Makinën plot me emigrantë të paligjshëm, arrestohen dy vëllezër në Korçë
Policia e Korçës ka arrestuar dy vëllezër të cilët kishin mbushur makinën plot me emigrantë të paligjshëm.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 33-vjeçarin, u gjetën 13 emigrantë nga vendet e treta, të cilët ky shtetas do t’i transportonte drejt BE-së, kundrejt fitimit. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi E. P. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
Nga hetimet e kryera, rezultoi se vëllai i 33-vjeçarit, shtetasi A. P. shoqëronte me automjetin tip “BMw”, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar shtetasin E. P., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.
“Transportonte me një automjet që e drejtonte i dehur, 13 emigrantë, për të kaluar kufirin ilegalisht, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.
Në pranga edhe vëllai i tij, pasi shoqëronte me një automjet tjetër, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar praninë e Policisë në rrugë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt përfitimeve monetare, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 6”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 33 vjeç dhe A. P., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Laprakë, Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që do të transportonin emigrantë, për të kaluan kufirin ilegalisht, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjeteve tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin E. P. dhe tip “BMË” me drejtues shtetasin A. P”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Rruga Press