Loja e dyfishtë e Tiranës në Këshillin e Sigurimit
Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përgëzoi Kosovën për të arriturat në gjashtëmujorin e fundit të paraqitur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mirëpo përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u shpreh i habitur me faktin që në raport nuk përmendet që Kosova i është bashkuar dënimit të agresionit rus në Ukrainë si dhe ka pritur refugjatët afganë. Hoxha tha se Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratik i gatshëm për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon. Thënë këto, nuk kuptohet dyfishësia e Hoxhës në qëndrimet e tij ku për problemin e njejtë mbron Kosovën dhe normalizon Serbinë.
“Na duket e habitshme që lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj i shumanshëm nuk përmendet në raport, duke përfshirë dënimin e qartë të agresionit nga Kosova dhe dëshmi të tjera të përkushtimit të tij të fortë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Ne përshëndesim përafrimin e saj me politikën e jashtme të BE-së, duke përfshirë sanksionet dhe bujarinë në pritjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur nga Ukraina, ashtu siç kanë bërë edhe me refugjatët nga Afganistani. Përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë meritojnë njohjen e duhur, dhe me të drejtë, kjo tregon vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar një vend për qytetarët, nga qytetarët”, deklaroi Hoxha.
Pasi bën këtë deklaratë për avancimin e demokracisë dhe luftën ndaj korrupsionit në Kosovë, Hoxha thotë: “Më lini të qartësoj qendrimin tonë: Situata në Kosovë nuk është më një çështje e paqes dhe sigurisë, të mbaturit e saj nën kapitullin 7 është e pabazë dhe të flasësh për ruatje të paqes aty është e pakuptimtë. Rajoni jonë ka përparuar, është transformuar më shumë seç polemikat tentojnë ta shfaqin ndonjehere.”
Në fjalinë e parë konteksti është anullimi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë, veprim i kërkuar dhe nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar dhe fondet që shkojnë për UNMIK-un në Kosovë, të kanalizohen në dikastere zhvillimore të shtetit.
Fjalia e dytë është problem. Ajo shpërfaq krejt haptazi hipokrizinë e politikës së jashtme të Shqipërisë në raport me Kosovën. Hoxha thotë: ”Rajoni jonë ka përparuar”. Raportet për korrupsionin, shtetin e së drejtës, lirinë e mediave tregojnë që i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka përparuar është Kosova, e për më tepër, vendet që kanë regresuar më shumë janë Shqipëria dhe Serbia. Shqipëria ka pësuar renie të madhe në raportin e ”Reporterët pa Kufij” për lirinë e medias e ndërkohë Beogradi është shpalluar haptazi ‘postieri’ i Putinit për përhapjen e fake news-it në Ballkan. Në aspektin ekonomik Kosova tenton hapjen ndaj tregjeve evropiane dhe lufton rreptë kontrabandën. Ndërsa Tirana bëhet lavatriçja e larjes së parasë së krimit të mafias italiane Ndrangheta dhe kërkon të bëje amnisti fiskale deri në 2 milion euro për paren e pisët të mafias shqiptare, e në anën tjetër Serbia nënshkruan marrëveshje të re për furnizimin me gaz nga Rusia, financon grupet mafioze serbe në veri të Kosovës dhe ndërtimin e ushtrisë në Banja Luka të Bosnjë-Hercegovinës.
Dyftyrsia e politikës së jashtme të Shqipërisë është e ligë sepse vendos barazi aty ku diferencë.
Kosova ka përparuar, rajoni jo. Kosova është i vetmi shtet me qeveri të pakorruptuar e demokratike. Qeveria serbe është fashiste, ajo e Shqipërisë plutokrate, e Malit të Zi proserbe, e Maqedonisë së Veriut e korruptuar (mjafton të përmendim që në qeveri është partia e Ali Ahmetit), e Bosnjë-Hercegovinës e minuar nga brenda.
E si për mbyllje, Ferit Hoxha ‘nxjerr kokën’ e thotë: “Kolegë, nuk do lodhem së përmenduri rrethanën (enviroment) e re që kemi krijuar në Ballkanin Perëndimor, ku e shohim njëri-tjetrin, sy më sy, me shpresë dhe jo dyshim, ku bëhemi bashkë në përpjekje dhe projekte të përbashkëta në kërkim të përfitimeve të përbashkëta dhe jo në përfimin në kurriz të fqinjëve. Ky është themeli jonë i marrëdhënieve të shkëlqyra më këdo, por në veçanti me Serbinë, ku bashkohemi në rrugën integruese të BE-së, duke përfshirë dhe Ballkanin e Hapur.“
Përsëri Hoxha barazon elementë të ndryshëm apo të kundërt komplet, me lehtësinë më të madhe, a thu se mund t’i thuhet derrit dajë. Nga kjo frazë e Ferit Hoxhës mund të kuptojmë se Kosova e sheh Vuçiqin me shpresë e jo dyshim, se Bosnjë-Hercegovina e sheh Vuçiqin me shpresë e jo dyshim, se Mali i Zi e sheh Vuçiqin me shpresë e jo dyshim. Ferit Hoxha lë si të mundshme që Vuçiqi të pritet në Prishtinë, Sarajevë e Podgoricë si njeri i shpresës. Ngjanë më shumë se Vuçiqi ka qenë shoqërues i Nënë Terezës sesa ministës i Millosheviçit.
“Reçaku nuk ekziston. Përsa kohë jam në politikë do sigurohem që Serbia të mos e njohi Kosovën.“, ka thënë Vuçiqi president.
“Për çdo serb të vrarë do vrasim 100 musliman.“ ; “Srebrenica është fabrikim dhe gënjeshtër“, ka thënë Vuçiqi ministër i propagandës e më pas Vuçiqi president.
Në Malin e Zi, Serbia, me ndihmën e Rusisë, financoi dhe inicioi grusht shteti.
Vuçiqin me shpresë në Ballkan mund ta shohin veç autokratë e plutokratë si Edi Rama.
Barazia tjetër e paqenë e deklaratës së Ferit Hoxhës është kur thotë: “Ky është themeli jonë i marrëdhënieve të shkëlqyra më këdo, por në veçanti me Serbinë, ku bashkohemi në rrugën integruese të BE-së, duke përfshirë dhe Ballkanin e Hapur.“
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku temë është Kosova, Tirana flet për Ballkanin e Hapur që e mbyt Kosovën.
Kancelari gjerman Scholz e ka thënë qartë në vizitën e tij në Ballkanin Perëndimorë se rruga për në BE është Procesi i Berlinit, pra thënë ndryshe nuk është Ballkani i Hapur. Madje nënkryetari i partisë në pushtet në Gjermani FDP-së, Konstantin Kuhle, tha për ‘Der Spiegel’ se Serbisë i duhet ngrirë procesi i integrimit. “Një vend që justifikon dhe mbron një luftë agresioni kundër një vendi tjetër evropian nuk duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ai duke iu referuar këtu Serbisë që nuk i ka vendosur sansksione Rusisë.
Në presionin e lartë gjerman ndaj Serbisë dhe avancimit të Procesit të Berlinit, Hoxha sjell në tryezë anulluesin e tyre, Ballkanin e Hapur. Çfarë kërkon në Këshillin e Sigurisë së OKB-së Ballkani i Hapur?
© Rruga Press