KryesoreLajme

LVV në Prizren: Hetimet për ndërtimin e paligjshëm në pronësi të vëllait të shefit të kabinetit të Totajt, dëshmi e keqpërdorimeve në komunë

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Prizren, ka reaguar sot lidhur me hetimet që kanë nisur ndaj shkeljeve ligjore dhe keqpërdorimeve në sektorin e ndërtimit në Komunën e Prizrenit. Në fokus të hetimeve është një objekt ndërtimi në pronësi të vëllait të Nehat Elshanit, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, z. Shaqir Totaj.

VV njofton se këshilltarët e saj komunalë kanë dorëzuar më herët kallëzime penale për këtë rast, të cilat janë bazuar edhe në investigimet e publikuara në emisionin “Betimi për Drejtësi”. Fillimi i hetimeve nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, sipas VV-së, është dëshmi e seriozitetit të veprimit të tyre institucional në luftën kundër korrupsionit.

Lexo më shumë  Pasi e falimentoi, Rama merr përsipër borxhet e Air Albania/ Mediat e huaja: Ja shuma marramendëse

“Presioni që ushtrohet ndaj zyrtarëve të urbanizmit nga kryetari Totaj dhe shefi i tij i kabinetit është shqetësues. Kjo bëhet me qëllim që të merren vendime të kundërligjshme që favorizojnë familjarë dhe të afërm të tyre”, thuhet në reagimin e VV-së.

Lëvizja kërkon nga organet e hetuesisë që hetimet të mos mbesin vetëm në rastin e një objekti, por të zgjerojnë fokusin edhe ndaj veprimeve të dyshuara të vetë z. Totaj dhe z. Elshani, për veprat e mundshme penale si ushtrim ndikimi dhe presion ndaj zyrtarëve publikë.

“Rastet e zbuluara nga emisioni investigativ janë vetëm maja e ajsbergut. Ndërtimi i paligjshëm në qytetin tonë po kthehet në një sistem të institucionalizuar keqpërdorimi, ku ligji injorohet dhe interesi publik dëmtohet rëndë”, thuhet më tej në deklaratë.

Lexo më shumë  SHBA-ja godet hakerat iranianë

VV shpreh shqetësimin për degradimin urban që po i ndodh Prizrenit, duke e akuzuar qeverisjen aktuale të drejtuar nga PDK për braktisje të premtimeve elektorale, thellim të nepotizmit dhe përdorim politik të institucioneve.

“Vetëm një hetim i gjithanshëm dhe i pavarur, ku askush nuk qëndron mbi ligjin, mund të ndalë shndërrimin e Prizrenit në një xhungël urbanistike dhe të rikthejë besimin në drejtësi”, përfundon reagimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Rruga Press

YouTube player