Libani në prag të luftës me Izraelin, Hezbollahu: 1 miliardë arabë janë gati të mbështesin Gazën
Do t’ju duhet një copë e madhe letre për të renditur çdo krizë kombëtare me të cilën është përballur populli i Libanit gjatë 50 viteve të fundit.
Ky komb multifetar ka luftuar prej kohësh për ta bërë veten të funksionojë, me mosmarrëveshjet politike që përfunduan në konfrontim të dhunshëm dhe një luftë civile 15-vjeçare.
Situata aktuale ofron pak arsye për t’u ndjerë i gëzuar, ndërsa një qeveri e përkohshme përpiqet të kapërcejë një krizë ekonomike katastrofike.
Megjithatë, njerëzit kanë diçka tjetër për t’u shqetësuar, pasi sulmi i Hamasit mbi civilët në Izrael kërcënon edhe Libanin me përfshirjen në një lufte gjithëpërfshirëse me Tel Avivin, e cila po afrohet gjithmonë edhe më tepër në kufirin e tyre jugor.
Fraksioni më i fuqishëm i vendit, grupi shiit Hezbollah, është aktualisht i përfshirë në një betejë kokë më kokë me izraelitët, kryesisht duke u luftuar brenda disa kilometrave të kufirit të tyre të përbashkët.
Por ky konflikt i kufizuar mund të ndryshojë shpejt, pasi lideri i Hezbollahut të mbështetur nga Irani, Hassan Nasrallah, ka shprehur pa kushte mbështetjen ndaj militantëve të Hamasit.
Në një fjalim të transmetuar javën e kaluar, Nasrallah paralajmëroi se “të gjitha opsionet janë të hapura“.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është a e mbështet populli i Libanit një luftë të plotë me Izraelin?
Të gjithë e dinë se sa shkatërruese do të ishte një luftë, sepse Libani e ka kaluar atë më parë.
Në vitin 2006, Hezbollahu dhe Izraeli u përballën në një luftë katastrofike 33-ditore, e cila zhvendosi një milion njerëz në Liban. Pjesë të mëdha të Bejrutit jugor u shkatërruan nga bombardimet izraelite.
Ish-kryeministri, Fouad Siniora, i cili mori meritat për udhëheqjen e negociatave që zgjidhën atë konflikt në një intervistë ekskluzive me Sky News, tha se Libani nuk mund të përballojë një luftë tjetër.
“Në 50 vitet e fundit Libani ka vuajtur nga gjashtë pushtime izraelite në vitin 1969 në 78 në 82, në 93, 96 dhe 2006. Sa konflikte mund të përballojë ky vend? Unë nuk mund ta pranoj këtë. Tani Libani vuan nga një sërë krizash të mëdha që shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Kemi një krizë politike, nuk mund të biem dakord për zgjedhjen e një presidenti të ri, ne nuk mund të rinovojmë institucionet tona dhe kemi një krizë të rëndë ekonomike. Kjo është arsyeja pse unë e kam bërë të qartë. Ne nuk mund të përfshihemi në këtë luftë.” – Fouad Siniora – Ish-kryeministër i Libanit
Megjithatë, si shumë libanezë, ish-kryeministri është thellësisht i zemëruar për pushtimin izraelit të Gazës dhe dështimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë.
Dhe pikërisht këtu Siniora e gjen veten në një mendje me Hezbollahun, të cilët thonë se situata me të cilën përballen palestinezët në Gaza është e papranueshme.
Për Sky foli edhe Kassem Kassir, një figurë që konsiderohet gjerësisht si e afërt me udhëheqjen e Hezbollahut.
“Unë dua paqe [me Izraelin]. Ne të gjithë duam paqe, por nuk do të ketë paqe [në rajon] pa paqe në Gaza. Ajo që po ndodh nuk mund të tolerohet. Pyetja duhet bërë anasjelltas: “A është e mundur të heshtësh për atë që po ndodh në Gaza?” – Kassem Kassir
Zemërimi dhe zhgënjimi i shprehur nga Siniora dhe udhëheqja e Hezbollahut janë të përbashkëta dhe jashtëzakonisht të ngjashme. Të dy palët kanë një qëndrim ndryshe sa i përket asaj se çfarë duhet bërë për konfliktin. Ish-kryeministri thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndalë luftën – dhe ta bëjë atë shpejt.
“Ka një situatë që duhet adresuar përndryshe askush nuk mund ta ndalojë situatën të përfshijë shumë vende të tjera dhe shumë lojtarë të tjerë prandaj çështja është kaq urgjente, e ndjeshme dhe [potencialisht] shkatërruese.” – Fouad Siniora – Ish-kryeministër i Libanit
Hezbollahu e sheh acarimin dhe indinjatën me një sy tjetër. Në një vend të ndarë, emocione të tilla janë një pasuri për t’u shfrytëzuar sipas Kassir.
“Hezbollahu merr parasysh praninë e opinionit publik mbështetës. Sa më shumë që Izraeli vazhdonte masakrat, aq më shumë njerëzit i afroheshin idesë së pranimit të luftës… çdo ditë që lufta zgjerohet brenda Gazës, populli libanez i afrohet përfshirjes në luftë.” – Kassem Kassir
Ky është një zbulim i rëndësishëm dhe na afron më shumë me të menduarit strategjik të Hezbollahut. Me një krah ushtarak që mund të luftojë – por nuk mund t’i mposhtë izraelitët, udhëheqësit e tyre po kërkojnë një bazë mbështetjeje në Liban dhe rajon.
Pa të, njerëz si Nasrallah do të shqetësohen për pasojat shkatërruese që do të pasojnë një përplasje të madhe.
“Ka 5 milionë njerëz në Liban, gjysma e të cilëve mund të mbështesin palestinezët, por ka një miliard arabë në rajon që janë gati të hyjnë në luftë dhe të mbështesin Gazën. Ne do ta bëjmë sakrificën kur të vijë koha e duhur. Ne nuk do të heshtim më dhe i gjithë rajoni do të hyjë në luftë, duke përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë. Do të jetë një moment historik”, thotë Kassir.
Rruga Press