Lorik Cana e bën palaço komentatorin e RTK-së pasi përqeshi Shqipërinë
Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana ka reaguar ndaj komentatorit të televizionit publik, Andin Lokaj.
Lokaj pas përfundimit të ndeshjes Kosovë (U21) – Shqipëri (U21), të cilën e fituan “dardanët” (2:1), përqeshi ekipin e Shqipërisë.
“Parameno mos me pas fitu sonte kundër ktynve që kur kemi lujt na kosovarët TOP, ata në stadion veq ushtar të tupit trunin të Enverit i kan pas në tribina”, ka shkruar Lokaj në Facebook.
E Cana e ka vendosur në Instagram një fotografi të komentatorit duke e bërë si palaço.
Edhe tifogrupi i Prishtinës “Plisat” e ka quajtur të padëshiruar Lokajn në stadiumin e Prishtinës.
“Besojmë që shumica nga ju e ka përcjellë ndeshjen vëllazërore sot mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Europianit të grupmoshës U-21. Pa marrë parasysh rezultatit të sotëm, ndeshja ishte mes Kosovës dhe Shqipërisë, andaj nuk tolerohet që askush të tentoj të bëj deklarata të cilat nxisin përçamje. Andin Lokaj sot pas ndeshjes Kosovë – Shqipëri ka lëshuar disa deklarata të cilat janë të papranueshme dhe gjithsesi të pa tolerueshme! Askush nuk mundet dhe nuk guxon të krijojë përçamje, kjo deklaratë e komentatorit të sotëm duhet të dënohet fuqimisht, përndryshe përgjegjësia nuk mbetet tek NE”, thuhet në deklaratën e Plisave.
Rruga Press