Luajti të gjitha ndeshjet në Euro 2016, Lenjani flet për Shqipërinë: E nisim me fitore, kuqezinjtë befasojnë në Gjermani
Ermir Lenjani është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë dekadën e fundit, pasi ka luajtur rregullisht dhe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.
Mbrojtësi i majtë ka dhënë kontribut të madh dhe ishte ndër më të rëndësishmit për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016, kur kuqezinjtë e arritën këtë për herë të parë në histori.
Lenjani ka zhvilluar 44 ndeshje me Kombëtaren kuqezi, derisa ka realizuar edhe pesë gola dhe ka dhuruar një asistim.
Anëtari i skuadrës zvicerane Schaffhausen ishte në grumbullimin e parë të Sylvinhos, megjithatë lëndimet e shpeshta bënë që ai të mos marrë pastaj ftesë.
Mbrojtësi këmbëshpejtë ishte lojtar kyç i kuqezinjve edhe në Euro 2016 ku zhvilloi të gjitha ndeshjet, derisa në një intervistë për Telegrafin ai ka folur për atë kohë, Shqipërinë e sotshme dhe çfarë pret në Euro 2024.
Ai ka thënë se kulmi në karrierën e tij ka qenë pjesëmarrja me Shqipërinë në Euro 2016, derisa pret që kuqezinjtë të befasojnë qysh në ndeshjen e parë duke triumfuar ndaj Italisë.
Çfarë ndjenje është për ty si futbollist që ka luajtur në një Kampionat Evropian?
Ermir Lenjani: Për çdo futbollist mendoj se është kulmi i karrierës. Të kualifikohesh dhe të luash për Kombëtaren në Kampionatin Evropian nuk krahasohet me asgjë. Kemi bërë paraqitje të mirë në Euro 2016, është e vërtetë. I kishim rastet shumë të mira për fitore me Zvicrën dhe kundër Francës në fund të lojës humbëm. Me një pikë do të ishim kualifikuar.
Cila është ndeshja që nuk e harron kurrë me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë?
Ermir Lenjani: Me thënë të drejtën janë shumë ndeshje, si ajo ku kam shënuar golin e parë në Shqipëri-Danimarkë në kualifikueset e Euro 2016, ose ajo ndeshje me Armeninë që dhashë asistimin për fitoren në fundin e lojës, që kanë qenë shumë të rëndësishme për kualifikimin. Por, normalisht çdo ndeshje në Evropian ka qenë e veçantë dhe nuk krahasohet me asnjë lojë që kam bërë për ekipet. Ndërsa, ajo që nuk ka qenë shumë pozitive, ndoshta për futbollin, ishte në Beograd me Serbinë dhe atë çfarë ndodhi aty, por ja dolëm dhe nuk na ndali askush edhe aty.
Keni parë listën e Kombëtares për Euro 2024. Është e duhura, apo mendoni se ka mundur të ftohet edhe ndonjë futbollist tjetër?
Ermir Lenjani: Në përgjithësi më pëlqen lista. Normalisht aty trajneri dhe stafi i tij janë që vendosin dhe besoj që janë ftuar lojtarët që e kanë merituar apo edhe që i përshtaten skemave të trajnerit Sylvinho.
A është më e mirë Shqipëria e vitit 2016, apo kjo e vitit 2024?
Ermir Lenjani: Janë dy ekipe krejtësisht të ndryshme pasi edhe futbolli ka evoluar që tetë vite. Ne ishim një Kombëtare shumë e mirë e bashkuar, por njësoj janë edhe tani. Kemi luajtur ndoshta më defensivë se Shqipëria e sotme që ka shumë cilësi përpara. Gjithsesi ajo Shqipëri nuk harrohet kurrë që ka luajtur për herë të parë një Evropian, por edhe Shqipëria e sotit është një kombëtare spektakolare.
Çfarë pret nga Shqipëria në Kampionatin Evropian, kur dihet se është në një grup ferri së bashku me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë?
Ermir Lenjani: Padyshim që kanë një grup shumë të vështirë, por ama djemtë them se do të befasojnë. Kam shumë besim në të gjithë lojtarët dhe mendoj se do të bëjnë super paraqitje në Evropian. Kemi gjasa që ta nisim me një fitore qysh në ndeshjen e parë. Pastaj nëse marrin fitore ndaj Italisë, do të na mjaftonte një pikë në dy ndeshjet e fundit për të kaluar tutje dhe mund të bëhet realitet kalimi i grupit.
Cili futbollist pret që do të shpërthejë te Shqipëria në Euro 2024?
Ermir Lenjani: Në listën e Shqipërisë ka shumë lojtarë të mirë dhe të talentuar. Gjithsesi mendoj që ata që do të shpërthejnë në Euro 2024 janë Asani, Broja ose Bajrami që kanë kualitete të mëdha në ofensivë, pasi bëjnë aksione të mira, asistojnë, dribrlojnë e shënojnë gola.
Një parashikim i çmendur nga Ermiri për Euro 2024?
Ermir Lenjani: Haha. Parashikimi im vërtetë është i çmendur me një finale Shqipëri – Zvicër. Normalisht Shqipëria do ta fitojë pas ekzekutimit të penalltive.
Rruga Press