Art & Kulturë

“Letër nga malet e Shqipërisë” drejtuar shqiptarëve

“Letër nga malet e Shqipërisë

Një letër-thirrje, e cila është nënshkruar prej Çerçiz Topullit, drejtuar gjithë patriotëve shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët duan (brenda kontekstit të kohës) çlirimin e Shqipërisë nga Turqia dhe përparimin e saj. Ndjesi të forta patriotike përcillen prej kësaj letre, e cila përbën një material arkivor dhe publikohet ashtu si është shkruar në origjinal, në shqipen e më shumë se 100 vjetëve më parë. Prapëseprapë, nuk është e vështirë të kuptohet përmbajtja dhe qëllimi i lartë i kësaj letre, e cila përcjell frymëmarrjen e rëndë të Shqipërisë në atë kohë dhe domosdoshmërinë për ndryshim.

Vetë fakti që kjo letër, shkruar në malet e jugut të Shqipërisë, i dërgohet shtypit të atëhershëm mediatik në Raguzë, tregon nevojën për përhapje të frymës luftarake ndër shqiptarë.

Komiteti për lirinë e Shqipërisë.

Kryengritja shqipëtare

(Letër nga malet e Shqipëniës)

I nderuar z. Ivanaj,

Drejtor i gazetës “Shpresa e Shqipërisë”, në Ragusa.

Me anën e kësaj letre dua të lajmëroj të gjith vëllezërit patriot shqiptar, miqët t’onë, si edhe të gjith të tjerët që interesohen për çështjen e Shqipërisë, e sidomos të huajtë që janë miqët t’onë: Se unë, me shum shokët e mij (duke lënë shtëpijat, familjet e gjith pasurinë), kemi dalë ndër male, si kryengritës kundra qeveriës barbare-tiranike, për lirinë e Shqipërisë. Duke qenë se qeverija halldupe e Turqisë nukë na epë kurëfare të drejtë dhe aspak liri, as kemi shkolla në gjuhën t’onë, as siguri për jetën e pasuriën e popullit; e n’anën tjetër, qeverija kërkon e i merrë, me pahiri, pagesat e ndryshme të rënda, jo vetëm por edhe duke na grabitur, plaçkitur (me anën e meemurve hajdut), sa s’durohet më dot; pastaj edhe tani po na e kërkon (ma keq e ma me exhele se sa përpara) djelmeriën t’onë, për ta dërgue si ushtar n’Anadollë e gjetkë, – neve të mërzitur e revoltuar shum, dolme, me pushkë në dorë nëpër male për të kërkuar: liri, drejtësi, gjutetërim e përparim të përgjithshim, gjëra këto që i ka gjith Bota përveç neve… as që do t’i kemi asnje nga këto deri që t’e fitojmë lirinë duke e dbuar Turqinë e kalbur nga mëmëdheu ynë i dashur. Dhe jo vetëm që është e tillë, shumë e keqe gjendja në Shqipëri dhe, përgjithësisht, në Ballkane që janë akoma nën robërinë e Turqisë, por se e tillë (mos më e keqe) është gjendja edhe në Stambollë, mbrenda gjytetit, ku ka me mijra spiun e hajdut, të cillet – me emër të Sulltanit gjakatar – grabisin njerzinë dhe pastaj i burgosin kot, shpeshëherë, vetëm për t’i plaçkitur, pastaj, shum nga këta, edhe i vrasin. Kështu edhe tregëtart, zanatlitë, e sidomos pasanikët (pronart e tjerët) e kanë ka nji qehaja mbi krye, gjoja si kontrollë për gjerra politike, por se, fundi i fundit, është për të plaçkitur, sepse u marrin taksa të rënda, sidomos tregëtarve e pasanikve, shumë kjo që vete deri në 1 000 lira turke në vitë. Dhe këto para, pastaj i dajnë me meemurtë e lartë të qeveriës e me ata që e rrethojnë Sulltanin…

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Gjithashtu, shpeshëherë dërgohen kësi çetash (hajdutë zyrtar me çizme) edhe nëpër vilajete të ndryshme të Turqiës, si edhe në Shqipëri, për të plaçkitur botën, duke thënë: Sulltani, Veziri, a se filan Pasha, ka urdhëruar për të mbledhur para, shumë para, që lypsen për punra e nevoja të Dauletit, që juve si dini as lypset që t’i dini; prandaj epni kaq e kaq para… Kështu, nëpunësit e vegjël të zyrave qeveritare as paguhen nga arka e Shtetit, po ia marrin popullit, me pahiri, këto pagesa, para për jetesë, çka qeverija lejon… as mund të çfaqen plotërisht padrejtësirat e ndodhirat e panjerzishme që ndodhin në Turqi… Dhe prandaj një pjesë e mirë e djelmëriës shqiptare e ka sosur: për të lëvizur e për t’u përpjekur – me armë në dorë – për t’i fituar të drejtat t’ona të shenjta bashkë me liriën. Kta sidomos, mbasi që vetëm neve shqipëtart nuk i kemi të drejtat t’ona, asfare: si shkollat në gjuhën shqipe, shërbimin ushtarak mbërnda kufijve të Shqipërisë; etj… E, n’anën tjetër, shkollat u epen grekërve, bullgarëve, sërbëve, rumunve, arapëve, sirianëve etj… Dhe pse? Sepse vetëm nga gjytetrimi e përparimi i shqiptarëve ka frigë Turqija!…

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Qe këto dhe shum të tjera janë shkaket që na shtërnguanë të dalim maleve: për liri e për shpetimin e Shqipërisë e të popullit shqiptar. Prandaj, duke iu sjellur vëllezërve shqiptar e të gjith miqve, u thomi: Se s’ka gjë më e ëmbël në jetë se sa përpjekja dhe lufta për liri të Mëmëdheut. Dhe vetëm lirija është sharti dhe ilaçi për t’u ringjallë Shqipërija. Duke shpresuar – me ndimën e Perendisë dhe të Besës shqiptare, të lidhur në mes të Parisë atëdhetare e të djelmerisë shqiptare luftëtare, – se deri sot nji vjetë, do t’e çlirojmë Mëmëdheun nga robërija e Turqisë, neve (me anën e kësaj letre-thirrje) i apelohena të gjith shqipëtarve patriot të Shqipërisë së Jugut, si asajë të Veriut, që të lidhen me neve, me Besa-Besën për çlirimin e Shqipërisë. Po, sido që të jenë, neve jemi duke u betuar, se deri që mos të çlirohet Shqipërija – mos me i ulur armet, po me qindrue në Fushë të Nderit, duke luftuar për vdekje a liri… Gjithashtu jemi duke i grishur të gjith shqiptart: shkrimtar, vjershtor, e sidomos gazetart patriot që gjenden përjashta: që t’e lajmërojnë Botën e lirë e të gjytetëruar, se Shqipërija u lëkundë dhe u zgjue nga gjumi i rëndë i robërisë së gjatë, dhe se – në ditën e Shën-Gjergjit (që e festojnë të gjith shqiptart, të krishterë dhe musliman) të k. v. do të pëlcasin kryengritja e përgjithshme për lirinë e Shqipërisë, që do të përhapet nga kufijt e Greqisë deri në Mal të Zi, dhe nga Selaniku deri në kufijt e Sërbisë… Ky grishim – lajmërim, bëhet n’emër të 3 000 kryengritësve luftëtar të betuar: për Shqipërinë! Dhe duke dhënë besën, se do të qindrojnë burrërisht deri që të ia arritim qëllimit, që është shpëtimi i Shqipëriës nga robërija, terrija dhe mbrapsija e përgjithshme; – dhe për ta ndritur Dielli i Lirisë.

Rroftë rivolucioni për lirinë dhe fatëbardhësinë e Shqipërisë!

Nga malet e Shqipërisë së Jugut

…1907

Për komitetin kryengritës

Komiteti për lirinë e Shqipërisë

Çerçiz Topulli

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *