LIBRI I JAVËS/MBRETI I VERRISHTAVE-MICHEL TOURNIER
-Koment nga përkthyesi Balil Gjini
Vetë titulli Mbreti i verrishtës është një thirrje ndaj mitologjisë gjermane, ndaj miteve të saj të thella. Por romani trajton, gjithashtu, cdhe nje mit më universal, atë të Lugatit.
Një fëmijëri e rritur pa dhembshuri, një adoleshencë e pervuajtur, një zanat që e giykon poshtë aftësive të vetes, kanë ndihmuar ta bëjnë Abel Tiffauges-in armik të shoqërisë dhe njerëzve që takon. Por një mesele e jetës se tij prej shkollari i ka mbushur mendjen se ekziston një bashkëfajesi sekrete midis rrjedhës së gjërave dhe kismetit të tij vetjak: sepse një mëngjes, teksa i duhej të paraqitej përpara këshillit të disiplinës, ka uruar që kolegji të shkatërrohej nga një zjarr. E nëse në gjasat e rëndomta kjo lloj lutjeje mbetej pa efekte, ne këtë rast flaka çliruese ia ka behur …
Brenda Tiffauges-it janë edhe magu, edhe vurkollaku, i pari udhërrefyes, i dyti ndihmës. Bash kësisoj, kur një çështje dhunimi rrezikonte ta çonte në burg, mobilizimi i 1939 bën që t’i ndërpritet gjyqi: shkolla është djegur rishtazi!
I burgosur, në vitin 1940, ai ka përçapur drejt Prusisë Lindore. E ndërsa shokët e tij dërrmohen nga kjo fushë e pafundme dhe e yrtët, Tiffauges-i kundron aty tokën magjike që e priste dhe përhas një liri të allasojtë në roberinë e vet.
Dy lugetër madhorë mbretërojnë mbi pyjet dhe moçalishtet e saj: Göring-u, Lugati i Rominten-it, vrasësi i madh i drerëve dhe llupitës i mishit të gjahut dhe Hitleri, Lugati i Rastenburg-ut që i përdor si mish për top fëmijët gjermanë. Tiffauges-i bëhet lugati i Kaltenborn-it, një kështjelle e moçmoçme teutonike, ku janë përzgjedhur dhe grumbulluar djelmosha aguridhë, të thirrur per t’u bërë lulja e Rajhut III.
Veç hararetit të tjetërfartë të nje anarkisti të zënë në kurth prej fashizmit, aventurës realiste të një të burgosuri francez në Gjermani, vazhdimit koherent të variacioneve mbi temën e mishit te freskët dhe gllabërimit të tij, si dhe portreteve të disa lugetërve, ky roman ka edhe një ambicie më të thellë: atë të nxjerrjes së përfundimeve prej “luftës së çuditshme”, hitlerizmit, kampeve të përqendrimit dhe vershimit te ushtrisë së kuqe sipas një rruge thjesht simbolike, por pa rënë në grackën ë historisë dhe psikologjjisë.
Së mbrami, i rivendosur në perspektivën e hapur prej Premti ose jeta e egër, Mbret i verrishtave shfaqet si një ese për të përshkruar një model të ri të seksualitetit jogjenital.
Shqipëroi: Balil Gjini
Shtëpia Botuese: Ombra GVG 2008
