Macron: 15 ditë vendimtare për garancitë e sigurisë së Ukrainës
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për përcaktimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, pas bisedimeve të nivelit të lartë për paqen të zhvilluara të hënën.
Sipas Rruga Press, Macron e bëri këtë deklaratë në një intervistë për televizionin francez LCI, e cituar nga Politico.
“Ka gjithë një punë që duhet bërë paraprakisht për garancitë e sigurisë. 15 ditët e ardhshme janë absolutisht kritike për ne që të finalizojmë punën me amerikanët dhe t’i japim substancë këtyre garancive,” tha Macron.
Ai shtoi se “britanikët, francezët, gjermanët, turqit dhe të tjerë janë gati të ndërmarrin operacione – jo në vijën e frontit, jo provokative – por operacione sigurie në ajër, në det dhe në tokë.”
Paralajmërimi i Macron: Rusia, “një forcë destabilizuese”
Macron paralajmëroi kundër iluzioneve për një fitore të shpejtë ose për besimin e verbër në fjalët e Kremlinit, duke e përshkruar Rusinë si një “forcë destabilizuese” dhe një “grabitqar, një ogur në pragun tonë”.
Ndërkohë që Donald Trump po shtyn për një takim bilateral mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, si edhe një takim trepalësh ku ai vetë do të merrte pjesë, Macron sugjeroi Gjenevën si vend neutral për bisedimet, duke theksuar traditën e saj si nikoqire negociatash ndërkombëtare.
Sipas tij, gatishmëria – ose refuzimi – i Putin për të marrë pjesë në një takim trepalësh do të ndihmonte “të qartësojë paqartësitë” dhe të tregojë nëse lideri rus është vërtet serioz për paqe.
BE dhe SHBA në punë për garancitë
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Arianna Podesta, tha të martën se formati përfundimtar i garancive të sigurisë për Ukrainën nuk është përcaktuar ende, por ekipet teknike amerikane dhe europiane do të vijojnë punën në ditët dhe javët e ardhshme.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Kievi tashmë po punon për përmbajtjen konkrete të garancive, pas bisedimeve në Uashington me presidentin amerikan dhe liderët europianë.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë
Të hënën, Shtëpia e Bardhë priti fillimisht një takim bilateral mes presidentëve të Ukrainës dhe SHBA-së, i ndjekur më pas nga bisedime të zgjeruara me liderë europianë, përfshirë presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
Rruga Press

