LDK-ja po e kërkon kryeministrin pa i fituar zgjedhjet, sikurse Ramush Haradinaj ia kërkoi Ibrahim Rugovës në vitin 2004
Shkruan Donik Sallova
Lumir Abdixhiku trumpetonte fitoren e zgjedhjeve dhe rikthimin e madh të LDK-së, por doli sërish i treti, duke e kthyer këtë rankim të partisë në traditë zgjedhore (2017, 2021, 2025). E mori me 12% në 2021-ën e ngriti në 17% këtë vit, por sërish i treti. Megjithatë, duke qenë se nuk po jep dorëheqje për këtë vendnumërim [3], këtë rezultat po e promovon si fitore, duke i riformuluar objektivat pas zgjedhjeve. Pra, nga aspirata për fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen e mandatit nga popullit për të qeverisur, LDK po shndërrohet ngadalë në një parti të modelit të AAK-së që synon të mirëmbahet brenda kuadratit [3] me strategjinë e përfitimit nga kushtëzimet joparimore dhe joprogramore politike pas zgjedhjeve.
Kështu, LDK po e kërkon kryeministrin pa i fituar zgjedhjet, sikurse Ramush Haradinaj ia kërkoi Ibrahim Rugovës në vitin 2004. Por, Ramushi edhe pse e mori dy herë postin e kryeministrit, AAK-ja mbeti gjithnjë brenda kuadratit si parti e 7%-shit, madje kësaj radhe falë koalicionit me Nismën. Pra, pozita e kryeministrit që fitohet nga kushtëzimet dhe jo nga diktati i popullit, nuk garanton suksesin e partisë në zgjedhjet pasuese. LDK doli e treta me dy kryeministra në detyrë, Isa Mustafën (2017) dhe Abdullah Hotin (2021), sepse edhe në 2014-ën e edhe në 2020-ën e mori postin e kryeministrit pa i fituar zgjedhjet.
Gjithmonë, koalicionet e partive humbëse me fituesin e zgjedhjeve janë një farë sakrifice politike, por kjo sakrificë justifikohet kur arsyetohet me suksesin e imponimit të objektivave programore politike të humbësve në platformën qeverisëse të fituesit. Kjo në një farë mënyre dëshmon reflektimin e humbësve për rezultatin e pafavorshëm zgjedhor, nevojën e partive për pushtet qeverisës, si dhe besnikërinë kundrejt parimeve themelore politike. Por, të vësh kusht që për t’u përfshirë në qeverisje, nga pozita e humbësit të marrësh e postin më të lartë për të cilën garohet (kryeministrit), dhe ta paraqesësh atë si trofe politik tek strukturat partiake, për t’u shndërruar si me magji nga humbës i zgjedhjeve në fitues pa fitore, kjo nuk e minimizon as humbjen e zgjedhjeve aktuale e nuk e garanton as fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë i paraqitëm precedentët më sipër.
Po ashtu, historia politike elektorale në Kosovë e ka si dëshmi empirike faktin se që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK-ja i ka dalë PDK-së përpara vetëm kur elektorati e asocoi atë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e vitit 2019!
Rruga Press