“Mafia shqiptare është e nënkontraktuar nga Ndrangheta”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Antimafias Italiane
Maurizio Vallone, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Antimafias Italiane gjatë përurimit të një ekspozite në Genova, me rastin e 30 vjetorit të departamentit të hetimit antimafia tha se “Mafia shqiptare punon për mafien kalabreze Ndrangheta. Mafia shqiptare ka marrë në nënkontraktim nga mafia kalabreze menaxhimin e trafikut të drogës.”
“Për mbi 30 vjet Liguria ka parë praninë e të gjithë mafiozëve. Por hetuesit kanë arritur të përballen me infiltrimin.”
“Genova është një port i cili ka qenë nën mbikëqyrje të rreptë nga hetuesit dhe këtë e dëshmojnë sasitë e mëdha të sekuestruara”, shtoi ai.
“Krimi i organizuar është goditur edhe nëpërmjet sekuestrimeve që lejojnë dëmtimin e organizatave kriminale”, tha Vallone.
“Liguria ka qenë një vend i infiltrimit të të gjithë mafiozëve për 30 vjet. Krimi i organizuar shkon atje ku ka para, një ekonomi të pasur dhe të shëndetshme.”
Në raportin e fundit të Antimafies Italiane, trafiku i drogës mbizotëron në aktivitetin kriminal të rajonit të Ligurias. 60% e operacioneve të kryera gjatë vitit 2021 i përkasin punës së antidrogës territoriale.
Vallone tha se duhet intensifikuar aktiviteti hetimor edhe në zonat e tjera ku konstatohet krimi.
Rruga Press