LEN: BDI në koordinim me partitë maqedonase godet qytetet kryesore shqiptare
Lidhja Evropiane për Ndryshim ka akuzuar sot BDI-në për bllokim të të gjitha investimeve në vendbanimet shqiptare.
“Vetëm për të mbetur në pushtet, janë të gatshëm ti lënë të pazhvilluara dhe ti varfërojnë edhe më tepër vendbanimet shqiptare, të bllokojnë të gjitha investimet e mundshme dhe të gjitha paratë e buxhetit ti dërgojnë vetëm në komunat maqedonase. Dje deputetët e BDI-së, në bashkëpunim me deputetët e LSDM-së, OBRM-PDUKM-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Levicës ndanë një miliardë denarë, thuajse për të gjitha komunat, kryesisht ata të OBRM-PDUKM-së, por votuan kundër ndarjes së projekteve në dy kryeqendrat e shqiptarëve, në komunën e Tetovës dhe në komunën e Çairit”, deklaroi Fadil Zendeli, deputet, sipas të cilit BDI dhe partitë tjera shqiptare në pushtet, vazale ndaj LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së bllokuan 15 milion denarë për Komunën e Tetovës, për realizimin e Projektit i cili parashikon që në Lumin Shkumbin të vendosen rrethoja mbrojtëse dhe rregullim i shtratit të lumit”, tha në koferencën e sotm për shtyp deputati i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Nga atje thonë se deputetët shqiptar në qeveri nuk mbështetën edhe projektin e Komunës së Çairit, në vlerë prej 12 milion e 700 mijë denarë me të cilin parashikohet rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik dhe fekal në lagjen Dizhon në Çair.
Që opinioni ta ketë më të qartë, nga një miliardë denarët e mbetura në Buxhet si të parealizuara, të cilat iu ndanë komunave, në bazë të numrit të popullsisë, Komunës së Tetovës dhe Komunës së Çairit, i kanë takuar 1.5 milion euro, por edhe pse për dy projektet e lartpërmendura, këto Komuna kërkuan shumë më pakë para, rreth 450 mijë euro, deputetët e BDI-së dhe partnerëve të tyre në pushtet nuk ua shpërndanë atyre”, tha Zendeli.
Paramendoni, derisa pushteti shpërndan mjete të mbetura të Buxhetit në të gjitha komunat në vend, BDI bllokon projektet në dy kryeqendrat shqiptare, në Çair prej ku e ka zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dhe në Tetovë prej ku është ministri i Financave, Fatmir Besimi. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së, e cila është e gatshme që të gjitha investimet ti bëjë në komunat maqedonase, madje edhe të bashkëpunojë me ata të cilët vazhdimisht i quan si e keqja e shtetit, vetëm për të mbetur në pushtet. Por zgjedhjet do të vijnë së shpejti, e me çfarë fytyre, BDI, Artan Grubi, Fatmir Besimi dhe të tjerët do të dalin dhe do të kërkojnë votat e shqiptarëve në Tetovë dhe Çair”, theksoi Zendeli.
Rruga Press