Logjika autoritariste serbe dhe lufta hibride ndaj Kosovës
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Logjika e autoritarizmit, siç e dëshmon realiteti politik edhe në hemisferën e demokracive liberale (Hungari, Itali…), minon bazamentin e rendit liberal. Ndërkaq në lagjen e shteteve tradicionalisht autoritare, sidomos në Lindje, në këtë kuadër hyn edhe Serbia, luftën hibride ndaj shteteve fqinje ato e trajtojnë si vazhdim të luftës speciale. Prandaj, kjo ese ka për objektiv të hedhë dritë mbi logjikën e autoritarizmit serb, që ndërkohë ndaj Kosovës ushtron kërcnim permanent të përplotësuar me elemente të reja të luftës hibride.
Në këtë ese do të vihen në pah logjika autoritare e shovinizmit serb e etabluar për kohë të gjatë në raport me shqiptarët: refuzimi i kompleksitetit në raport me shqiptarët, duke pretenduar në përmbysjen e realitetit historik; mendësia e elitës serbe; farsa e logjikës për rreshtim properendimor.
Në ese do t’i japim vend meritor ndikimit të medias dhe rrjetit social në dinamikën e formimit të grupeve ekstreme që për synim kanë brutalizimin e aktiviteteve hibride kundër Kosovës, si rezultat edhe dehumanizimin e sistemit shkollor në Serbi në raport me shqiptarët.
Hyrje
Shqiptarët përgjatë shekujve XIX dhe XX, madje edhe sot, në doktrinat serbe mbi sigurinë dhe interesat nacionale, trajtohen si “armiku kryesor” i Serbisë.
Por, krahas ngulitjes së “këtij besimi”, respektivisht paragjykimi, për dy shekuj me radhë, d. m. th për 8-9 breza serbësh, në ndërdije do të krijohet edhe kompleksi i nënvlerësimit të vetvetes, një lloj inferioriteti, për faktin se shqiptarët ishin autoktonë në këto troje, akceptuesit e parë të krishtrimit romano-katolik ndër popujt e Europës dhe krenarë për historinë e tyre.
Demokracia që nga viti 1945, me theks, në dy dekadat e para të shek.21, ka hyrë në krizën e saj më të thellë. Shoqëria jonë de fakto ndodhet në krizë të trefishtë: ekonomike (me theks ajo energjetike), ekologjike dhe politike. Rrjedhimisht shtrohet pyetja logjike: niveli politik dhe formati qeverisës , që në shoqërinë moderne perendimore ka vite që konsiderohet si i etabluar, a jep shpresë se demokracia ka të ardhme. Në rrafsh botëror, sidomso në këto dy dekadat e para të shek. 21, rendi kapitalist ka pësuar tronditje të ndjeshme, ndërkaq demokracia si rend shoqëror e politik, çalon.[1]
Historiani britanik Timothy Garton Ash duke u marrë me këtë fenomen, pohon se: “Sot ka më shumë vende demokratike në nivel planetar se asnjëherë më parë. Por ndërkohë po shpërfaqen kundërrevolucionet me karakter antiliberal dhe atë në të gjitha anët njëkohësisht.[2]
Politologët amerikan Steven Levitsky dhe Daniel Ziblat këtë fenomen e shohin me shqetësim të thellë, meqë sipas tyre “Dmokracia duket se në rrafsh botëror ndodhet në rrezik – madje edhe atje, ku ajo për kohë të gjatë konsiderohej si e vetëkuptueshme, e mirëqenë. Duke marrë në konsideratë këto përfundime të kësaj natyre, shkrimtari austriak Robert Menasse paralajmron: “Nëse ne nuk dalim nga kjo krizë, e cila ka vënë në pikëpyetje zhvillimin e demokracisë, atëherë do të kemi gërmadha.”[3]
Lufta hibride, respektivisht kërcnimi i natyrës hibride, është produkt i thellimit të kësaj krize, rrjedhimisht është bërë kërcnim real për shoqëritë demokratike. Prandaj aktualisht paraqet një sfidë politike për shoqëritë demokratike. Lufta hibride serbe kundër Kosovës, duke kombinuar atë me pozicionimin gjeopolitik, po minon aftësitë e BE-së dhe përgjithësisht të demoracive perendimore për të marrë vendime historike.
Kërcënimet hibride permanente të Serbisë ndaj demokracisë së re në Republikën e Kosoëvs kanë krijuar dozë të theksuar frike dhe ankthi, me theks tek popullsia e minoritetit serb në veri të Kosovës, ndaj të cilës ushtrohet edhe presion i lloit të vet për dëgjueshmëri, nënshtrim ndaj levës së pushtetit të Beogradit në Kosovë – Listës Serbe. Por, ky kërcnim permanent i natyrës së luftës hibride, nuk ka mbetur pa rezultate konkrete edhe në raport me shtresat tjera të shoqërisë kosovare, duke shtrirë ndikimin e vet edhe në sistemin e gjyqësorit e legjislativit.[4]
Seanca e Kuvendit serb e 2 shkurtit 2023 , jo vetëm fjalimi i presidentit të Serbisë, po edhe kundërvënia e opozitës, dëshmon se partitë politike serbe [me përjashtime të vogla] dhe politikanët popullistë që dominojnë Parlamentin serb, dëshmojnë se, tok, janë vektorë të një shtytjeje kundër normave dhe vlerave liberale demokratike. Ndërkaq urrejtjen ndaj popullit shqiptar nuk e fshehin fare. Presidenti serb madje fajsonte opozitën pse ajo, kur ishte në pushtet, e kishte liruar [2001] nga burgu kryeministrin aktual të Kosoëvs, Albin Kurtin, që vazhdonte të mbahej si peng lufte nga pranvera e vitit 1999 dhe 1600 pengje tjerë! Në këto rrethana, këto forca dominuese në skenën politike serbe, janë shndërruar në vektorë të ndërhyrjes së huaj. Prandaj nuk ishte i papritshëm alarmi që dha presidentja e Republikës, Vjosa Osmani në një intervistë për median britanike ‘The Telegraph’. Me këtë rast Osmani tha se “po zhvillohet një operacion për të hedhur bazat e një sulmi hibrit nga Serbia me qëllim rrëmbimin e territorit të Kosovës. Mmercenarët nga grupi famëkeq ‘Wagner’ i Rusisë po punojnë me paraushtarakët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake të pashënuara në Kosovë… Ata sjellin armë dhe uniforma por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, tha zonja Osmani.[5]
Tutje në këtë ese do të hedhim dritë edhe në sferën e ndërveprimit midis logjikës së mendësisë serbe, Kishës serbe si instrument i pushtetit politik dhe autoritarizmit në sferën e politikës, që marrë tok janë armë të fuqishme për zhvillimin e luftës hibride ndaj Kosoëvs.
Demokracia dhe autoritarizmi serb
Për ata që e njohin historinë politike të Serbisë, natyrën e kontestuar të konceptit të autoritarizmit serb që në zanafillën e shtetit – si dhe marrëdhënien e tij komplekse me praktikën demokratike – qëllimi i këstij punimi hulumtues mbetet eksplorimi i arsyeve dhe logjikës mbi të cilat vepron autoritarizmi i instaluar shtetëror serb në raport me shqiptarët dhe pse logjika e këtij lloj autoritarizmi në fund të shek. 20 përfundoi duke u tallur me normat e demokracisë dhe duke ushtruar gjenocid në Kosovë.
Lufta për zhdujen definitive të shqiptarëve nga Kosovë, që u projektua edhe në Shtabin Madhor të Ushtrisë Serbe në dokumentin e koduar me emrin ushtarak “Patkoi” gjithësesi ishte e ngulitr në logjikën e autoritarizmit serb, paraprakisht e kishte shpërbërë sferën publike të demokracisë në vet bërthamën e shtetit serb, duke shndërruar demokracinë liberale në një farsë të lloit të vet!
Në studimet e mendimit sociologjik e politik potencohet se, njëri nga qëllimet e formës liberale të demokracisë është davaritja e tendencës autoritare për shpërfilljen e parimit mbi qeverisjen e shumicës. Vetëm rendi demokratik siguron që segmentet përbërëse të korpusit politik të qeverisin në harmoni të plotë, duke mos lejuar abuzimin e një segmenti ndaj përbërsve organik të shoqërisë.
Thelbi i liberalizmit politik pasqyrohet më së miri në propozimet kryesore të John Locke: liria individuale nuk është e favorshme për anarkinë, por është më tepër një normë shoqërore strukturuese. Përkundrazi, është dominimi dhe nënshtrimi ndaj një fuqie të huaj që është mjeti i vërtetë i dhunës, ndarjes dhe çrregullimit. Koncepti i Locke për lirinë individuale do të thotë se pushteti duhet të kufizohet efektivisht dhe të mbahet nën kontroll.[6]
Mendimtari tjetër i Europës – Jean-Jacques Rousseau, në veprën e tij të mirënjohur Kontrata shoqërore, përshkroi se një shoqëri civile përbëhet nga individë që ushtrojnë lirinë e tyre duke vënë interesat e tyre personale dhe të korporatës. sipas një sërë ligjesh dhe detyrash të përbashkëta. Në mënyrë konceptuale rrjedh se një komunitet i tillë sheh zhvillimin e një vullneti të përgjithshëm, “objekti i të cilit është ligji dhe sistemi aktual i drejtësisë së vendit”.
Vullneti i përgjithshëm e kapërcen shprehjen e opinionit publik në çdo moment të kohës, qoftë edhe mazhoritar. Ai i referohet llojit të regjimit, vlerave dhe normave që rregullojnë jetën politike dhe shoqërore për disa breza qytetarësh.[7]
Parametrat e vullnetit të përgjithshëm dhe bashkë me të liritë publike, dhe ndarja e pushteteve,[8] së bashku me shtypin e lirë dhe shprehjen e lirë, e pengojnë tiraninë dhe atë nëpërmjet kontrolleve, ekuilibrave dhe mbikëqyrjes. A ka zhvilluar shoqëria serbe mekanizma të tillë mbikqyrës gjatë gjithë egzistencës së shtetit modern serb (1878 e tutje)? Vështirë të pohohet se ia kishte arritur ta bënte këtë, madje edhe atëbotë kur Socialdemokracia serbe në krye me Dimitrie Tucoviqin po i hidhte themelet e një demokracie reale në fushën e mendimit politik serb.
Francis Fukuyama thekson se qëllimi i liberalizmit politik është menaxhimi i diversitetit në shoqëritë pluraliste.[9] Fuqia në demokraci kufizohet nga mishërimet e komponentit liberal të demokracisë. Burime të ndryshme pushteti dhe legjitimiteti bashkëjetojnë dhe kontrollojnë njëri-tjetrin. Ato burojnë nga nevoja për të rregulluar pushtetet publik në dobi të të drejtave dhe lirive individuale. Por, a i kishte parashtruar shoqëria serbe këto qëllime e këto ideale ndonjëherë seriozisht vetes? Për njohësit e historisë politike të Ballkanit, që nga krijimi i Shtetit (1878) që po promovohej në start si shtet ekspansionist (le të kujtojmë se pikërisht në kët fazë paso pushtimi Sanxhakut të Nishit, Toplicës, Pusta Rekës, Leskocit, Vrajës, Kurshumlisë… me plot 998 katunde, mbi 600 e tyre të banuar me shumicë dërmuese shqiptare, me një sipërfaqe rreth 11.000 km2), përgjegjia mbetet jo. Përkundrazi, ajo kishte ushqyer oreksin, duke mos ngurruar të zgjerohet në momentin e duhur edhe drejt Peredimit në dëm të boshnjakëve. Atentati ndaj princit Franc Ferdinandi (1914) do të shërbej si shkas i fillimit të Lufëts së Parë Botërore, që në themel kishte prerogativat e strategjisë serbe për krijimin e Serbisë së Madhe.
Liberalizmi politik në themel të tij ka mbështetjen tek toleranca dhe kompromisi politik. Ndërkaq logjika e autoritarizmit serb bazohet në ideologjinë e Kishës serbe dhe idetë parapolitike të epokës së Rilindjes serbe (çetave të Hajdutëve), në themel të së cilës ishte ngjizur paradigma e nacionalizmit modern serb, që bie ndesh me mendimin liberal.
Autoritarizmi është një term me konotacion negativ. Autoritarizmi serb i detyrohet një sërë praktikash dhe pritshmërive që rrjedhin nga kërkesat e vërteta, gjysmë të vërteta dhe të shpifura nga Kisha në raport me shqiptarët. Prandaj autoritarizmi serb na rezulton se është produkt i një grupi bindjesh politike se si duhet të ushtrohet pushteti brenda korpusit të shtetit serb, bazuar në pretendimin e përgjithshëm se elitat konfiskojnë pushtetin, burimet dhe agjencitë e tij, prandaj ai, pra Shteti, tok me Kishën, duhet të ruhet nga armata e të mbetet në shërbim të “Vozhdit” serb.
Le të rikthehemi tek zanafilla etimologjike e termi “Vozhd”. Ai njihet si titull historik që rrjedh nga protosllavishtja *voďь me aplikim gjithandej ku ka sllav. Fillimisht tregonte një prijës të një fisi, ndërsa me ngritjen e shtetësisë u përdor më pas edhe në kontekstin e një udhëheqësi suprem ose komandanti suprem, veçanërisht kur të dy rolet kombinoheshin në një person. Në historinë politike të Serbisë këto dy poste, ai i udhëheqësit politik dhe ai i komandantit suprem, përherë inkorporoheshin- shkriheshin tek Një person.
Autoritarizmi serb është shndërruar me kalimin e kohës në sistem me pretendime të përhershme zgjerimi në dëm të fqinjëve. Për rrjedhojë ai ka prodhuar homogjenitet shoqëror, duke ju kunëdrvënë përherë mendimit ndryshe në politikë, kundër intelektualëve të mirëfilltë, elitave dhe vet sistemit. Këtë e ka bërë dhe vahzhdon ta bëjë duke mbjellur e shpërndarë përherë e kudo frikën
dhe mosbesimin ndaj politikanëve dhe elitave intelektuale, meqë vetëm ata janë rreziku permanent për shkatërrimin e shtetit dhe vet identitetit serb, sipas logjikës autoritariste serbe. Kjo ndjesi është prezente në Serbi edhe sot e kësaj dite.
Definicioni i autoritarizmit
Në fjalorin politik të Oksfordit autoritarizmi definohet si “mënyrë e qeverisjes, në të cilën sunduesit kërkojnë bindje të verbër nga të sunduarit.” Vozhdët serb, edhe ky aktuali – Aleksandar Vuçiq, jo rastësist kishin për model Frederikun e Madh. Ai citohet të ketë thënë se “Kam një marrëveshje me popullin tim: ai mund të thotë ç’të dojë dhe unë mund të bëjë ç’të dua”. Në këtë kontekst ai përafrohet me despotizmin.
Përcaktimi i definicionit mbi autoritarizmin mbetet një ushtrim i ndërlikuar, veçanërisht duke pasur parasysh ngarkesan e tij normative. Nëse “populizmi mishëron dhe shfrytëzon një sërë shqetësimesh dhe kërkesash të vërteta për të përmirësuar kushtet demokratike”[10], autoritarizmi në vetvete përjashton çfardo forme të demokracisë. Nëse “besimi thelbësor i popullizmit është se një përfaqësim i drejtpërdrejtë i popullit do të sjellë qeverisje më të mirë sepse do të anashkalojë format e tjera të vendimmarrjes”[11], besimi i autoritaristëve është krejt e kundërta.
Nëse për Rosanvallon popullizmi është një patologji e demokracisë, pasi ai shfrytëzon natyrën domosdoshmërisht të papërsosur të përfaqësimit elektoral, autoritarizmi nuk çanë kokën fare për demokracinë dhe përfaqësimin elektoral.
Termi autoritarizëm përdoret si në shkencat politike ashtu edhe në psikologjinë sociale. Politologët e shpjegojnë atë si një formë diktatoriale e sundimit që, ndryshe nga totalitarizmi diktatorial, shpesh lejon një shkallë të caktuar pluralizmi. Tipari më i rëndësishëm i formave autoritare të qeverisjes është mungesa e ideologjive themelore; në vend të kësaj, bartësit e autoritarizmit bazohen në të ashtuquajturat vlera gjoja të përjetshme dhe zakone tradicionale. Më mirë se kudo e kurdo ky fenomen mishërohet në personalitetin e vzhdit aktual serb – Aleksandar Vuçiq.
Antonio Scurati, në veprën e tij historike mbi ngritjen e Fashizmit italian, sugjeronte që Benito Musolini duhet të konsiderohet “një njeri i zbrazët”, por i aftë për të përvetësuar shpejt aftësitë e një lideri fashist që do të ishte i aftë të manipulonte me masat e popullit për të krijuar besimin për përparësitë e pushtetit fashist.[12]
Lideri aktual serb – autoritarist deri në palcën e trurit, demonstron kudo e kurdo qëndrim të ngjashëm, taktik për ta bërë narrativën e tij të besueshme për popullin. Kualifikimi i shqiptarëve si armiku më i madhë i popullit serb edhe sot në epokën e digjitalizimit dhe intelegjencies artificiale në ardhje, përkon me përshtatshmërinë e plotë të paramenduar të ideologjisë autoritare serbe me atë të fashizmit italian të epokës së Musolinit.
Edhe pse, sa u tha më sipër, autoritarizmi mbetet një koncept politik thelbësisht i kontestuar, në këtë punim do të provojmë të theksojmë faktin se autoritarizmi serb selitë tutje një logjikë siprore mbi mendimin politik serb. Si i tillë autoritarizmi serb ka minuar në tërësi kornizat kryesore të demokracisë liberale.
Logjika e neofashistëve – mentaliteti i tufës
Logjika e neofashistëve ka diçka të përbashkët me mentalitetin e tufës. Shefat e shteteve dhe qeverive moderne, vëzhgonë dhe imitojnë njëri-tjetrin. Ata, si tufa, ndjekin me vëmendje se nga po shkon rryma, si po e drejtojnë shoqërinë kolegët e tyre, si po ia arrijnë ta marrin pushtetin dhe ta ruajnë atë me dekada. Ata, tek shkruan për këtë fenomen Madeliene Albrigt, potencon se shkelin në gjurmët e njëri-tjetrit, ngajshëm siç kishte pasuar Hitleri Musolinin. Sot tufa po lëvizë në kahun e fashizmit.[13]
Prandaj, konkludon ajo, pavarësisht dallimeve, mes Maduros, Erdoganit, Putinit, Orbanit ka shumëçka që i bashkon. Kësaj liste të neofashistëve gjithësesi do të mudn t’i shtohej edhe Vuçiqi.
Kjo tufë pushtetarësh neofashistë, tashmë të shnëdrruar në despot tipik, nuk e trajtojnë pushtetin si privilegj, por si instrument, mjet për t’i përmbushur dëshirat e veta. Në paraqitjet e tyre publike prandaj ata nuk shprehin fare nevojën për bashkëpunim me kundërshtarët e tyre politik, përveç me oligarkët prej të cilëve varen shumë dhe me grupet specifike që do t’ju kryenin punë gjatë fushatave zgjedhore. Ndërkaq veten pretendojnë ta konsiderojnë si “lider i fuqishëm” nga i cili varet fati i Kombit!
Kjo logjikë e neofashistëve modern, ngjason shumë me atë të despotëve – është e gatshme të refuzojë kompleksitetin e rendit shoqëror, të refuzojë elitat dhe të refuzojë idenë e përfaqësimit.
Fashizmi është “një tepri shëlbuese e arbitraritetit patriotik”, sipas babait birësues ideologjik të Putinit, Ivan Ilyin, shprehet Timothey Snyder në një analizë të tij të publikuar tek NZZ. Ndërkaq i tillë është edhe fashizmi i Vuçiqit në raport me shqiptarët. Nëse për Putinin arbitrariteti i plotë që po shpërfaqet përgjatë një viti lufte në Ukrainë është demonstrimi i gjakimit për shuarjen e Ukrainës, logjika e fashizmit serb bazohet gjithashtu në gjakimin për shuarjen e Kosovës si entitet politik dhe aneksimi me çdo çmim i veriut të saj të pasur me minerare e pasuri ujore.
Kjo logjikë ka burimin tek koncepti neokolonial i elitave ruse dhe serbe, që jo rrallë kanë gëzuar një lloj mbështetje edhe nga një lagje e shteteve të Europës Perendimore.
Le të kujtojmë me këtë rast deklaratën e ish ministrit gjerman të fnancave në prag të invazionit rus në Ukrainë. Atëbotë, një grup ministrash gjermanë takohen me Andriy Melnyk, ambasadorin e atëhershëm ukrainas në Berlin. Tema e takimit: pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në orët e para të asaj dite.
Sipas raportit të ambasadorit ukrainas, qëndrimi i ministrit gjerman të financave Christian Lindner në atë kohë ishte se disfata e Ukrainës ishte çështje orësh; prandaj, dërgesat e armëve në Ukrainë ose sanksionet kundër Federatës Ruse janë të kota; në vend të kësaj, duhet të pranohet një Ukrainë e pushtuar me një qeveri kukull të instaluar nga Rusia dhe të shikohet nga e ardhmja.[14]
Deklarata e ministrit gjerman të Financave manifestonte qartë gjakimin e Gjermanisë për të ruajtur me çdo çmim stabilitetin dhe statusquonë, qoftë ky edhe me çmimin e rrëshqitjes së Ukrainës në terrenin e neokolonializmit rus.
Çfarë paraqet në këtë kuadër drafti frënko-gjerman për Kosovën dhe fundin e dialogut të imponuar me Serbinë, nëse jo gjakimin për rikthimin e Serbisë në fuqi rajonale dhe të Kosovës në një neokoloni tipike të saj?!
Në nenin 7 nga gjithësej 10 nene sa ka ky draft thuhet:
“Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Europës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese europiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.”[…]
Në thelbin e këtij neni, disi prajshëm, çet kokë logjika neofashiste, e njejtë me atë të ministrit gjerman në raport me Ukrainën dhe gadishmërinë prë sakrifikimin e saj. Autorët dhe mbështetësit e këtij neni fare hapur dhe me plot arrogancë shpërfaqin pajtueshmërin për shkërmoçjen e pavarësisë së brishtë të Kosovës, duke ia imponuar Bashkësinë e Komunave Serbe në emër të nevojës që paskërka minoriteti serb, përtej garancive që kishte dhënë Plani i Ahtisarit, për një “nivel të duhur të vetqeverisjes”!
Drafti franko-gjerman është një kopje e zbehtë e marrëveshjes historike mes Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane që në themel kishte Ost-Politikën e Bonit dhe ideatorëve të elitës gjermane që kishte mbështetjen e ish kancelarit W.Brand. Ajo në rastin e dy Gjermanive u tregua e sukseshme, meqë pranimi i realitetit politik imponoi qasje të re të Gjermanisë Federale në raport me Rusinë. Ndërkaq marrëveshja e heshtur mes Gjermanisë moderne dhe Federatës Ruse për një pushtim të shpejtë të Ukrainës nga ana e Rusisë, do të rrëzohej për shkak të një faktori që asnjëra palë nuk e kishte parashikuar: rezistencën masive të popullsisë ukrainase. Siç e dimë tani, parashikimet e një lagjeje të mirë të shteteve europiane për një kolaps të shpejtë të rezistencës ukrainase ishin të gabuara.
Drafti frënko-gjerman diferencohet nga logjika kolonialiste, por nuk çlirohet dot nga koncepti revizionist që ka përvetësuar një lagje e diplomatëve perendimor në raport me ndërhyrjen e NATO-s në Serbi (1999) për t’i dhënë fund gjenocidit serb. Ilustrative për këtë fenomen është deklarata e ambasadorit Kristofer Hill tek shpreh keqardhjen për atë ndërhyrje.
Paparashikueshmëria si armë
Përfundimi i luftës në Kosovë (qershor 1999) do të krijonte parakushtet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Do të krijohet kështu republika e dytë shqiptare në Europën Juglindore si kompromis mes fuqive perendimore që kanë dëshmuar gjatë gjithë shekullit 20-të se kanë interesa gjeostrategjike në këtë hapësirë. Natyrisht se ky fakt nuk ishte vullnet politik i shqiptarëve, por gjithësesi produkt i akteve gjeneruese të klasës politike shqiptare.
Në Kosovë kishin zbarkuar tashmë mbi 40.000 forca të NATO-s si pjesë e KFOR-it me mandat për ruajtjen e selitjen e paqes e stabiliteetit. Po fillonte një epokë e re e raporteve serbo-shqiptare.
Në këto rethana Serbia ishte pozicionuar për të impenjuar sa më shumë kudo përmes elementit të minoritetit serb dhe Kishës, që padrejtësisht e në raport të zhdrejtë me të vërtetën historike, në bisedimit e Vjenës për statusin e Kosovës, mes palëve në ndërmjetësimin e BE-së, ishte cilësuar si trashëgimi serbe! Ky impenjim kishte kulmuar në marsin e vitit 2004, ku segmente e forca të pamaturuara politike të Kosovës, duke u dëshmuar si tepër naive, do të binin në kurthin e luftës hibride që po startonte Serbia për ta mbajtur Kosovën tutje si Republikë defunksionale.
Kulmimi i kësaj lufte do të kurorëzohej me marrëveshjen që do t’i imponohej marionetës që tashmë ishte instaluar në krye të qeverisë së Kosovës, e që do ta shfrytëzojë në maksimum në prillin e vitit 2013. Ky akt do të arrihej edhe me mbështetjen e një pjese të diplomacisë europianoperendimore, që tashmë po i ktheheshin fillimeve të seancave të dashurisë së humbur ndaj Serbisë gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.
Krejt kjo romancë dashurie do ta kurorëzonte këtë betejë politike të Serbisë me marrëveshjen pasuese të gushtit të 2015-ës, duke u pasuar me imponimin e krijimit të Gjykatës Speciale, si arenën politiko-juridike para së cilës do të pretendojnë ta sjellin UÇK-në, këtë kryevlerë të historisë moderne të Kosovës.
Por ashtu siç do t’i ndodhte Serbisë me UÇK-në e vegjëlisë, që do të rezultonte si e pathyeshme, edhe produkti i asaj rryme – Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me përmbysjen e skenës politike dhe rikthimin e fuqishëm më 14 shkurt 2021, do ta përmbysë tërësisht edhe projektin serb për ndarjen e Kosovës, respektivisht aneksimin e veriut të saj dhe imponimin e “pykave” serbe në trupin e Kosoëvs, konform projektit të Vasa Çubrilloviqit (1937), që për objektiv kishte përmbysjen e hartës demografike të Kosovës.
Po fillonte kështu epoka e aplikimit të skenarëve modern të konfliktit, ku sulmuesit mbështeten në një kombinim të operacioneve klasike ushtarake, presionit ekonomik, sulmeve kompjuterike dhe propagandës në media dhe rrjetet sociale. Kjo qasje njihet edhe si “taktika hibride” ose “lufta hibride”.
Kjo përplasje herë-herë merrë përmasa të pragluftës reale, siç ndodhi në dhjetorin e vitit 2022.
Serbia duke u përqëndruar në veriun e Kosovës, ka pretendime të shkaktojë dëme të ndjeshme, të destabilizojnë shoqërinë duke kaluar kështu gradualisht në fazat kulmore të luftës hibride – rrëzimin e qeverisë dhe instalimin e një qeverie kukull.
Siç dihet tashmë, e veçanta e luftës hibride është taktika e fshehjes. Instalimi i barikadave në veri gjatë dhjetorit 2022 dhe sidomos mënyra se si ato u larguan, për shumëçka mund të konkludojmë se kaloi këto përmasa. Autorët real (pjestarët e Listës Serbe) ose vepronin në mënyrë anonime ose mohonin përfshirjen në incidente dhe konflikte. Por, arroganca e tyre jo rrallë kaloi caqet e luftës hibride, duke u shpërfaqur publikisht pjestarë të të ashtuquajturës “Brigada e veriut” edhe me armë të gjata pranë barrikadave, duke imponuar logjikën e krijimit të situatës, kur paparashikueshmëria bëhet armë e politikës. Në këto situata kufiri mes paqes dhe lufëts është tepër i hollë.
Konkluzion: Kundërvënia ndaj utoritarizmit serb parandalon luftën e pashmangshme
Përgjatë dy viteve të qeverisjes së fundit, Kosova ka dëshmuar vlerë të shtuar të qeverisjes demokratike. Për shumëçka kjo periudhë qeverisjeje në Kosovë, krahasohet me të drejtë me qeverisjen e Fan S.Nolit në Tirnën e pas rvolucionit të qershorit të vitit 1924, duke e ranguar qeverinë Kurti 2 si qeverinë më demokratike në rajon.
Dinamika e veprimeve të forcave serbe të instaluara përmes marrëveshjes së vitit 2013 në Bruksel (Lista Serbe) ndërkohë derisa ajo humbi peshën që kishte paraprakisht në qeveritë e varura nga ajo, e bëri dialogun pothuajse të paqenë. Prandaj u shtuan aktivitetet e lufëts hibride për ta destabilizuar vendin. Lufta hibride në dhjetor mori përmasat e një kërcnimi real për kalim në luftë reale.
Është thelbësore që tashmë është bërë identifikimi i strategjisë serbe kundruall fqinjëve të saj dhe i vet qasjes autoritariste serbe në raport me pushtetin. Tashmë i kemi të qarta idetë dhe taktikat që ai po aplikon. Këtë strategji Beogradi zyrtar nuk e ka ndërruar as pas një viti lufte në Ukrainë. Përkundrazi, ka tendenca të hapura që ta shfrytëzojë gjeopolitikën dhe duke u rirreshtuar me Perednimin, të përfitojë në dëm të fqinjëve të vet.
Në këtë plan Beogradi po shfryëtzon tutje logjikën kryesore të autoritarizmit, duke vazhduar më tej ta fragmentarizojë skenën publike. Ndërkohë ky fragmentarizim do t’i shërbej mekanizmave të shtetit për të ushtruar brutalitetin në sferën publike, si hap drejt kalimit nga lufta hibride në luftë reale.
Në këtë punim kemi identifikuar tri trajta të logjikës autoritariste serbe, të cilët lehtësisht mund të bëhen vektorë të këtij kalimi.
Dinamika e autoritarizmit serb në raport me Kosovën – në veçanti me dialogun, ia ka arritur që t’i imponojë Kosovës të nënshkruaj fillimisht marrëveshjet e pafavorshme [2013/2015], ndërkaq së fundmi partnerët tanë të ndryshojnë pozicion, duke ushtruar presion ndaj qeverisë së Kosovës për t’i imponuar dratin franko-gjerman që sërish favorizon Serbinë.
Siç e kanë dëshmuar hulumtimet në raste tjera, edhe autoritarizmi serb mbrun atë tip të psikologjisë sociale të gërshetuar me elementet religjioze. Si I tillë ai është i qasshëm sidomos nga grupe të ekstremit të djathtë. Këtë akt e ka ndihmuar edhe vetë Kisha serbe si institucion.
Refuzimi i kompleksitetit të dialogut për vite të tëra dhe përpjekja për të krijuar alibin për aneksimin e veriut të Kosoëvs, është logjika e parë që ka etabluar tashmë autoritarizmi serb.
Logjika e dytë konsiston në refuzimin e Qeverisë së Kosovës, respektivisht kryeministrit të saj, si palë dialoguese. Ky akt është paramenduar si kundërveprim ndaj logjikës së arguenteve që ka aplikuar pala kosovare gjatë dialogut që prej gushtit të vitit 2021. Me këtë akt Beogradi de fakto e bën të pamundur zgjidhjen paqësore.
Logjika e tretë ka të bëjë me arsyetimin e kalimit nga lufta hibride në luftë reale. Kjo ndodhë meqë në logjikën e autoritarizmit serb, si edhe në logjikën e çdo autoritarizmi, lufta është produkt i radikalizimit të diskutimit dhe ngulfatjes së demokracisë.
Rrjedhimisht vetëm kundërvënia e ashpër autoritrizmit serb parandalon luftën e pashmangshme për veriun e Kosovës.
_____________________________________________________
[1]Shih më gjerësisht: Dieter Thomae, Warum Demokratien Helden brauchen, Berlin, 2019, f. 17
[2]Shih intervistën e tij në Der Spiegel, 29, 2018, f.29
[3] Steven Levitsky/Daniel Ziblat, Wie Demokratien sterben. Und was wir tun koennen, Muenchen 2018, f.10
[4]Për ndikimin e këtij fenomeni shih më gjerësisht:
Rainer Jungwirth, Hanna Smith, Etienne Willkomm, Jukka Savolainen, Marina Alonso Villota, Maxime Lebrun, Aleksi Aho, Giorgios Giannopoulos, ‘Hybrid threats: a comprehensive resilience ecosystem’, JRC Flagship Report (JRC European Commission, 2022).
[5]https://www.telegraph.co.uk/world-news/2023/02/11/wagner-mercenaries-helping-serbia-prepare-potential-attack-nation/
[6]John A. Clark, ‘The definition of the general will’, Ethics, Volume 53, Number 2, (January 1943), http://www.jstor.org/stable/2989185.
[7]https://www.hybridcoe.fi/publications/hybrid-coe-working-paper-22-watching-out-for-populism-authoritarian-logics-as-a-vulnerability-to-hybrid-threat-activity/
[8]Charles de Montesquieu, The Spirit of the Laws (Cambridge: Cambridge Texts in the History of Political Thought, Cambridge University Press, 1989).
[9]Francis Fukuyama, ‘A Country of their Own: Liberalism Needs the Nation’, Foreign Affairs (May/June 2022). 10 Ibid.
[10]https://www.hybridcoe.fi/publications/hybrid-coe-working-paper-22-watching-out-for-populism-authoritarian-logics-as-a-vulnerability-to-hybrid-threat-activity/
[11]Po aty
[12]Antonio Scurati, M: Son of the Century: A Novel (New York: Harper, 2022).
[13]Madeleine Albright, Faschismus – Eine Warnung, Koeln 2018, f. 287
[14]https://taz.de/Russland-und-Deutschland/!5893515/
Rruga Press