‘Lëre se është shoku i shefit, janë fëmijë …/ Rrëfimet e policëve rrugorë kur ndalin automjetet në kohë pandemie
Kur postblloku lejoi që të largohej mjeti luksoz Range Rover në fillim të muajit maj, policët u ankuan në telefon me njëri-tjetrin duke biseduar për Andrean “se është hera e dytë që veprojnë kështu për një test”. Më herët mjeti që ishte larguar dhe që ishte favorizuar duke mos i lënë policët në rrugë që të kryejnë detyrën e tyre ishte një makinë me targa Aa…IR, për të cilin siç treguan bisedat e efektivëve, sërish ata nuk vepruan duke i vendosur gjobë mbasi shoferi ishte përtej orarit kufizues të shpallur nga Komiteti I Ekspertëve gjatë pandemisë së Covid 19.
Operacionet masive të vazhdueshme si këto të masava anticovid për mbylljen e lokaleve apo gjobitjen e qytetarëve që nuk respektuan masat anticovid, treguan dhe njëherë se sa lehtësisht gjobat rënduan mbi qytetarët pa miq dhe mbështetje, ndonëse ligji duhet të veprojë edhe mbi te pamundurit. “Personalisht policia më ka ndaluar dy herë në postblloqe dhe lëvizja dihet, I kam telefonuar shefit që më pas ka kërkuar respektimin tim” – përmend për Gazetasi.al një zyrtar i nivelit të mesëm pranë drejtorisë Tatimore , sipas të cilit në këtë mënyrë veprojnë edhe të tjerë që nuk duan avari nga policët edhe për moskokëçarjen më të vogël si “një radhë në pikat kufitare”.
Shefi i policisë së Korçës realisht shfaqet në përgjime teksa telefonon një grup policësh, midis tyre jo vetëm polici trupë shërbimi, por edhe salla operative. Urdhëri është i qartë, policët duhet të kthenin bllokun e gjobave tek një nga “ të paprekshmit”. Vargu i ndërhyrjeve në biseda shoferësh që përherë bëjnë gati telefonin sapo shohin dhe vërejnë policë në rrugë përforcohet më tej nga biseda mes Arjel Dervishit dhe shokut të tij. Ky i fundit e pyet atë: “A të ndihmoi Niko Peleshi për të kaluar postbllokun? Dervishi sqaron: Më ndihmoi shefi i policisë.
Të gjetur jashtë orarit zyrtar që kërkohej se duhej të aplikohej te E- Albania shfaqet biseda edhe me D. P i cili i kërkon shefit nderin për kthimin e dokumentave pasi “policët më gjetën jashtë orarit”.
Po çfarë ndodh me policët në terren?
“Krahas çfarë tregon dosja, policët rrugore apo postbllok i zakonshëm, marrin pambarimisht telefonata të tilla.
“Nuk di t’i numëroj se sa janë dhe as që dua ti përmend emrat e shefave mbi mua që kërkojnë ta lë personin në fjalë të vazhdojë se është mik, kushëri apo djalë i mirë” – shprehet nën kushtin e anonimitetit për Gazetasi.al një efektiv i policisë rrugore. Pyetjes deri ku mbërrijnë shefat ai i përgjigjet: “Deri në qendër”. Dhe si ka vepruar ai?-
“E kam nderuar qytetarin me dorë dhe i kam ururar rrugë të mbarë, janë fëmijë biznesmenësh, biznesmenë, punonjës në shtet nga institucionet”- tregon efektivi.
Pak muaj më parë gjatë pandemisë doli se si një shef policie i rajonit të Farkës u denoncua nga biznese të tjera sepse favorizonte lokalet e personave të fuqishëm për festa dhe evente familjare teksa ato duhet të mbaheshin të mbyllura nga covidi. Hetimi i mëpasshëm administrativ konfirmoi këtë shkelje, ndërkohë që policët udhëroheshin nga eprorët për lokale që duhet të mos i preknin dhe të tjerët që duhet t’i shqetësonin me kontoroll.
“Kam lokal dhe paguaj”
A.D ( inicialet e ndryshuara). Ai administron biznesin e një bar restoranti që frekuentohet kryesisht nga familjarë. Ai shprehet për Gazetasi.al se fenomeni “ i më të fortit dhe më të dobtit është evident në këtë biznes”.
“Shiko, një biznes si i imi kryesisht frekuentohet nga familjarë. S’ka probleme me alkoolin, drograt, por lokali disa metra përtej biznesit tonë është biznes që frekuentohet nga të rinj që dallohen ekonomikisht nga automjetet. Atij nuk i intereson që policia të kryejë herë pas here kontrolle sepse tipat që konsumojnë e porosisin pije të shtrenjta kanë probleme, nuk duhet të bezdisen nga patrullat.
Ndaj më ka treguar se e ka lidhur fijen me shefin e komisariatit të cilit i paguan një tarifë mujore”, tregon A.D për Gazetasi.al. Megjithatë i kthyer në një fenomen ndërhyrja tek eprorët dhe zhvlerësimi i policëve, kjo kuptohet kryesisht gjatë aksioneve të bujshme për bllokim automjetesh apo siç ndodhi masivisht gjatë lojërave të fatit. Megjithatë hetimet janë të vakta dhe përherë kanë zbritur në nivel policësh të thjeshtë që vetëm binden për të ruajtur vendin e punës./gazetasi
Rruga Press