Kuriozitete

Lepujt ‘Frankenstein’ pushtojnë Koloradon – Virusi misterioz që po kthen ata në krijesa të frikshme

Lepuj të pazakontë, me zgjatime të zeza që u dalin nga fytyra, janë parë kohët e fundit në Fort Collins, Kolorado, duke shkaktuar frikë dhe kureshtje tek banorët lokalë. Pamja e tyre të kujton skenat e serialit horror “The Last of Us” në HBO, për shkak të deformimeve të çuditshme që u ka shkaktuar një virus.

Banorja lokale, Susan Mansfield, ka treguar për televizionin KOSA se u trondit kur pa një të tillë. “Pashë se kishte si gjilpëra të zeza ose thumba të zinj që dilnin rreth e rrotull. Mendova se do të ngordhte gjatë dimrit, por jo, u rikthye edhe një vit më pas dhe ishte rritur më shumë,” tha ajo.

Sipas autoriteteve të jetës së egër, lepurët janë infektuar me cottontail rabbit papilloma virus (i njohur edhe si Shope papilloma virus), një sëmundje që nuk transmetohet te njerëzit, por shkakton lezione të kuqe në kokë, qepalla, qafë, shpatulla dhe këmbë, të cilat më pas shndërrohen në tumore të zeza të padëmshme të quajtura keratinised papillomas. Në disa raste të rralla, ato mund të shndërrohen në kancer të lëkurës.

Virusi përhapet nga mushkonjat dhe rriqrat, me raste më të shumta gjatë verës. Nuk ka një kurë të njohur, dhe megjithëse shumica e lepujve të egër e mbijetojnë, rritjet mund të pengojnë aftësinë e tyre për të ngrënë, duke çuar deri në urinë fatale.

Colorado Parks and Wildlife këshillon qytetarët që të mos i prekin lepujt e infektuar. “Nuk rekomandojmë eutanazimin e lepujve me papilloma, përveçse nëse rritjet u pengojnë të hanë ose të pijnë ujë,” thuhet në njoftimin e tyre. Agjencia paralajmëron gjithashtu pronarët e lepujve shtëpiakë që t’i mbajnë ata të mbrojtur, pasi sëmundja është më e rëndë tek lepujt e zbutur dhe duhet trajtuar nga veterineri.

Në histori, “lepujt me brirë” – të quajtur popullorçe jackalopes – janë përshkruar në ditarët e shekujve XVI-XVIII. Shkencëtarët besojnë se shumë nga këto rrëfime kanë pasur si bazë lepujt e prekur nga ky virus.

YouTube player