KryesoreLajme

“Ligji për portet me porosi”, Tabaku letër BE: Shkelet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit

Deputetja Jorida Tabaku mbajti një konferencë për shtyp përpara nisjes së seancës plenare ku pritet të diskutohet projektligji për portet turistike si investime strategjike, duke ngritur shqetësime serioze për përputhshmërinë e tij me standardet europiane dhe procesin e integrimit.

Në një qëndrim të fortë politik dhe institucional, Tabaku bëri të ditur se i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Europian, autoriteteve të konkurrencës në BE, Parlamentit Europian si dhe delegacionit të BE-së në Tiranë, duke i informuar për shkeljet që, sipas saj, përmban kjo nismë ligjore.

Sipas Tabakut, ndryshimet në ligjin për portet turistike bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prekin drejtpërdrejt disa kapituj kyç të legjislacionit europian, konkretisht kapitujt 5, 8 dhe 14. Ajo theksoi se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një praktike të përsëritur.

Lexo më shumë  Kurti në ceremoninë e NALT-it: FSK po rrit kapacitetet me mbështetjen e NATO-s

“Ligji për portet turistike është një tjetër ligj me porosi, një ndër dhjetëra të tillë që kanë kaluar në Kuvend, duke mbrojtur interesa të veçanta dhe jo interesin publik,” u shpreh Tabaku.

Deputetja e PD e cilësoi këtë projektligj si një tregues të qartë të një modeli qeverisjeje problematik, ku asetet publike dhe pronat shtetërore shpërndahen pa garë dhe pa transparencë. Sipas saj, ky model jo vetëm që cenon konkurrencën e ndershme, por kontribuon edhe në varfërimin e mëtejshëm të vendit.

Në thelb të kritikës së saj ishte edhe mënyra se si qeveria po e trajton procesin e integrimit europian. Tabaku theksoi se integrimi nuk mund të reduktohet në plotësim formal kriteresh në letër, por kërkon zbatim real të standardeve në praktikë.

Ajo kujtoi se qeveria shqiptare ka marrë angazhime për pezullimin e ligjit për investimet strategjike, në kuadër të detyrimeve të kapitullit 31 të negociatave me BE-në, ndërkohë që, sipas saj, po ndodh e kundërta: zgjerimi i privilegjeve për investitorë të caktuar.

Lexo më shumë  Edhe mediat spanjolle habiten: Çmimi i domateve në Shqipëri shkon në 8.4 dollarë për kile

“Në çdo prokurim publik, qoftë edhe për një stilolaps, kërkohet garë dhe procedurë. Ndërsa për pasuritë më të mëdha publike, ato jepen pa garë. Kjo është e papranueshme,” theksoi ajo.

Një tjetër element që ngriti shqetësim ishte edhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ligjit, të cilin Tabaku e cilësoi si një nga aktet më të shpejta të miratuara ndonjëherë në Kuvend, duke shmangur debatet dhe konsultimet e nevojshme.

Në përfundim, Tabaku i bëri thirrje institucioneve europiane dhe vendeve anëtare që të rrisin vëmendjen ndaj zhvillimeve në Shqipëri, veçanërisht në këtë fazë të hapjes së negociatave.

YouTube player