Manipulimi mediatik dhe etika e munguar e Milazim Krasniqit
Shkruan Gëzim Mekuli
Në një kohë kur gazetaria shqiptare vuan nga një krizë e besueshmërisë, individë të caktuar që duhet të ishin shembull profesionalizmi dhe etike, po veprojnë si propagandistë e manipulues të paskrupullt.
Rasti i «profesorit të gazetarisë», Milazim Krasniqit, i cili po ripërdor një artikull të vjetër prej më shumë se 5 vitesh, duke e paraqitur artikullin si aktual për të ndikuar në opinionin publik, është dëshmi e degradimit të standardeve profesionale në fushën e gazetarisë të Universitetit të Prishitnës.


Manipulimi me artikuj të vjetër
Profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, babai i Kryetarit të PDK-së Memli Krasniqit, i cili mban titullin e profesorit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka marrë një artikull të botuar para pesë vitesh në Insajderi dhe e ka riprezantuar sikur të ishte i botuar sot në një media tjetër, si MekuliPress.
Ky veprim joetik nuk është vetëm joprofesional, por një tentativë e qëllimshme për të deformuar realitetin dhe për të mashtruar opinionin publik.
Manipulimi i këtij lloji është një ndër teknikat klasike të propagandës politike, që synon të krijojë një perceptim të rremë për ngjarjet dhe aktorët politikë. E a i ka hije një profesori të gazetarisë propaganda, manipulimi dhe dezinformimi?
Cënimi i etikës akademike
Të dashur lexues,
Nga një profesor i gazetarisë pritet të jetë edukator i së vërtetës, objektivitetit dhe analizës kritike. Në vend të kësaj, Milazim Krasniqi ka zgjedhur të sillet si një propagandist i rëndomtë, duke përdorur metoda të cilat jo vetëm që janë të pandershme, por janë edhe të rrezikshme për besimin e publikut në media.
Një pedagog që e përdor pozitën e tij për të shpërndarë keqinformim nuk e meriton të jetë në mësimdhënie, e aq më pak të edukojë brezat e rinj të gazetarëve.
Pasojat e një gazetarie të shndërruar në propagandë
Manipulime të tilla, që vinë nga një mësues i gazetarisë, janë arsyeja pse gazetaria në Kosovë dhe në botën shqiptare është e mbushur me shpifje, dezinformim, lajme të rreme dhe teori konspirative. Kur ata që duhet të promovojnë etikën, moralin, humanizmin, objektivitetin dhe saktësinë në media, çohen e bëhen pjesë e propagandës, atëherë nuk është çudi që publiku e humb besimin në lajme dhe media.
Duam kërkesë për përgjegjësi
Në një shoqëri demokratike, njerëz si Milazim Krasniqi duhet të mbahen përgjegjës për manipulimet që bëjnë. Universiteti i Prishtinës dhe forumi akademik duhet të reflektojnë seriozisht mbi praninë e njerëzve që përdorin pozitën dhe dijen e tyre, jo për të ndriçuar mendjet e studentëve, por për të errësuar të vërtetën në shërbim të propagandës partiake.
Konsekuent deri në fund; gazetaria duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, e jo vegël e propagandës.
Dhe ata që e tradhtojnë këtë parim, nuk meritojnë të mbajnë titullin “gazetar” apo “profesor i gazetarisë”. Apo jo, të nderuar lexues?
Rruga Press