Zbulohen kampe ruse të torturimit në Kharkivin e çliruar
Në zonën përreth qytetit lindor të Ukrainës, Kharkiv, që nga çlirimi i tij nga pushtimi rus janë zbuluar nga autoritetet ukrainase njëzet e pesë kampe torture.
Shefi i Policisë Rajonale, Volodymyr Timoshko, ka thënë se në këto kampe trupat ruse kanë ndaluar dhe torturuar civilë në kushte çnjerëzore.
“Në këto kampe, trupat ruse ndaluan dhe torturuan civilë në kushte çnjerëzore. Disa nga të burgosurit i ishin nënshtruar goditjeve elektrike dhe të tjerët u kishin thyer gishtat”, deklaroi ai.
Zona përreth Kharkivit është pushtuar nga trupat ruse për muaj të tërë. Ata u tërhoqën vetëm në fillim të shtatorit pas një kundërsulmi ukrainas.
Që atëherë, në rajonin e çliruar janë zbuluar 920 trupa civilë, përfshirë 25 fëmijë, shtoi Timoshko. Ata u vranë nga ushtarët rusë, tha ai.
Sipas hetimeve nga autoritetet ukrainase, forcat ruse kanë kryer krime lufte edhe në territore të tjera të pushtuara.
Rruga Press