KryesoreLajme

Levits i shpreh kryeparlamentarit Konjufca mbështetje të plotë për Kosovën

Kryetari i Kuvendit Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.

Kryetari Konjufca tha se ndjehet i nderuar që pret në takim presidentin e një shteti mik si Republika e Letonisë, që ishte ndër vendet e para anëtare të Bashkimit Evropian i cila njohi Kosovën si një Republikë të pavarur dhe sovrane, pas shpalljes së pavarësisë.

Ai e falënderoi presidentin Levits për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Letonisë ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke shprehur njëherësh mirënjohje edhe për kontributin e trupave letoneze që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Duke folur për situatën aktuale politike dhe sfidat e sigurisë, si pasojë e agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë, kryetari Konjufca theksoi se Rusia dhe aleati i saj, Serbia, përbëjnë kërcënim serioz për paqen e stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Prandaj është nevojë urgjente integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor, theksoi ai, duke kërkuar nga presidenti Levits mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës në këtë rrugëtim.

Presidenti Levits theksoi se e mirëpresin aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe konfirmoi qëndrimin përkrahës të Republikës së Letonisë për liberalizimin e vizave, si dhe ndaj aspiratave të shtetit të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe në organizata e forume të tjera ndërkombëtare.

Kryetari Konjufca dhe presidenti Levits shprehën vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të shumta me interes të përbashkët dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Letonisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *