Luftëtarët gjeorgjianë që shkuan në Ukrainë për hakmarrje ndaj Rusisë
Teksa një aeroplan ushtarak rus fluturoi mbi Gjeorgji, David Ratiani shikoi lart duke shtrënguar grushtin me aq zemërim, saqë thonjtë iu ngulën në mish.
“’Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e pafuqisë që më kaploi në atë moment’”, kujton Ya Shashviashvili t’i ketë thënë bashkëshorti i saj, në një nga rastet e rralla që ai ka treguar për përvojën e tij gjatë luftës së shkurtër e shkatërrimtare të Gjeorgjisë me Rusinë, në vitin 2008.
Lufta, e nisur në rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë, vrau më shumë se 200 ushtarë dhe 300 civilë, si dhe zhvendosi mijëra të tjerë, ndërsa i la të dy territoret në një gjendje konflikti të ngrirë. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, përvjetori i së cilës u shënua në Gjeorgji edhe më 7 gusht, edhe më 8 gusht, Rusia ka ende trupa të vendosura në Osetinë e Jugut dhe në Abkhazi.
Për shumë njerëz në Gjeorgji, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ngjall kujtime të luftës së vendit të tyre me fqinjin e fuqishëm, që dikur i sundonte. Shumë gjeorgjianë, që luftuan më 2008, kanë shkuar në Ukrainë, për t’i rrokur armët në mbështetje të forcave të Kievit. Shumë prej tyre e paguan me jetë.
Qindra gjeorgjianë besohet se po luftojnë në Ukrainë, kryesisht si pjesë e Legjionit Gjeorgjian, një njësit luftëtarësh që u formua në vitin 2014, pasi Rusia filloi të nxiste trazira në rajonin industrial lindor ukrainas të Donbasit, pak pasi Kremlini aneksoi ilegalisht Krimenë. Legjioni, i cili thuhet se numëron ndërmjet 800 deri në 1.000 luftëtarë – gjysma e të cilëve janë gjeorgjianë, ndërsa gjysma tjetër pjesëtarë të kombësive të tjera – është integruar në forcat e armatosura të Ukrainës.
“Ishte një betejë e papërfunduar dhe ai donte ta përfundonte atë”
Ratiani, apo Dato, pseudonimi të cilin ai e përdorte, nuk kishte dilema nëse duhej të luftonte apo jo për Ukrainën kundër të njëjtit armik.
“Kjo është arsyeja pse ai shkoi në Ukrainë”, rrëfen bashkëshortja e tij, Shashviashvili, duke folur për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë.
“Ishte një betejë e papërfunduar dhe ai donte ta përfundonte atë. Kjo ndjenjë, kjo dhimbje disfate, ishte rrënjosur thellë në mendjen e tij. Ai shpresonte se kishte ardhur koha për fitore dhe për hakmarrje, dhe u largua në rastin e parë”.
Më 2008, Ratiani, i cili ishte pjesëtar i ushtrisë gjeorgjiane, mori urdhër të luftonte, sapo shpërtheu armiqësia me rusët, thotë Shashviashvili.
“Kur u dha lajmi në televizion se kishin filluar operacionet ushtarake, ai përgatiti valixhet menjëherë. Edhe tash e shoh ende para syve të mi, duke shkuar nga dhoma në dhomë, duke vrapuar drejt banjës, duke hedhur gjëra në një çantë, e më pas duke dalë nga shtëpia”, kujton ajo.
Asokohe, Ratiani po linte pas jo vetëm bashkëshorten, por edhe të birin njëvjeçar, si dhe nënën e tij, që jetonte me ta.
“Ne ishim duke qëndruar jashtë shtëpisë, në oborr, unë dhe vjehrra ime, duke mbajtur foshnjën, me fytyra të trishtuara – po i shikonim këta djem që po niseshin dhe po mendonim se çfarë të bënim”, kujton Shashviashvili, duke shtuar se në atë kohë sapo kishte marrë vesh se ishte shtatzënë me një fëmijë tjetër.
Kur u kthye nga lufta, bashkëshorti i saj rrallë foli për konfliktin.
“Ai nuk tha pothuajse asgjë. Në përgjithësi, nuk i pëlqente të fliste për jetën e tij në ushtri. Ishte si një temë tabu. Por, ato ditë, ai heshti edhe më shumë”, thotë ajo.
Një nga kujtimet e pakta që ai ndau, ishte koha kur avioni ushtarak rus fluturoi mbi të, në bazën ushtarake të Senakit, kur ai shtrëngoi grushtin dhe bërtiti “si një fëmijë i vogël”.
Pas luftës së vitit 2008, Ratiani vazhdoi të shërbente në ushtrinë gjeorgjiane dhe, në vitin 2014, u dërgua në Afganistan, për të marrë pjesë në Misionin e Mbështetjes Vendimtare të NATO-s, për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane të sigurisë për të luftuar terrorizmin. Gjatë asaj kohe, thotë Shashviashvili, ai ia shpëtoi jetën një personi, gjatë një sulmi terrorist.
Më 2019, Ratiani, atëherë 50 vjeç, u tërhoq nga shërbimi aktiv, dhe filloi jetën civile, duke punuar si shofer për kompani të ndryshme private. Ai ishte, gjithashtu, i interesuar për politikën, duke u bërë anëtar i fraksionit opozitar “Bashkimi bën fuqinë”, në parlamentin e Gjeorgjisë.
Por, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022, Ratiani u nis shpejt për të luftuar bashkë me ukrainasit. Ishte beteja e tij e fundit. Më 18 mars 2022, 53-vjeçari Ratiani u vra, siç u tha, nga të shtënat ruse me mortaja në vijat e frontit, në Irpin, duke u bërë viktima e parë nga radhët e luftëtarëve gjeorgjianë në Ukrainë.
Irpini, i ndodhur afër kryeqytetit, Kiev, u shkatërrua nga ushtria ruse, shumica e ndërtesave të tij u shndërruan në gërmadha, ndërsa shumë prej civilëve të tij përjetuan vështirësi të jashtëzakonshme përballë forcave pushtuese ruse.
Dikur shtëpi e rreth 65.000 njerëzve, Ukraina e shpalli Irpinin “qytet heroik”, duke njohur vendosmërinë e treguar nga banorët e tij përballë fatkeqësive. /REL/
Rruga Press