Letra e plotë e politikanëve të huaj që iu dërgua ShBA-së, BE-së dhe Britanisë për proporcionalitet në lidhje me Kosovën dhe Serbinë
Politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj Serbisë në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të kenë qasje më të ekuilibruar sa i përket rasteve si ai i joproporcionalitetit të masave që janë ndërmarrë ndaj Kosoves.
Në letrën drejtuar SHBA-së dhe BE-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se Perëndimi po ndjek politike të butë ndaj Serbisë.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns në një postim të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, tha se është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen bashkë për të ngritur shqetësimet e tyre.
“10 Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe 56 parlamentarë i kanë bërë thirrje ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojnë qasjen në drejtim të Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.
Letra e plotë:
Josep Borell – Përfaqësues i Lartë per Punë të Jashtme dhe zv.Kryetar i Komisionit Evropian, BE
Antony Blinken – Sekretar i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ShBA
Rt Hon James Cleverly MP, Sekretar i Shtetit për Punë të Jashtme, të Commonwealth-it dhe Zhvillimit, Mbretëria e Bashkuar
Shkëlqesi,
Ju shkruajmë për të ngritur shqetësimet tona rreth politikës aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ne besojmë se ngjarjet dhe krizat e fundit kanë nxjerrë në pah të metat në qasjen tonë kolektive dhe do të kërkonim që ajo të rishqyrtohej.
Teksa përqëndrimi ynë duhet të mbetet te normalizimi i marrëdhënieve dhe rruga e vazhdueshme euro-atlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen te de-përshkallëzimi dhe parandalimi.
Bojkoti i zgjedhjeve komunale nga serbët e Kosovës më 23 prill, sulmi i mëvonshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj dhe ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor, të gjitha tregojnë për shkuarje drejt një përkeqësimi të shpejtë të situatës, e cila jo vetëm që kërcënon dialogun Beograd-Prishtinë, por edhe vetë paqen rajonale. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Serbi-Kosovë nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme.
Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionuese. Ky fakt duhet të përbëjë themelin për politikën tonë kolektive ndaj krizës aktuale. Përpjekjet për t’i prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje e huaj me masa të prekshme të zbatuara për t’i mbajtur ata përgjegjës nëse vazhdojnë t’i minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore. Ne duhet të ushtrojmë diplomaci parandaluese nëse kriza aktuale është për t’u zgjidhur, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet.
Ne kërkojmë që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti kur merremi me Kosovën dhe Serbinë.
Kosova është përballur me pasoja domethënëse pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e presionit të ushtruar ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në adresimin e pikave të tilla të nxehta.
Ne sjellim në vëmendjen sanksionimin e fundit nga qeveria amerikane të Aleksandar Vulin, kreut të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
Qasja aktuale nuk funksionon. Ne do të kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të garantojë që të mos miratojmë një politikë në Ballkan të qendërzuar rreth Beogradit. Ne gjithashtu kërkojmë që të konsideroni miratimin e një politike të diplomacisë parandaluese për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me ekuilibër dhe proporcionalitet, që udhëzon çdo deklaratë, çdo ndëshkim apo sanksion të lëshuar dhe se ata që mbështesin sundimin e ligjit dhe demokracinë nuk qortohen.
Nënshkruan,
Rruga Press