Luca quajti fermerët ‘barbonë’! Sindikata KËRKESË Ramës: Distancohu! Heshtja rëndon
DEKLARATA E PLOTË:
Sindikata e Fermerëve të Bashkuar shpreh indinjatë të thellë për heshtjen e dhe mosreagimin e kryeministrit dhe ministres së Bujqësisëndaj deklaratave të biznesmenit Luca, në lidhje me fermerët protestues.
Z.kryeministër, ne nuk na rëndon fyerja dhe bullizimi i biznesmenit, i cili na quajti barbonë, sepse ka shumë deficentë ky vend dhe ne nuk merremi me ta, por na rëndon heshtja dhe mosreagimi juaj.
A mos vallë keni të njëjtin vlerësim si biznesmeni për fermerët shqiptarë? Si mundet të mosreagonit kur në praninë tuaj një biznesmen fyen rëndë rreth 3000 mijë fermerë që protestuan në mënyrë civile për të drejtat e veta.
Jo vetëm që duhej të ishit distancuar nga fyerjet dhe bullizimi i tij karshi gjysmës së popullsisë por duhej të përgënjeshtronit shifrat e ekzagjeruara në miliona euro që ai deklaroi si përkrahje të qeverisë për fermerët. Nga që ka marrë vetë i pangopuri mendon se kemi marrë dhe ne.
Mjerë bujqësia shqiptare nëse politikat fiskale për bujqësinë qeveria i konsulton me njerëz të tillë. Ju duhet të mabni qëndrim edhe për faktin se nga fjalët e tij doli qartë se ai ishte një evazionist me lejen e qeverisë sepse vetëfaturonte peshk të zënë sipas dëshirës së tij.
Ai kujton se kanë edhe fermerët këtë leje nga qeveria por nuk është ashtu. Fermerin e faturon grumbulluesi, nuk vetëfaturohet. Biznesmeni tregoi në syrin tuaj sesi ishin shpërndarë fondet e AZHBR për fermerët. Ato i kishin ndarë “Lucët” për “katunarët”, jo sistemi i aplikimit dhe vlerësimit të kriterece si propagandohet.
Z.kryeministër, Sindikata e Fermerëve të Bashkuar kërkon që ju të distancoheni nga deklaratat e biznesmenit dhe të tregoni se nuk keni të njëjtën konsideratë me të për fermerët shqiptarë.
Rastin për ta treguar jo vetëm me fjalë por dhe me vepra e keni vetë në dorë. Mos e miratoni paketën fiskale për bujqësinë pa u konsultuar me përfaqësues të S.F.B.-së.
Rruga Press