Mali i Zi nuk do ta tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb
Mali i Zi nuk do ta tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb, Vlladimir Bozhoviq, kanë njoftuar zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, është thënë se gjitha procedurat në lidhje me dëbimin e Bozhoviqit kanë përfunduar dhe se ai duhet ta lëshojë Malin e Zi më së largu më 1 dhjetor.
Duke komentuar vendimin e Serbisë për të tërhequr vendimin për dëbimin e ambasadorit malazez, Ministria e Jashtme në Podgoricë thotë se ambasadori, Tarzan Millosheviq përfaqëson vendin e tij, duke respektuar Republikën e Serbisë, pa ndërhyrë në punët e saj të brendshme, “ndryshe nga ambasadori serb në Malin e Zi, i cili vazhdimisht ka vënë në dyshim pavarësinë e Malit të Zi me interpretimet e tij të historisë”.
Teksa ka bërë të ditur lajmin për tërheqje të vendimit për dëbim të ambasadorit malazez, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se “raportet e mira me Malin e Zi janë mbi të gjitha më të rëndësishmet për ne“.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia “ka bërë një veprim të mirë” duke shtuar se i takon asaj të tregojë se dëshiron “raporte të mira dhe vëllazërore” me Malin e Zi.
Serbia e shpalli ambasadorin e Malit të Zi, person non grata (të padëshiruar) dhe urdhëroi dëbimin e tij nga vendi më 28 nëntor, pasi të njëjtin veprim e kishte bërë Mali i Zi me ambasadorin serb në Podgoricë.
Kryeministri në ardhje i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq më herët e kritikoi qeverinë në largim për vendimin, vetëm disa ditë para se të votohet nga parlamenti qeveria e re, që ka një orientim pro-serb.
“Akte të tilla nuk janë në frymën e rrugës evropiane dhe bashkëpunimit të mirë rajonal të vendeve mike,” shkroi Krivokapiq në Twitter. Ai tha se regjimi në largim, madje edhe në ditët e tij të fundit, nuk “iu shmang polarizimit të shoqërisë dhe thellimit të ndarjeve”.
Si arsye për shpalljen person non grata dhe dëbimin e ambasadorit serb, ministria e Jashtme e Malit të Zi përmendi “ndërhyrjen e gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi” .
Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me aleatët tradicionalë: Serbinë dhe Rusinë, dhe ata që e shohin Malin e Zi si një shtet të pavarur aleat me Perëndimin.
Mali i Zi dhe Serbia ishin pjesë e një vendi të përbashkët para një referendumi më 2006 që çoi në pavarësimin e Malit të Zi.
Vendi tani do të drejtohet nga një koalicion pro-serb që do të votohet gjatë një seance parlamentare këtë javë, pas humbjes së Partisë Demokratike të Socialistëve pro-Perëndimore në pushtet.
Partia më e fuqishme e koalicionit është Fronti Demokratik (DF), i cili kërkon lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe mbështetet nga Kisha Ortodokse Serbe.
Partnerët e tij, megjithatë, insistojnë që Mali i Zi të mbetet në kursin e tij pro-perëndimor.
Krivokapiq tha se qeveria e re do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet e Malit të Zi me Serbinë.
“Ne do të promovojmë një politikë fqinjësie të mirë me Beogradin, si dhe me të gjithë në rajon, mbi parimin e sovranitetit, pavarësisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera”, shkroi Krivokapiq. Rel