“Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?
Rasti i projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit po konsolidohet gjithmonë e më shumë si precedent i qartë për mënyrën sesi qeveria rishkruan ligjet dhe procedurat në shërbim të një investitori privat.
Deklaratat e fundit të deputetes socialiste të Vlorës, Zamira Sinaj, në Komisionin Parlamentar për Turizmin e bëjnë këtë realitet të pamohueshëm.
Ajo pranoi hapur se ndryshimet ligjore të propozuara prej saj, më 6 shkurt, në ligjin për portet turistike ishin në fakt një lloj “ligji me porosi” që favorizojnë investimin e Kushnerit. Sipas saj, nëse ky ligj nuk ndryshohej ashtu siç e kishte propozuar, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump do të tërhiqej nga Sazani.
Në të njëjtën kohë, Sinaj tha se qeveria po shqyrton shtyrjen për herë të shtatë të ligjit për investimet strategjike – një instrument që në vitin 2015 u tha se do të ishte i përkohshëm, por që dhjetë vite më pas po rezulton të jetë një mekanizëm i përhershëm favorizimi.
Këto dy zhvillime, dhe fakti i bërë më herët publik nga Citizens.al se negociatat për Sazanin duhej të ishin përmbyllur më 13 nëntor 2025 dhe kanë vijuar përtej çdo afati formal, pa transparencë dhe pa konkurrencë, tregojnë për një politikë favorizuese për Jared Kushner, por edhe betonizuesit e tjerë të mëdhenj të bregdetit.
Nga mungesa e garës te eliminimi i saj me ligj
Që pasi Kushner e prezantoi publikisht projektin pranverën e vitit 2024, propozimi i tij është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe konkurrencës. Për ishullin nuk u hap asnjë thirrje ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë garë alternative.
Por zhvillimi i fundit shënon përthellim të mëtejshëm.
Propozimi i Sinajt – ish-dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë – synon që, në rastet kur një investim ka status “strategjik”, portet turistike që janë pjesë e tij të mos kalojnë më në procedura konkurruese, apo koncesioni, por të ndërtohen dhe operohen drejtpërdrejt nga investitori.
Pra investitori strategjik të marrë automatikisht të drejtën dhe pronësinë e porteve dhe madje kushtet e kontratave për to të mos përcaktohen më me ligj, por me vendime qeverie (VKM).
Në thelb, kemi një zhvendosje nga mungesa e konkurrencës në praktikë te eliminimi i konkurrencës me ligj.
Relacioni shpjegues i projektligjit të Sinajt e bën të qartë natyrën e këtij ndryshimi.
Së pari, ajo pranon se ky propozim nuk synon përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohet se synon shmangien e standardeve dhe procedurave ligjore që garantojnë konkurrencën dhe menaxhimin transparent të aseteve publike.
Së dyti, ish-dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Vlorës thotë në relacion se ndryshimet e propozuara nuk sjellin asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetit.
Nga procedurat sesi e parashikon ligji aktual, dhënia e porteve përfshin tarifa, koncesione ose ndarje fitimi me formula ortakërie, dhënie me qira apo përdorim të përkohshëm. Këtu, këto mekanizma zhduken dhe praktikisht portet falen.
Së treti, vetë relacioni e pranon që synimi është krijimi i një “trajtimi të veçantë” për investitorin. Pra, kemi një model ku hiqet konkurrenca, hiqet përfitimi për shtetin dhe legjitimohet privatizimi me trajtim preferencial.
Në praktikë, këto ndryshime i japin investitorëve jo vetëm tokën dhe plazhin, por tashmë edhe detin.
Ku mendohet se përfiton Kushner?
Përmes ndryshimit të kërkuar “privatët strategjik” marrin automatikisht edhe detin. Në rastin e propozimit të Kushnerit, ai do të përfitojë portin e vetëm që ka Sazani, atë në Gjirin e Shënkollës, i cili ka mbajtur rëndësi ushtarake.

Nëse projekti do të shtrihet edhe në Zvërnec, sipas ideve të bëra publike më herët (edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë aplikim dhe status për të) ndryshimet ligjore të propozuara do t’i mundësonin Kushnerit ndërtimin e një porti të dytë, duke krijuar një linjë kontrolli mbi aksesin detar në veri të Gjirit të Vlorës.
Kjo përkthehet në kontroll mbi infrastrukturën turistike portuale, aksesin në vijën bregdetare dhe në praktikë, privatizim të hapësirës detare.
Kjo është një praktikë e qartë e kapjes së procedurave. Nuk bëhet më fjalë për interpretime të favorshme të ligjeve ekzistues, por për rishkrime të shoqëruara me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike.
Ky ligj u prezantua si instrument i përkohshëm në vitin 2015. Por në praktikë, gjatë kësaj dekade ai është përdorur për të krijuar një regjim të qëndrueshëm “investitorësh të përzgjedhur” kryesisht nga afërsia me qeverinë.
Rasti i Sazanit nuk është i izoluar, por tregon edhe një herë marrëdhëniet selektive të shtetit shqiptar me investitorët, me procedura që anashkalohen, ligje që tjetërsohen dhe asete që privatizohen pa garë, transparencë dhe konsensus publik./Citizen.al
Rruga Press

