Opinion/Aktualitet

Loja me maska e ambasadorëve me Ramën: Dekriptimi i mesazheve dëshpëruese kundër tij

Në prag të vendimit për Belinda Ballukun, si më 22 janar nga Gjykata Kushtetuese ashtu edhe më 28 janar tek Këshilli i Mandateve në Kuvend, ambasada amerikane lëshon një tjetër mesazh dëshpërimisht të kriptuar kundër pushtetit të Edi Ramës.

Duke cituar presidentin Trump, E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve (defakto ambasadorja), Nancy Vanhorn, deklaroi sot se: “‘siguria ekonomike është siguri kombëtare.’ Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në fushën e sigurisë publike dhe të infrastrukturës kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve”.

Pavarësisht se është një gjuhë e drunjtë, ky mesazh dekriptohet thjeshtë, kur kujtojmë se zv.kryeministrja Balluku është marrë e pandehur pikërisht për projekte të mëdha infrastukturore në Shqipëri.

Lexo më shumë  Serbia, Venezuela evropiane

Kujtojmë se sot edhe ambasadori holandez i shkoi për vizitë kreut të SPAK, Klodian Brahos në zyrë dhe dha një mesazh që nuk u mundua ta kamuflojë shumë: Të sundojë ligji në Shqipëri.

Kur përplasja e prokurorisë së sponzorizuar prej tyre dhe pushtetit të Ramës po shkon drejt pikës së zierjes, duket se qartazi amerikanët dhe kortezhi i tyre perëndimor nuk duan të dalin bllof, me SPAK-un. Testi Balluku po afron.

Por duke nisur nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që i konsideroi celularët jo mjet prove që SPAK-u mund t’ia marrë të pandehurve kur i do qejfi (sepse kanë të dhëna konfidenciale brenda), duket se bastin do ta fitojnë ata që mendojnë se Rama është kali më i fortë i betejës në këtë vend dhe Shqipëria është vatha e tij. Të buzëqeshurat dhe shtrëngimet e duarve me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese nuk i fituan ndonjë betejë VanHornit.

Lexo më shumë  Serbia, Venezuela evropiane

Loja me maska me mesazhe të kriptuara dhe fotografi si influencërs s’po i korr ndonjë fitore asaj, as enturazhit ndërkombëtar në Shqipëri. Nëse duan rezultat, është momenti që ambasadorët t’i heqin maskat dhe gjuha e drunjtë të gëllitet. Deklaratat të bëhen të drejtëpërdrejta (debati për ndërhyrjen e huaj në një vend sovran ngel për një ditë tjetër). Nëse ndodh e kundërta, Edi Rama jo vetëm që do t’ia ulë Ballukun ambasadores amerikane në krah, por ndonjë ditë edhe do t’ia çojë ta përqafojë në zyrë. /Nga Arber Kaceli, Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player