Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”
“Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve” ishte tema e ditës së sotme të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, ku referuan studiues të njohur të letërsisë shqiptare.
Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Letërsisë Shqipe në ITShKSh, Emin Azemi, tha se arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gojore apo e shkruar, kurse figurat historike, siç ishte ajo e Skënderbeut, për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin atdheun e të parëve, ato ishin edhe bërthama tematike e fabulare e krijimeve të tyre artistike. Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues.
Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës, në të cilën ai shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, u shpreh Azemi. Më tutje, studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, foli në temën “Rreth letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, Hamit Xhaferi nga Universiteti i Evropës Juglindore iu qas temës “Mbi disa veçanti të letërsisë arbëreshe”, Kamber Kamberi nga Universiteti i Gjakovës foli në temën: “Mbi krijimtarinë e Françesk Anton Santorit”. Studiuesi nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri referoi në temën: “Gjella e Shën Mërís Virgjër” (1762) e Jul Varibobës, Labinot Berisha në temën: “Neumenia” e Anton Santorit, tragjedia e parë në gjuhën shqipe (botimi i Prishtinës)”, dhe Arben Veselaj paraqiti kumtesën “De Rada, një pamje johistoriciste”. Studiuesi Arben Fetoshi pati një qasje të zgjeruar rreth librit “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj.Në fund, këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, solli emocione të veçanta me interpretimin e këngës më të re nga repertori i tij me titull “Baladë për Zef Kakocën”, që i kushtohet kantautorit dhe artistit të madh arbëresh Zef Kakoca, i cili kohë më parë iku në amshim.Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj.
Rruga Press