Lansohet nisma për mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën WE për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë, kanë nisur programin “We Finance”, një iniciativë që ka për qëllim përmirësimin e qasjes së grave ndërmarrëse në financa.
Kjo nismë ka për qëllim krijimin e mundësive të barabarta për gratë në biznes që të kenë qasje në financa dhe gjithëpërfshirje.
Presidentja Vjosa Osmani tha se një sfidë që vazhdon të shfaqet është barriera e vazhdueshme që gratë sipërmarrëse hasin globalisht në qasjen në financa.
“Biznesi nuk është thjesht çështje drejtësie dhe barazie. Ai është gjithashtu një katalizator për rritje më të gjerë ekonomike, progres shoqëror dhe zhvillim të qëndrueshëm. Kur gratë kanë mundësi të barabarta për të lulëzuar, shoqëritë lulëzojnë gjithashtu. Ndërsa dëgjojmë për shumë pengesa me të cilat përballen gratë në fusha të ndryshme të jetës, një sfidë që vazhdon të shfaqet është barriera e vazhdueshme që gratë sipërmarrëse hasin globalisht në qasjen në financa. Pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në biznes dhe inovacion, ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë shpesh hasin vështirësi për të siguruar financim në të njëjtin nivel si homologët e tyre meshkuj”, tha Osmani.
Ajo theksoi se lansimi i nismës WeFinanceCode në Kosovë përfaqëson një moment historik të rëndësishëm, jo vetëm për Bankën Qendrore dhe BERZH-in, por për mbarë shoqërinë dhe gjithë vendin tonë.
Sipas saj kjo nismë do të krijojë një ekosistem financiar më gjithëpërfshirës dhe një mjedis mbështetës ku gratë sipërmarrëse mund të zhvillohen.
Të premten është bërë edhe nënshkrimi i Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Bankës Qendrore dhe Agjencisë se Regjistrimit të Bizneseve – Avancimi i Infrastrukturës së të Dhënave.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili tha se fokusi në kuadër të këtij projekti do të jetë përmirësimi i infrastrukturës së të dhënave, lehtësimi i qasjes në financa dhe nxitja e përfshirjes financiare, veçanërisht për gratë në biznes.
“Nisma WeFinance tashmë është duke u zbatuar nga mbi 30 banka qendrore dhe vende në mbarë botën. Kosova, përmes institucionit që unë drejtoj, Bankës Qendrore të Kosovës, ka marrë një rol udhëheqës në këtë nismë. Duke parë përpara, në dy vitet e ardhshme, ne do të punojmë së bashku për të avancuar dialogun si liderë në sektorin financiar. Fokusi ynë do të jetë përmirësimi i infrastrukturës së të dhënave, lehtësimi i qasjes në financa dhe nxitja e përfshirjes financiare, veçanërisht për gratë në biznes, ndërkohë që punojmë drejt një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës për të gjithë”, tha Ismaili.
Përveç kësaj, Ismaili potencoi se përmes këtij projekti, BQK synon të zhvillojë një panel treguesish, i cili sipas tij do të gjurmojë dhe të raportojë mbi indikatorët kyç të përfshirjes financiare.
“Ky projekt është në përputhje me planin strategjik të Bankës Qendrore, ku i kushtohet një fokus i madh përmirësimit të qasjes në financa dhe përfshirjes financiare, promovimit të mbrojtjes së konsumatorit dhe forcimit të edukimit financiar – veçanërisht për grupet e nënpërfaqësuara, si gratë sipërmarrëse. Përmes këtij projekti, Banka Qendrore synon të zhvillojë një panel treguesish, i cili do të gjurmojë dhe do të raportojë publikisht mbi indikatorët kyç të përfshirjes financiare. Këto panele do të na mundësojnë gjithashtu monitorimin e rregullt të progresit dhe ndarjen e të dhënave mbi pjesëmarrjen e grave në industrinë financiare, duke ofruar transparencë dhe llogaridhënie në përpjekjet tona”, potencoi Ismaili.
Shefi i BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko u shpreh se gratë janë agjente kyçe të ndryshimit dhe se sipas tij duke u ofruar atyre qasje të barabartë në financa, mund të ndërtojmë një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme për të gjithë.
“Në BERZH, e kuptojmë se barazia gjinore nuk është vetëm një qëllim në vetvete. Ajo është një element thelbësor për të nxitur rritjen dhe inovacionin. Gratë janë agjente kyçe të ndryshimit dhe, duke u ofruar atyre qasje të barabartë në financa, mund të ndërtojmë një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Megjithatë, duke qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në mbështetjen e bizneseve të drejtuara nga gratë, jemi gjithashtu të vetëdijshëm për sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë. Ndërsa gratë aspirojnë të jenë sipërmarrëse në një shkallë të ngjashme me burrat, ato përballen me pengesa të mëdha që kufizojnë aftësinë e tyre për të realizuar potencialin e tyre, tha Maslichenko.
Vitin e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës dhe BERZH-i kanë nënshkruar një marrëveshje për të mbështetur këto politika në kuadër të kodit WeFinance. Që atëherë është organizuar një punëtori me institucionet financiare, dhe në fillim të këtij viti, është ndryshuar udhëzimi për regjistrin e kredive, i cili adreson disa nga nevojat e këtij projekti.
Rruga Press