KryesoreLajme

Maqedonci: 29 shtete pjesëmarrëse e 25 mijë ushtarë të angazhuar në “Defender Europe 25”

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar për fillimin e ushtrimit ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Europë dhe Afrikë “Defender Europe 25”.

Sipas njoftimit të Maqedoncit, Kosova për herë të tretë që nga viti 2021 do të jetë nikoqire e këtij ushtrimi ndërkombëtar dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesëmarrëse.

“Këtë të dielë fillon “Defender Europe 2025”, 29 shtete pjesëmarrëse, 25 mijë ushtarë të angazhuar. Kosova është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë” – thuhet në njoftimin e Maqedoncit, më 24.05.2025.

Lexo më shumë  Maqedonci: Jemi të përgatitur për çdo situatë dhe çfarëdo kërcënimi

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ky ushtrim do të zhvillohet nga 26.05.2025 deri më 09.06.2025, andaj do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

FSK përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, bënë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

Kosova ishte nikoqire e ushtrimit ushtarak ndërkombëtar “Defender Europa” edhe në vitin 2024.

Mirëpo, nga ky ushtrim i rëndësishëm ushtarak Kosova ishte përjashtuar në vitin 2023, si masë sanksionuese pas zhvillimeve që kishin ndodhur në veri të Kosovës në maj të viti 2023.

Ushtrimi fushor “Defender Europe” është ushtrim vjetor i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Europë dhe Afrikë.

YouTube player