Libri i javes

LIBRI I JAVËS/DISIPLINË DHE NDËSHKIM-MICHEL FOUCAULT

POST-SCRIPTUM

MBI SHOQËRITË E KONTROLLIT

Nga Gilles DELEUZE

  1. Historik

Foucault e ka vendosur lindjen dhe zhvillimin e shoqërive disiplinore në Perëndim në shekujt XVIII dhe XIX; ato arrijnë kulmin e tyre në fillim të shekullit XX, duke patur si veçori të funksionimit organizimin e mjediseve të mëdha të mbylljes. Individi nuk resht së kaluari nga një mjedis i mbyllur në tjetrin dhe secili prej tyre rregullohet nga ligjet e veta: në fillim familja , pastaj shkolla (“nuk je më në shtëpi këtu”), pastaj ushtria (“nuk je më në shkollë këtu”), herë-herë spitali, pastaj ndoshta dhe burgu, që është mjedisi i mbylljes par excellence. Burgu shërben edhe si model analogjik: kështu, heroina e Europa 51[1], duke parë punëtorët në uzinë, rënkon: «m’u duk sikur të kisha parë të dënuar…». Foucault e ka zbërthyer më së miri projektin ideal të mjediseve të mbylljes, veçanërisht i dukshëm në rastin e uzinës: përqendrim; shpërndarje në hapësirë; renditje në kohë; ndërthurje në hapësirë-kohë e një force prodhimi rezultati i së cilës duhet të jetë më i lartë se shuma e forcave fillestare. Por Foucault dinte mire edhe diçka tjetër përkohësinë e këtij modeli; ai pasonte shoqëritë e sovranitetit, qëllimi dhe funksioni i të cilave ishin krejt të tjera (të vjelë më shumë sesa të organizojë prodhimin, të vendosë për vdekjen më shumë sesa të kujdeset për jetën); kalimi ishte jo i menjëhershëm dhe Napoleoni duket se siguroi boshtin e konvertimit të madh nga njëra shoqëri te tjetra. Mirëpo, disiplinat do të binin po ashtu në krizë, si pasojë e ndikimit të forcave të reja që po zinin vend dhe bëhen të prekshme sidomos pas Luftës së Dytë Botërore: shoqëritë disiplinore kishin pushuar tashmë së qeni bota jonë, ishin tashmë e kaluara jonë.

Ne jetojmë sot në kohën e një krize të përgjithësuar të të gjitha mjediseve të mbylljes, burgje, spitale, uzina, shkolla, familje. Familja në krizë si të gjitha mjediset e është një «mjedis i brendshëm tjera të brendshme», shkollore, profesionale, etj. Ministrat përkatës na lajmërojnë pa pushim për reforma demek të domosdoshme.

Të  reformojmë shkollën, të reformojmë industrinë, spitalin, ushtrinë, burgjet por të gjithë e dinë se këto institucione kanë marrë fund, herët a vonë. Bëhet fjalë vetëm t’u zgjatet agonia, të merren njerëzit me diçka sa të zënë vend forcat e reja që po trokasin në derë. Shoqëritë disiplinore janë duke u zëvendësuar nga shoqëritë e kontrollit. – Kontrolli është emri që propozon Burroughs[2] për të cilësuar përbindëshin e ri dhe Foucault e pranon si të ardhmen tonë të afërt. Nga ana tjetër Paul Virilio[3] nuk resht së analizuari format ultra të shpejta të kontrollit në terren të hapur që zënë vendin e disiplinave të vjetra të ushtruara në kohëzgjatjen e një sistemi të mbyllur. Nuk është vendi të përmenden prodhime farmaceutike të papara, formime bërthamore, manipulime gjenetike, edhe pse të gjitha këto tentojnë të bëhen pjesë e procesit të ri. Nuk është vendi të pyesim se cili është regjimi më i egër ose më i pranueshëm, sepse në secilin nga ta përballen liritë dhe nënshtrimet përkatëse. Për shembull, me krizën e spitaleve, si mjedise mbylljeje, sektorizimi, spitalet e ditës, mjekimet në shtëpi mund të kenë shënuar në fillim liri të reja, por po ashtu u përfshinë më pas si pjesë të disa mekanizmeve të kontrollit, që maten me mjediset më të ngurta të mbylljes . Nuk është vendi të frikësohemi apo të shpresojmë , por të kërkojmë armë të reja.

 II. Logjikë

Internatet e ndryshme dhe mjediset e tjera të mbylljes nëpër të cilat kalon individi janë ndyshore të pavarura: duhet nisur çdo herë nga e para dhe nëse gjuha e përbashkët e mjediseve të tilla ekziston, ajo është analogjike. Ndërkohë që kontrollet e ndryshme përbëjnë ndryshueshmëri të pandara dhe formojnë një sistem me gjeometri të ndryshueshme, gjuha e të cilit është numerike (gjë që s’do të thotë me doemos binare). Mbylljet janë si kallëpe (moules) , me derdhje (moulages) të veçanta, kurse kontrollet paraqiten si një modulim, si një derdhje vet-shformuese që do të ndryshonte pareshtur, nga çasti në çast, ose si një sitë, nyjet e së cilës do të ndryshonin nga një pikë te tjetra.

Mund ta shohim fare mirë me çështjen e rrogave: uzina ishte një trup që i çonte forcat e brendshme në një pikë ekuilibri, sa më të lartë të mundshme për prodhimin dhe sa më të ulët të mundshme për pagat: por, në shoqëritë e kontrollit, ndërmarrja ose firma zëvendëson uzinën, dhe ndërmarrja nuk është trup por shpirt, është si një gaz. Sigurisht, edhe uzina e përdorte tashmë sistemin e shpërblimeve individuale, por ndërmarrja përpiqet të zhvillojë një modulim më në thellësi të çdo rroge, në gjendje metastabiliteti të perhershme që kalojnë nëpër sfida, konkurse, stazhe e trainime tejet komike. Suksesi i madh lojërave televizive më idiote sot, shpjegohet pikërisht me faktin se ato pasqyrojnë dhe përputhen më situatën aktuale të ndërmarrjes. Uzina i ndërtonte individët si trupa, në të mirë të dyfishtë edhe të pronarëve që mbikëqyrnin secilin element të masës, edhe të sindikatave që mobilizonin një masë rezistence; kurse ndërmarrja nuk resht së nxituri një konkurrencë të pamëshirshme nën emrin e emulacionit të shëndoshë, shtysë e shkëlqyer që i kundërvë individet mes tyre dhe që e përçan secilin në vetvete, duke e dyzuar. Parimi modulator i «pagës sipas meritës» po grish edhe shkollën dhe sistemin e arsimit dhe në fakt, ashtu si firma zëvendëson uzinën, ashtu edhe formimi i zgjatur po zëvendëson shkollën, dhe kontrolli i vazhdueshëm provimin. Gjë që është mënyra më e mirë për ta vënë shkollën në duart e ndërmarrjes.

Në shoqëritë disiplinore, rifillimet pasojnë njëri-tjetrin (nga sholla në kazermë, nga kazerma në uzinë), kurse në shoqëritë e kontrollit asgjë nuk përfundon asnjëherë dhe ndërmarrja, formimi, sherbimi janë gjendjet metastable dhe bashkekzistuese të të njëjtit modulim, si të një deformatori të përgjithshëm. Kafka, që gjendej në kufirim mes dy shoqërive, ka përshkruar tek Procesi format më të frikshme gjyqësore: lirimi në dukje i shoqërive disiplinore (mes dy mbylljesh), zvarritja e pafundme e shoqërive të kontrollit (në ndryshueshmëri të vazhdueshme), janë dy mënyra jetese juridike shumë të ndryshme dhe, nëse drejtësia jonë është e drojtur, e përfshirë nga kriza, kjo ndodh sepse jemi duke dalë nga njëra për të hyrë te tjetra. Shoqëritë disiplinore kanë dy pole: nënshkrimin që tregon individin dhe numrin ose numrin rendor që tregon vendin e tij brenda masës. Në fakt disiplinat nuk i kanë parë kurrë këto dy tipare si të papërputhshme dhe pushteti ushtrohet njëkohësisht si masifikues dhe individualizues, domethënë ndërton si trup ata mbi të cilët ushtrohet dhe derdh në kallëp individualitetin e çdo anëtari gjymtyrë (membre) të trupit masiv (Foucault e gjente origjinën e këtij shqetësimi të dyfishtë tek pushteti baritor i priftit – që kujdeset për kopenë në tërësi dhe secilën nga delet por pushteti civil shndërrohet në «bari laik» dhe me mjete të tjera). Në shoqëritë e kontrollit, përkundrazi, thelbësor nuk është nënshkrimi apo numri rendor, por shifra si kod; shifra është fjalëkalim (mot de passe) ndërsa shoqeritë disiplinore punojnë me fjalë-direktiva apo urdhëresa (mots d’ordre), si nga pikëpamja e integrimit edhe nga ajo e rezistencës. Gjuha numerike e kontrollit përbëhet nga shifra që përcaktojnë hyrjen në një informacion të caktuar apo refuzimin e tij. Nuk jemi më përballe çiftit masë-individ. Individet janë shndërruar në «dividualë», kurse masat në kampione, të dhëna, tregje ose «banka të dhënash». Paraja ndoshta shpreh më mirë dallimin mes dy shoqërive, sepse disiplina gjithmonë u është referuar monedhve të shtypuara kallëp që përmbanin ar si numër etalon, ndërkohë që kontrolli punon me këmbime të rrjedhshme, modulime që përdorin si shifër një përqindje monedhash të ndryshme të marra si kampione. Urithi i vjetër monetar është kafsha tipike e mjediseve të mbylljes, per ajo e shoqërive të kontrollit është gjarpri. Kemi kaluar nga një kafshë tek tjetra, nga urithi tek gjarpri, me regjimin ku jetojmë: por githashtu edhe në mënyrën tonë të jetesës, si dhe në raportet me të tjerët. Njeriu i disiplinave ishte prodhues i segmentarizuar energie, por njeriu i kontrollit është më shumë valor, i kurbëzuar, i hedhur në orbitë, me prurje të vazhdueshme. Gjithandej surf-i ka zëvendësuar sportet e vjetra.

Është e lehtë ta përngjasësh çdo shoqëri me lloje të caktuara makinash, jo sepse makinat janë përcaktuese, por sepse ato shprehin më së miri format shoqërore të afta për t’i nxjerrë në dritë dhe për t’i përdorur. Shoqëritë e vjetra të sovranitetit përdornin makina të thjeshta dhe të rënda, leva, çikrikë, sahate; kurse shoqëritë e vona disiplinore kishin si pajisje makina energjitike, me rrezikun pasiv të entropisë dhe atë aktiv te sabotimit: shoqëritë e kontrollit nderkohë, veprojnë me makina të llojit të tretë, makina informatike dhe ordinatorë për të cilat rreziku pasiv është zhurmimi dhe ai aktiv piratimi dhe futja e viruseve. Nuk është thjesht evolucion teknologjik, por më në thellësi edhe një mutacion i kapitalizmit. Ky mutacion është i njohur dhe mund të përmblidhet kështu: kapitalizmi i shekullit XIX ecën më përqëndrim, synon prodhimin dhe me organizohet‚ në pronësi. Ai ngre kështu uzinën si mjedis mbylljeje dhe kapitalisti është pronar i mjeteve të prodhimit, por eventualisht edhe pronar i mjediseve të tjera të organizuara në analogi (shtëpia familjare e punëtorit, shkolla). Sa për tregun, sundimi në të sigurohet herë nëpërmjet specializimit, herë kolonizimit, herë me uljen e kostos së prodhimit. Mirëpo, në gjendjen aktuale, kapitalizmi nuk është më për prodhimin, që e degdis shpesh në periferitë e botës së tretë,  madje edhe strukturat komplekse të industrise tekstile metalurgise dhe naftes. Kemi një kapitalizëm mbiprodhimi, që nuk vlen me lëndet e para dhe nuk shet me prodhime të gatshme blen prodhime te gatshme ose monton pjeset e këmbimit. Ato që tanimë don të shesë janë shërbimet, dhe ato që don të blejë, aksionet. S’është më një kapitalizëm për podhimin por për produktet, domethënë për shitje ose per tregun. Kështu edhe në thelb është bërë shpërndarës dhe uzina sa ia ka lënë vendin sipërmarrjes. Familja, shkolla, ushtria, uzina nuk janë më mjedise analogjike të dallueshme që përmblidhen drejt një pronari, shtet apo fuqi private, por figurat e koduara, të pakshme dhe të shformueshme, të së njëjtës ndërmarrje që s’ka me veçse administratorë. Madje edhe arti i ka braktisur mjediset e mbyllura për të hyrë në qarqet e hapura të bankës. Sundimet e tregut bëhen me marrje kontrolli dhe jo më me formime disiplinash, me caktimin e kurseve më shumë sesa me uljen e kostos, duke transformuar produktet më shumë se duke specializuar prodhimin. Korrupsioni fiton tani një përmasë të re. Shërbimi i shitjes është bërë qendra ose “shpirti” i sipërmarrjes. Na thonë se dhe sipërmarrjet paskan shpirt, gjë që është përnjëmend lajmi më i frikshëm në botë. Marketingu është bërë mjeti sundues i kontrollit shoqëror dhe po na formon racën e pacipë të eprorëve të rinj. Kontrolli është afatshkurtër dhe me rrotullim të shpejtë, por njëkohësisht i vijueshëm dhe i pakufizuar, kurse disiplina ishte afatgjatë, e pafundme dhe e copëzuar. Njeriu i sotëm nuk është më njeriu i mbyllur, por njeriu me borxhe, jo njeriu i disiplinave, por njeriu i kredive. Ndërkaq, është po aq e vërtetë se kapitalizmi ka patur si vijë të qëndrueshme mjerimin e skajshëm të tri të katërtave të njerëzimit, tepër të varfër për t’u dhënë borxhe, tepër të shumtë për t’u mbyllur kontrollit do t’i duhet të përballojë jo vetëm fashitjet e kufijve, por edhe shpërthimin e paralagjeve (bidonvilles), periferive dhe getove.

III. Program

S’është nevoja fare per fantashkencë për të përfytyruar një mekanizëm kontrolli të atillë që të japë në çdo çast vendndodhjen e një elementi në mjedis të hapur, të kafshës në një rezervë, të njeriut në ndërmarrje (byzylyku elektronik). Felix Guattari përfytyronte një qytet ku kushdo mund të dilte nga banesa, rruga, lagjja e vet falë një karte elektronike (dividuale) që bënte të ngrihej këtë apo atë pengesë; por, po ashtu, karta mund të refuzohej filan ditë, apo mes filan orësh; e rëndësishme nuk është pengesa, por makina informatike që përcakton vendndodhjen e çdokujt, të ligjshme apo të paligjshme, duke kryer nje modulim të përgjithshëm.

Studimi socio-teknik i mekanizmave të kontrollit, i nisur në agun e tyre, do të duhej të ishte kategorial dhe të përshkruante elementët që po hyjnë në veprim në vend të mjediseve të mbylljes disiplinore, krizën e të cilëve e pohojnë të gjithë. Ka të ngjarë që edhe mjete të vjetra, të huazuara nga shoqëritë e kaluara të sovranitetit, të rivihen në punë, por me përshtatjet e nevojshme. E rëndesishme është se kemi të bëjmë me fillimin e diçkaje të re. Në regjimin e burgjeve: kërkimi  i dënimeve alternative, apo zëvendësuese, të paktën për shkeljet e vogla, dhe përdorimi i «byzylykëve elektronikë» që e detyrojnë të dënuarin të rrijë në shtëpi në orë të caktuara. Në regjimin e shkollave: format e kontrollit të vazhdueshëm, dhe ndikimi i formimit të zgjatur mbi shkollën, braktisja përkatëse e çdo kërkimi në Universitet, futja e «sipërmarrjes» në të gjitha nivelet e shkollimit. Në regjimin e spitaleve mjekësia e re «pa mjekë dhe të sëmurë», që dëmton të sëmurët potencialë dhe subjektet me rrezik të mundshëm, gjë që ndryshe nga sa duan të thonë, nuk dëshmon për ndonjë zhvillim drejt individualizimit, por zëvendëson trupin individual ose numëror, me shifrën e një lënde «dividuale» të kontrollueshme. Në regjimin e ndërmarrjes: trajtimet e reja të parasë, produkteve dhe njerëzve, që s’kalojnë më nga forma-uzinë e dikurshme. Janë vetëm disa shembuj të pakët e të paplotë, por që mund të na bëjnë të kuptojmë më mirë atë që quhet si krizë e institucioneve, domethënë vendosjen e shtruar dhe të shpërhapur të një regjimi të ri sundues. Një nga çështjet më të rëndësishme do të kishte të bënte me paaftësinë e sindikatave: duke pas qenë të lidhura, gjatë gjithë historisë së tyre, me luftën kundër disiplinave dhe mjediseve të mbylljes, a do të dinë të përshtaten apo do t’ua lënë vendin formave të reja të rezistencës kundër shoqërive të kontrollit? A mund të perceptojmë që tani ndonjë skicë të këtyre formave të ardhshme, të afta të sulmojnë lumturinë e hareshme to marketingut? Çuditesh kur sheh se shumë të rinj duan të jenë «të motivuar» kërkojnë me ngulm stazhe, trajnime e formime të zgjatura: atyre u takon të zbulojnë se kujt i shërbejnë dhe ç’i shtyn me kaq ngulm të bëhen shërbyes, ashtu si paraardhësit e tyre zbuluan, dhe jo pa mund, qëllimin e fshehur të disiplinave. Unazat e gjarpërinjve janë akoma më të pleksura se vrimat e folesë së urithit.

 1990


[1]  Europa 51 është film i kineastit italian neorealist Roberto Rossellini. Heroina në fjalë, e luajtur nga Ingrid Bergman, është një grua e borgjezisë së lartë të huaj në Romën e pasluftës (1951) e cila, pas vdekjes së djalit të vet 10-vjeçar si pasojë e një përpjekjeje dramatike për të vrarë veten, ndërgjegjësohet për dhimbjen e të tjerëve dhe ndërmerr një “zbritje” simbolike dhe iniciatike në shtresat e varfra të popullsisë. E shoqëruar nga një mik gazetar komunist në një nga lagjet “përtej stacionit të fundit të tramvajit”, një nga çastet më të forta të filmit është ai kur heroina e gjen veten për herë të parë në jetën e saj në uzinë, për të zëvendësuar një grua që duhet të takojë të fejuarin në një qytet tjetër. Tronditja e saj nga kushtet e punës, mbylljes dhe mbikëqyrjes është aq e madhe sa vendos të punësohet në uzinë, vendim që sigurisht shkakton prishjen me familjen dhe burrin e saj diplomat – [të gjitha shënimet janë të përkthyesit.]

[2] William Burroughs ( 1914-1987 ), shkrimtar amerikan i njohur për metodat e tij letrare moderne dhe eksperimentale  përvojën e drogës, dhe analizën e formave më të sofistikuara të pushtetit dhe kontrollit në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshire edhe në trup e në gjuhë . Për një njohje të parë me veprën e tij të shumëfishtë (ndër të tjera libri Naked lunch (Dreka lakuriqe) i përshtatur me të njëjtin titull në kinema nga kineasti kanadez David Cronnenberg) mund të shihet, në shqip, antologjia e tij me titullin Drejt trupit pa organe, botimet LOGORECI, Tiranė 2003.

[3] Paul Virilio: filozof, sociolog dhe estet bashkëkohor francez, profesor në Shkollën Kombetare te Arkitektures te La Villette ne Paris. Eshte marrë gjerësisht me studimin e pasojave teorike, sociale, politike e estetike të zhvillimit masiv të mjeteve dhe teknologjive të informacionit të shpejtë. Vepra e tij e fundit është organizimi në vitin 2003, ne Fondacionin Cartier për Artin Bashkëkohor në Paris, i një ekspozite mbi aksidentet, si tregues gjithnjë e më thelbësorë të strukturës së shoqërive moderne.


Shqipëroi: Orgest Azizi

Shtëpia botuese: Botimet Odeon, 2010

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *