Legjenda e gropës misterioze që me shekuj e ka shokuar Jemenin
Për shekuj me radhë misteri ka mbuluar origjinën e gropës Barhout Well në Jemen.
Njerëzit kanë vazhduar të përmendin teori të ndryshme se çfarë fsheh e kaluara e gropës.
Kjo gropë është e thellë 100 metra, ndërkaq ka diametër prej 30 metrash.
Banorët nuk e dinë se si është formuar gropa në mesin e shkretëtirës së Jemenit. Lokacioni i saj e bën gropën edhe më misterioze.
Ka më shumë pyetje se përgjigje për gropën, por asnjëri nuk di saktësisht historinë.
Fotografi Ahmed Waqqas thotë se nuk mund të ulë dronin në pikën më të thellë të gropës Barhout Well, sepse humb sinjali brenda saj. Veçoria më misterioze e gropës është fusha magnetike përbrenda.
“Gropa nuk është vetëm e thellë, por ka edhe zgavra. Ka disa zgavra, por nuk mund ta dërgojmë dronin më poshtë, sepse humbim sinjalin mes dirigjuesit dhe dronit. Ky problem ndodh për shkak të fushave magnetike që ka gropa. Droni fillon të dridhet dhe nuk mund të rrezikojmë”, ka thënë ai.
Paaftësia për të hulumtuar gropën ka lënë banorët duke pyetur se çfarë fsheh brenda.
Ali Awad thotë se është punë Zoti.
“Ka shumë legjenda dhe besëtytni rreth gropës dhe kush e krijoi, qoftë nga dora e njeriut ose nga ndonjë aftësi hyjnore. Unë besoj se njerëzit nuk mund të krijojnë diçka kaq të madhe. Është punë Zoti, ose rezultat i ndonjë meteori që goditi tokën para mijëra vjetësh. Kur pyesim më të moçmit ata thonë se nuk e dinë historinë e gropë”, ka thënë ai.
Teksa qëndron afër gropës, Awad thotë se autoritetet duhet ta promovojnë atë si vend arkeologjik teksa misteri i saj ende po pret që të zgjidhet./koha/