Ligjin për Paga/ Kurti: Do ta bëjmë një ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria që ai udhëheqë do të hartojë Ligjin për Paga me të cilin ka thënë se do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave.
“Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që ajo që nuk u bë për 22 vite nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për pagat do ta bëjmë, do ta bëjmë ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave. Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ad hoc të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive sipas preferencave dhe lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin ne kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, në një kabinet minimalist. Kemi ulur shpenzimet qeveritare, janë rritur të hyrat”, ka thënë ai.
“Tash e 22 vite në Kosovë mospunën e një grupi janë munduar ta fshehin me rekrutime shtesë e shtesa të ndryshme që janë përdorur për të rehatuar miq e familjarë. Me ligjin e ri krahas përcaktimit të pagës bazë, kompensimeve e shpërblimeve do të përcaktohen edhe llojet e shtesave. Duke mos lejuar që dy kolegë në të njëjtën zyre për të njëjtën punë të paguhen ndryshe dhe të marrin shtesa në mënyrë të pajustifikuar”, ka shtuar ai.
Rruga Press