Liberalët sllovenë të kryeministrit Golob fitojnë zgjedhjet, por humbasin shumicën në parlament
Kryeministri slloven Robert Golob ka fituar ngushtë zgjedhjet e djeshme parlamentare, por ka humbur shumicën qeverisëse me partnerët e tij të majtë, sipas rezultateve paraprake zyrtare.
Partia e tij liberale, Lëvizja për Liri (GS), siguroi 28,54% të votave dhe 29 mandate, duke dalë forcë e parë në parlament.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike Sllovene (SDS) e udhëhequr nga ish-kryeministri Janez Jansa renditet shumë pranë, me 28,17% të votave dhe 28 vende në parlament.
Rezultati i ngushtë e bën të paqartë krijimin e një shumice të qëndrueshme, pasi as blloku i majtë dhe as ai i djathtë nuk arrijnë pragun prej 46 mandatesh në parlamentin me 90 vende.
Pavarësisht kësaj situate, Golob ka deklaruar se do të përpiqet të formojë qeverinë e re, duke theksuar se votuesit i kanë rinovuar mandatin.
Ai pranoi se negociatat për krijimin e koalicionit do të jenë të vështira dhe mund të zgjasin.
Në qeverinë aktuale që prej vitit 2022, Golob ka drejtuar një koalicion me Social Demokratët (SD) dhe partinë e majtë Levica.
Në këto zgjedhje, SD mori 6,7% të votave dhe gjashtë mandate, ndërsa Levica, në aleancë me Partinë e Gjelbër Vesna, siguroi 5,6% dhe pesë vende.
Ndërkohë, Jansa ka sinjalizuar se mund të kontestojë rezultatin e ngushtë, duke kërkuar rinumërim të votave.
Aleati tradicional i SDS-së, partia konservatore Sllovenia e Re (NSi), mori 9,3% të votave dhe nëntë mandate, ndërsa një forcë e re politike,
Demokratët e udhëhequr nga Anze Logar, fitoi 6,7% dhe gjashtë vende.
Fushata zgjedhore u dominua nga akuza për korrupsion, të shoqëruara me publikimin e videove të dyshimta që synonin kampin qeverisës.
Shërbimet inteligjente sllovene konfirmuan pjesërisht raportimet për përfshirje të një agjencie izraelite, ndërsa ministrja e Jashtme Tanja Fajon e cilësoi këtë si një “sulm ndaj demokracisë” në vend.
Rruga Press

