KryesoreLajme

Liqeni i Ohrit kërcënohet nga projektet imobiliare. Në Pogradec si në Ohër, betoni rrezikon të thyejë ekuilibrin e brishtë të peizazheve mijëvjeçare

Liqeni i Ohrit kërcënohet nga projektet imobiliare. Në Pogradec si në Ohër, betoni rrezikon të thyejë ekuilibrin e brishtë të peizazheve mijëvjeçare. UNESCO ka vendosur një ultimatum deri më 1 shkurt: çfarë do të bëjnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të mbrojtur këtë trashëgimi unike?

Ilda Mara dhe Mirko Trajanovski

Courrier des Balkans

Paris

Neglizhenca, braktisja dhe lakmia po rëndojnë si një “gijotinë” mbi statusin e Ohrit si vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Qendra turistike shumë aktive, e njohur për pasurinë e saj natyrore dhe kulturore, ka përjetuar në dekadat e fundit transformime të thella që vënë në rrezik statusin e kësaj pasurie natyrore që nga viti 1979 për bregun maqedonas të liqenit.

Sipas Iskra Stojkovska-s, nga shoqata Front 21/42 – një nga zërat më aktivë në mbrojtjen e rajonit të Ohrit – urbanizimi dhe ndotja janë armiqtë kryesorë të një prej peizazheve më autentike të Ballkanit. « Është urbanizimi ai që rrit më shumë ndotjen e ujit dhe të ajrit dhe shton zhurmat e bezdisshme. Ai ka efekte negative në disa nivele: shkatërron peizazhin, fshin autenticitetin, fragmenton habitatet natyrore – çka dëmton drejtpërdrejt biodiversitetin, një nga vlerat thelbësore të vendit. Ndotja e ujit është një nga problemet më të rënda: ajo vjen nga kolektori i ujërave të zeza ende i dëmtuar, nga numri i lartë i ndërtimeve ilegale dhe i platformave ku ujrat e zeza derdhen drejtpërdrejt në liqen, si dhe nga lumenjtë e ndotur që derdhen në të », shpjegon ajo.

Në projektvendimin e publikuar vitin e kaluar, UNESCO rekomandoi regjistrimin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, për shkak të dëmtimeve të rënda ndaj pasurive natyrore dhe kulturore të vendit. Ndër kërkesat e organizatës figuronte ndalimi i punimeve të ndërtimit në brigjet e liqenit. Por realiteti tregon të kundërtën: një përshpejtim të zgjerimit të ndërtimeve. Ndërtimi i një kompleksi hotelier në zonën e Goricës, fare pranë liqenit, ka nxitur veçanërisht indinjatën e opinionit publik.

« Në vitin 2024 si në 2025, UNESCO i kërkoi shtetit të pezullojë menjëherë të gjitha aktivitetet e lidhura me ndërtimin e kompleksit hotelier të shoqërisë Develop Group në Gorica. Megjithatë, në terren, punimet kanë vazhduar pa pengesa dhe hoteli sot është pothuajse i përfunduar », thekson Iskra Stojkovska. Përballë kritikave të ekologjistëve, investitori Develop Group dhe bashkia e Ohrit pohojnë se projekti është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se të gjitha procedurat janë respektuar.

Numërimi mbrapsht ka filluar tashmë deri më 1 shkurt, datën kur qeveritë maqedonase dhe shqiptare duhet t’i dorëzojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore raportin mbi masat e marra. Iskra Stojkovska shpreson këtë herë një zhvillim të ndryshëm, duke vlerësuar se regjistrimi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik përfaqëson një « shans të fundit » për të shpëtuar Liqenin e Ohrit.

« Ky regjistrim do të mundësonte një monitorim të rregullt dhe një kontroll të pavarur mbi zbatimin e masave korrigjuese dhe efektet e tyre. Me fjalë të tjera, hapësira për moszbatim të masave të miratuara do të reduktohej ndjeshëm. UNESCO mund të ndihmonte gjithashtu në mobilizimin e financimeve për zbatimin e tyre », sqaron ajo.

Një mëngjes dimri në Pogradec

Janar 2026. Një mëngjes dimri në Pogradec, buzë liqenit të Ohrit. Era e veriut fishkëllen, sjell flokë dëbore që kanë veshur Malin e Thatë dhe kodrat përreth me një kurorë të bardhë Krishtlindjesh, delikate, gati joreale. Bluja e thellë dhe e heshtur i liqenit bëhet pasqyrë e palëvizshme: pasqyron qiellin e ulët e gri, kallamishtet e ngrira dhe shtëpitë ende në gjumë përgjatë shëtitores. Është një nga ato vende të rralla ku koha ngadalësohet vërtetë; njerëzit vijnë këtu për të marrë frymë, për t’u tërhequr, për t’u rilidhur me veten, në dimër si në verë.

Lexo më shumë  Rënia e euros nxjerr Shqipërinë jashtë konkurrencës rajonale, fasoneria në krizë

Në agim, liqeni merr frymë butësisht, i mbështjellë nga një mjegull e lehtë, dhe qyteti zgjohet në një dritë të zbehtë, intime, pothuajse konfidenciale. Ngjyra  blu nuk është thjesht një sfond, është shpirti i Pogradecit, një trashëgimi e gjallë e vjetër miliona vjetësh, që strehon specie endemike unike në botë. Por kjo sipërfaqe e qetë mund të turbullohet. Presioni ndërtimor dhe turistik, që po rritet prej vitesh në brigjet shqiptare të liqenit, kërcënon të thyejë këtë ekuilibër të brishtë: të shndërrojë një peisazh soditjeje në një vijë horizonti mineral, ku siluetat e kodrave të mbuluara me borë t’i linin vendin ndërtesave.

I përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2019, ana shqiptare e Liqenit të Ohrit përballet me kërcënime që mund ta bëjnë të humbasë këtë status. Kjo njohje, bazuar në pasurinë e jashtëzakonshme të biodiversitetit të tij dhe thellësinë e historisë së tij njerëzore, mbulon jo vetëm ujërat e liqenit, por edhe zonat tokësore me rëndësi kulturore dhe natyrore, siç është gadishulli I Lini, rrënojat e tij paleokristiane dhe habitatet liqenore prehistorike. Dyzet vjet pasi pjesa maqedonase e liqenit u regjistrua në këtë listë, pjesa shqiptare u njoh më në fund.

Por kjo njohje tani rrezikohet seriozisht. Në sesionin e 46-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore (New Delhi, korrik 2024) dhe në atë të 47-in (Paris, korrik 2025), UNESCO shprehu shqetësim të thellë për degradimin e vazhdueshëm të pronës ndërkufitare « Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit ». Urbanizimi pa kontroll, ndërtimet ilegale, mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimi i dobët midis dy vendeve po cënojnë vlerën universale të jashtëzakonshme të këtij sajti. Komiteti i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat të fundit: deri më 1 shkurt 2026, duhet të dorëzojnë raport të detajuar mbi përparimet konkrete dhe masat korrigjuese – përndryshe, vendi rrezikon të hyjë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik gjatë sesionit të 48-të në 2026.

“Ndaloni kullat në Liqenin e Pogradecit! Pogradeci nuk është Dubai!”

Në fakt, disa projekte të diskutueshme të pasurive të patundshme kërcënojnë Parkun Natyror të Drilonit dhe brigjet shqiptare të liqenit, duke e transformuar gradualisht një vend soditjeje në një horizont të shkretë. Projekti “Pyjet e Drilonit”, i udhëhequr nga kompania KONTAKT, parashikon një kompleks banimi shumëkatësh në një zonë të mbrojtur. Edhe pse Bashkia e Pogradecit dhe Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura deklarojnë se nuk kane njohuri për këtë projekt, thuhet se është lëshuar një leje ndërtimi dhe apartamentet madje janë shitur. Kompania pretendon në mënyrë të rreme se projekti ka marrë miratimin e UNESCO-s, ndërsa autorizimi i takon ekskluzivisht autoriteteve kombëtare.

Kjo mungesë transparence dhe llogaridhënieje është alarmante. Sipas inxhinierit Arian Merolli, i cili punoi për regjistrimin e liqenit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, raportet e paraqitura në UNESCO nuk pasqyrojnë realitetin në terren. Që prej vitit 2022, një mision monitorimi identifikoi gjashtë ndërtime të paligjshme në Tushemisht, pavarësisht se ato ishin përjashtuar në mënyrë të qartë nga projektet e autorizuara. Pasojat janë të dukshme: disa nga burimet e Drilonit po thahen, duke kërcënuar një ekosistem të ruajtur që nga periudha terciare dhe që përmban një numër të madh specie endemike.

Shoqëria civile mobilizohet

Ndërsa institucionet heshtin, shoqëria civile ngrihet në këmbë. Më shumë se 40 organizata nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga e gjithë Evropa i kanë kërkuar UNESCO-s që zyrtarisht ta klasifikojë vendin si “në rrezik”, me qëllim që të ngrijë ndërtimet dhe të detyrojë qeveritë të zbatojnë ligjet e tyre. Në Pogradec, ky shqetësim po merr formë konkrete: lëvizja qytetare e banorëve po jep alarmin: « Stop kullave në liqenin e Pogradecit! Pogradeci nuk është Dubai! »

Lexo më shumë  Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara, biznesi miliona euro i suplementeve online në Shqipëri

Një projekt imobiliar parashikon ndërtimin e disa kullave, përfshirë një godinë me 27 kate, në ish-sitin turistik historik të Oktapodit – një godinë e epokës komuniste në formë oktapodi, vetëm disa metra nga brigjet e liqenit. I prezantuar si projekt turistik, ai do të çonte në betonizimin e brigjeve, humbjen e aksesit në liqen për banorët dhe dëmtime të pakthyeshme të biodiversitetit. Një peticion kundër projektit po qarkullon aktualisht.

(https://c.org/CZPFnRFrys)

Në Pogradec, çdo vend rrëfen një histori, dhe pak zëra e mbartin atë me aq sinqeritet e thellësi sa ai i Anastas Kostandinit, i quajtur Taso. Piktor dhe artist monumental, i formuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai jeton dhe punon këtu prej dekadash, duke eksploruar qytetin e lindjes si një territor intim, social dhe poetik. Trashëgimtar i një pasurie shpirtërore të transmetuar nga prindërit e tij, ai pikturon kujtesën familjare, traditat dhe shpirtin e thellë të Pogradecit, në një dialog të vazhdueshëm me liqenin, natyrën dhe banorët.

“Pogradeci nuk ka nevojë për kulla. Ky projekt duhet të ndalet sepse shkatërron një peisazh të brishtë dhe një kujtesë të përbashkët.”

Sot, Taso lëshon një paralajmërim të fortë: ky peizazh nuk është vetëm pamje ose dekor – është një kujtesë e gjallë, një trashëgimi shpirtërore që duhet ruajtur me çdo kusht.

“Pogradeci nuk ka nevojë për kulla. Ky projekt duhet të ndalet sepse shkatërron një peisazh të brishtë dhe një kujtesë të përbashkët. Këto ndërtesa shumëkatëshe shkelin natyrën, panoramën dhe identitetin e Pogradecit. Ato i transformojnë brigjet e liqenit në një ‘anti-qytet’ që u shërben interesave private, kur këto hapësira duhet t’i kthehen natyrës.” thotë ai.

Siç kujton Arian Merolli, ekspert i mjedisit dhe një nga zërat më të respektuar për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit: « Ndërtimet e larta të planifikuara në Pogradec do të dëmtonin rëndë ansamblin urban historik dhe natyror të qytetit, do të ndryshonin marrëdhënien vizuale midis qytetit dhe liqenit, dhe do të gjeneronin impakte kumulative negative mbi atributet që mbështesin vlerën e tij universale të jashtëzakonshme. »

Vizioni urban i inxhinierit francez Albert Garique ka formësuar Pogradecin modern. Ai projektoi një qytet në harmoni me liqenin dhe peizazhin, ku çdo rrugë zbret drejt ujit dhe ku natyra dialogonte me arkitekturën. Ndër realizimet e tij emblematike spikasin kompleksi i vjetër turistik i Pogradecit, pranë vendtakimit të lumit me liqenin, si dhe bulevardi Zogu i Parë (sot rruga R. Çollaku), shembuj të një urbanizmi pionier që kombinon elegancën, funksionalitetin dhe respektin e thellë ndaj mjedisit dhe peisazhit natyror.

Liqeni i Ohrit është një nga ekosistemet më të vjetra të Evropës dhe një dëshmitar unik i historisë njerëzore të kontinentit. Sot, sfida shkon shumë përtej një statusi formal: bëhet fjalë për ruajtjen e një trashëgimie natyrore dhe kulturore me rëndësi botërore. Në vetëm pak ditë nga afati i caktuar nga UNESCO, një pyetje thelbësore mbetet pezull: A do të zgjedhin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut betonin dhe degradimin, apo mbrojtjen e trashëgimisë së tyre universale?

Shkrimi ne origjinal: https://www.courrierdesbalkans.fr/Entre-Albanie-et-Macedoine-du-Nord-l-hiver-suspendu-du-lac-d-Ohrid

Titulli origjinal: Midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dimri në pezull i Liqenit të Ohrit

Rruga Press

YouTube player