Ligji i ri për armët, cilat janë kriteret për t’u pajisur me armë zjarri dhe kategoritë e tjera?
Çdo person fizik, apo juridik, i cili ka mbushur moshën 25 vjeç, mund të aplikojë për të marrë leje për armë zjarri, ndërsa ata që janë mbi 70 vjeç nuk mund të aplikojnë. Ndonëse, diçka e tillë mund të duket si e thjeshtë, kriteret për t’u pajisur me leje janë forcuar, kjo pasi brenda vitit 2023 Shqipëria duhet të përputhë ligjin e armëve me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
Qëllimi për t’u pajisur me armë, sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Besford Lamallari, duhet përcaktuar ndërsa më pas është një komision që shqyrton çdo kërkesë. “Janë konkretisht, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, për ushtrimin e gjuetisë, sportit të qitjes dhe për qëllime koleksioni. Këto katër arsye, pasi vendosen në formular, shqyrtohen nga një komision i posaçëm”, thotë Lamallari.
Lamallari thotë se tashmë askush nuk mund të marrë leje edhe pa pasur një vendim gjykate, siç ka qenë në ligjin e vjetër.
Për t’u pajisur me armë zjarri, sipas projekligjit të ri, licenca nuk duhet të jetë revokuar në jo me pak se 3 vite, pasi përbën një pengesë direkte. Në projektin e ri parashikohet dhe numri i armëve që mund të mbajë një person, por edhe modelet e tjera të cilat nuk kategorizohen si armë zjarri. Gjithashtu, çdo kërkues duhet të paraqesë një raport mjekësor lidhur me shëndetin fizik dhe mendor.