deri në vitin 2028 ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështetet edhe me elemente tjera të nevojshme ushtarake.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Maqedonci gjithashtu ka theksuar se janë duke punuar në ndërtimin e një qendre trajnuese kombëtare për sigurinë kibernetike e cila do të inaugurohet më 26 mars.

Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë mekanizmat e tyre për t’u përballur në anën e dezinformimit.

“Në këtë aspekt, ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës ka mekanizmat e saj për t’u përballur, gjithçka fillon me një analizë që bëhet në sistemin tonë, më saktësisht në proceset tona të vendimmarrjes gjithmonë faza e parë është analiza që nënkupton që nga ajo analizë të nxjerrim konkludimiet, dhe të ndahen supozimet prej fakteve por edhe të ndahet pjesa e dezinformimit që është një metodë e theksuar kohëve të fundit”, ka deklaruar Maqedonci.

Në këtë samit, përveç tjerash, është diskutuar për dezinformimin, luftën në Ukrainë, Inteligjencën Artificiale (AI), mediat si dhe influencën e Kinës në Lindje të Mesme.

YouTube player